E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komunat “gllabëruese” të buxhetit

Nëntë Komuna të Kosovës do të jenë vetëm barrë për buxhetin, pasi që nuk do të kenë qëndrueshmëri financiare nga të hyrat vetjake që i realizojnë.

Komunat e reja që po “përhajrohen” këto ditë nga kryeministri Hashim Thaçi do të jenë barrë për buxhetin e Kosovës, pasi që ato nuk do të kenë qëndrueshmëri financiare nga të hyrat vetjake që i realizojnë.

Qeveria e Kosovës së fundi ka themeluar tri komuna të reja, përkatësisht Gjonajt, Rogovën dhe Zhegrën, për të cilin vendim disa parti opozitare e kanë kritikuar se po e bën për përfitime të zgjedhjeve të 3 nëntorit të këtij viti.

Janë nëntë komuna, duke i përfshirë edhe ato serbe të krijuar vite më parë sipas Planit të Marti Ahtisarit, që funksionalizimi i tyre do të vazhdohet ekskluzivisht nga buxheti i Kosovës, shkruan Zëri.

Bëhet fjalë për komunat e vogla si: Hani i Elezit, Kllokoti, Mamusha, Juniku, Parteshi, Ranilluku, dhe tash së fundi Rogova, Gjonaj dhe Zhegra.

Partia më e madhe opozitare në Kosovës (Lidhja Demokratike e Kosovës) e ka vlerësuar si të kundërligjshme themelimin e tri komunave të reja në prag të zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit. Shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Ismet Beqiri, thotë se me këto veprime kryeministri Thaçi po manipulon me qytetarët e këtyre rajoneve.

“Kryeministri Thaçi po jep deklarata si të fëmijëve, pasi po manipulon me këta qytetarë, për faktin se krijimi i komunave të reja është e kundërligjshme, pasi që tani është shpallur data e zgjedhjeve të ardhshme lokale”, tha ai.

LDK-ja, sipas tij, është pro themelimit të komunave të reja, por jo pak muaj para zgjedhjeve. E për ish-ministrin e Pushtetit Lokal nga LDK-ja, Sadri Ferati, themelimi i komunave të reja me shumicë serbe ka qenë obligative me pakon e Ahtisarit./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›