E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komuniteti serb më shumë parapëlqen kthimin individual

Një numër i madh serbësh kanë aplikuar për kthim në Lipjan, kohët e fundit, derisa mësohet se janë vetë ata që parapëlqejnë më shumë kthimin individual sesa atë kolektiv. Florent Hoxha, kryesues i Grupit komunal të kthimit në këtë komunë e ka konfirmuar të premten se numri i aplikacioneve për kthim është i madh dhe ai u përket serbëve.

“Këtë vit kemi një numër të madh komunitetesh që janë interesuar dhe kanë aplikuar për kthim, derisa serbët me këtë rast janë më të interesuar për t’u kthyer se komunitetet e tjera. Mirëpo, serbët më shumë bëjnë kërkesa për kthim individual”, ka thënë Hoxha.

Ndërkohë që, sipas Hoxhës, edhe strategjia komunale e kthimit e hartuar nga autoritetet komunale flet për kushtet e volitshme për kthimin. Këto kushte, sipas asaj që thotë nënkryetari i Komunës, do të vazhdojnë të jenë në favorin e atyre familjeve apo individëve që duan të kthehen në prona të tyre, shkruan Koha Ditore.

“Ata (komunitetet) janë të lirë që t’u kthehen pronave të tyre, ndërsa ne duhet shikuar mundësitë buxhetore se çfarë mund të ofrojmë për të zhvendosurit në mënyrë që atyre t’ua lehtësojmë jetesën pas kthimit”, ka pohuar Hoxha.

Ndërkaq vetë serbët lipjanas, nga ana tjetër, deklarojnë se projektet që synojnë një kthim edhe më të madh dhe integrim të komuniteteve në përgjithësi janë gjëra që mundësojnë një jetesë më të mirë dhe që nxisin serbët për t’u kthyer në prona të veta./Indeksonline/ 
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›