E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komuniteti Mysliman Xhamia e re Bashkia po shmang pronesine e tokes

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka reaguar përmes një deklarate lidhur me ndërtimin e xhamisë së re në Tiranë duke sqaruar se procesi i projektimit të saj, megjithëse duhet të fillonte pas zgjidhjes së pronësisë së tokës, në çdo hap është mbështetur dhe përkrahur nga KMSH.

Që në fillim, në takimet me Bashkinë e Tiranës, Komuniteti Mysliman shqiptar ka shprehur haptazi paqartësitë në lidhje me shpronësimin e truallit dhe lejen e sheshit të ndërtimit, shqetësim ky i cili nuk ka qenë vetëm i institucionit, por edhe i të gjithë besimtarëve myslimanë të cilët janë treguar shumë të ndjeshëm në këtë çështje.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është institucioni përfaqësues i të gjithë besimtarëve myslimanë në Shqipëri dhe ka si organ më të lartë vendimmarrës Këshillin e Përgjithshëm, të përbërë nga 92 anëtarë nga mbarë vendi.

Në mbledhjen e tij të fundit të mbajtur më 20 mars 2011, Këshilli i Përgjithshëm, pasi diskutoi çështjen e ndërtimit të xhamisë së re në Tiranë, konstatoi mjaft pasiguri, derisa nuk është zgjidhur leja e sheshit të ndërtimit dhe shpronësimi i sipërfaqes së truallit që nuk është në pronësi të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, si dhe paqartësi të tjera.

KMSH sqaron se që nga deklarata e Këshillit të Përgjithshëm, ka qenë në pritje të një përgjigje nga ana e Bashkisë për të sqaruar pasiguritë në funksion të realizimit të plotë të kësaj nisme.

Por ndërsa ende nuk ka një përgjigje, shpallja e projektit fitues per xhamine e re vlerësohet si e parakohshme nga ana e Komunitetit Mysliman Shqiptar.

Ky Komunitet thekson se, në përzgjedhjen e projekteve të objekteve të kultit, komunitetet fetare përkatëse duhet të kenë rolin kryesor dhe vendimtar.

“Xhamia e Re në Tiranë mbetet një nevojë e domosdoshme dhe emergjente për besimtarët myslimanë dhe Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shpreson në bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërinstitucional për realizimin e këtij objektivi”, përfundon deklarata e Komunitetit Mysmilan shqiptar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›