E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeprokurori shpalosi akuzat kundër Hosni Mubarakut

Po vazhdon gjykimi i ish-presidentit të përmbysur të Egjiptit, Hosni Mubarakut, ndërsa prokurorët kanë filluar të prezantojnë argumentet që Mubaraku dhe bashkëpunëtorët e tij janë fajtorë për vrasjen e më shumë se 800 protestuesve, gjatë kryengritjeve që çuan në përfundimin e sundimit 30 vjeçar të tij.

Kryeprokurori i Egjiptit e ka akuzuar Mubarakun për imponim të tiranisë, gjatë 30 vjetëve sa ishte në fuqi.

Këto komente nga kryeprokurori Mustafa Suleiman erdhën, pasi prokurorët filluan prezantimin e argumenteve të tyre në gjykatë.

Mubaraku dhe dy bijtë e tij, përveç akuzave për vrasje, ballafaqohen edhe me akuza shtesë për korrupsion. Ish lideri famëkeq dhe të pandehurit e tjerë kanë mohuar çdo keq-bërje.

Mubaraku, 83 vjeçar, është dërguar në gjykatë, përderisa policia dhe ushtria ishin vendosur jashtë Akademisë Policore në Kajro, ku po mbahet gjykimi.

Gjykimi kundër Mubarakut dhe të akuzuarve tjerë filloi në muajin gusht të vitit të kaluar, disa muaj pas përmbysjes së Mubarakut nga pushteti, edhe përkundër gjendjes së rënduar shëndetësore të tij.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›