E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koncert madhështor Imami sjell folkun në modernitet

Hap pas hapi, nga njëri numër në tjetrin të pranishmit bënë një udhëtim tingullor në hapësirën kulturore dhe historike të këtyre dymijë viteve të fundit, e ndoshta edhe më thellë.

Ministria e Mbrojtjes organizoi një koncert madhështor me këngë epike shqiptare, të sjella me një skenografi moderne me rastin e 99-vjetorit të themelimit të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare dhe mbajtjes së Ministerialit të A5-ës në Shqipëri. Koncerti u organizua nën kujdesin e posaçëm të Ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, ndërsa grupi realizues i koncertit kishte një përbërje mjaft të larmishme. Pjesa artistike u realizua nën kujdesin e akademik Vaso Toles, i cili konceptoi programin e koncertit. Mjeshtri Pali Kuke ishte regjisor i këtij koncerti, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për mbarëvajtjen e tij. Skenografia, përmbajtja interaktive dhe projektimi në teknologjinë 3D u konceptua nga një grup profesionistësh më me zë në Hollywood, si Bart Kresa, David Beaudry, Adam Kuczek, Ergin Kuke, etj.

Ky koncert me muzikë popullore tradicionale shqiptare ishte një risjellje në skenë e gjinive dhe tipologjive muzikore, të cilat janë “perla” të trashëgimisë shpirtërore të shqiptarëve.

Këto vlera shpirtërore janë dëshmi e identitetit kulturor europian të shqiptarëve, të dhënë përmes një larmie kulturore të mahnitshme, llojesh dhe formash, të cilat ishin prezente në koncert. Hap pas hapi, nga njëri numër në tjetrin të pranishmit bën një udhëtim tingullor në hapësirën kulturore dhe historike të këtyre dymijë viteve të fundit, e ndoshta edhe më thellë.

Programi ishte i fokusuar tek këngët epike, legjendare, heroike. “Epet” me lahutë të shkëputura nga “Eposi i Kreshnikëve”, i cili është monument shpirtëror origjinal i homofonisë sonë veriore, krijuan atmosferën legjendare të bjeshkëve dhe të bëmave të kreshnikëve përmes tingujve, veshjeve dhe zërave të lahutarëve, të cilët duket sikur udhëtonin bashkë me kohën. Krahas epëve, në koncert ishin dhe këngët maje-kraje, një formë krejt origjinale e të kënduarit në Veriun e Shqipërisë.

Kërcimet pa muzikë dhe larmia e formave dhe varianteve të iso-polifonisë vajtimore të krahinave toske e çuan audiencën tek ritualet vajtimore të kohës së Homerit, në atë kohë kur lindi edhe krijimtaria artistike e njeriut, vetë arti i tragjedisë si një unitet i artë mes fjalës, muzikës dhe lëvizjes. Janë pikërisht këto monumente të kulturës popullore shqiptare, të cilat sot janë të njohura ndërkombëtarisht nga UNESCO si pjesë e listës së “Dukurive shpirtërore të mbarë njerëzimit”.

Ambicia e Ministrisë së Mbrojtjes ishte të sillte këto kryevepra të folklorit shqiptar në një kontekst thellësisht modern, me një skenografi të kuruar me teknologjinë më të avancuar, nga profesionistët më me zë të fushës. Projeksionet në 3D krijuan një atmosferë befasuese për publikun e pranishëm, duke e risjellë folkun shqiptar në një formë krejtësisht moderne.

Koncerti u çel nga Drejtoresha e Qendrës së Kulturës, Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes, e cila bëri një përmbledhje të këtij eventi për publikun e pranishëm. Më pas ishte ministri i Mbrojtjes, i cili falenderoi të pranishmit, duke e cilësuar këtë vepër si unikale, me vlera të jashtëzakonshme për rivitalizimin e flokut, kësaj pasurie kombëtare, nëpërmjet një qasjeje thellësisht moderne. Ministri Imami u shpreh se kjo ishte forma më e mirë për të kujtuar etërit e shtetit shqiptar, të cilët 99 vjet më parë themeluan Ushtrinë Kombëtare Shqiptare. Ai u ndal edhe tek simbolika e 8 Dhjetorit, e cila ishte dita që çeli siparin e ndërtimit në Shqipëri të një shoqërie ku të drejtat e njeriut janë të garantuara, ku të drejtat politike dhe civile janë po ashtu të garantuara, si dhe e ndërtimit të një shteti ku sundon ligji dhe e drejta.

I ftuar i nderit në këtë koncert ishte Komandanti Suprem i Forcave Aleate për Europën, Admiral James Stavridis, i cili ka ardhur në Shqipëri për të marrë pjesë edhe në Ministerialin e Mbrojtjes të A5-ës, i cili zhvillohet më 9 dhjetor në Durrës.

Gjithashtu, të pranishëm në këtë koncert ishin ministrat e Mbrojtjes të vendeve të rajonit, si dhe drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar, si kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministra, deputetë dhe shumica e trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.

Pali Kuke: Një vepër unikale, me përmasa të jashtëzakonshme.

Regjisori i Koncertit Pali Kuke shprehet se ky eveniment i organizuar nga Ministria e Mbrojtjes ishte një vepër unikale, me vlera të jashtëzakonshme. “Ky koncert ishte një dëshirë e brendshme që prej kohësh i fle artistit brenda vetes dhe këtu e kam fjalën për ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami. Gjithmonë i kisha thënë atij që të gjente një mundësi për të shpluhurosur dhe për të risjellë ato që quhen vlera të vërteta, që janë unikale në trevën e Ballkanit, në mos edhe më gjerë. Kështu që u bë një hulumtim shumë i madh dhe u ndërtua një program i madh, ku u përzgjodhën ato që ekstremalisht bashkoheshin më shumë me njëra-tjetrën. Ne donim që t’i shkonim konceptit sa më thellë, sikurse është fërgëllima e shpirtit që del nga fyelli apo gërvishtja ngjethëse e lahutarit. Donim të shkonim në një dimension sa më lart në skajin tjetër që është në qiell. Ky ishte koncepti artistik, këtu u mbështetëm, kështu që gjetëm këto konvencione për t’i ngritur, për t’i mbajtur në ajër, për t’i mbajtur pezull, një gjë që është si qelqi, delikate, duke e mbrojtur që të mos thyhet.

U krijua mundësia edhe me artistët të jashtëzakonshëm që realizuam këtë koncert, duke krijuar në këtë mënyrë një grup shumë të mirë me artistë që kanë ardhur nga Amerika e Italia që të sillnim këtë gjë tredimensionale, d.m.th: thellësinë, lartësinë dhe brishtësinë. Simbolikat janë të tilla, që të përcjellin një kënaqësi unikale. Kjo është një punë e jashtëzakonshme dhe nuk mund të mendohet se mund të bëhej pa një kontribut të jashtëzakonshëm të vetë Ministrisë së Mbrojtjes dhe pastaj të të gjithë njerëzve që punojnë tek Qendra e Kulturës, Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes, sepse është shkuar fshat më fshat, janë ngritur ekipet e punës, është bërë selektimi i grupeve dhe solistëve, janë trajnuar për të kënduar sa më mirë, është parë vizatimi i çdo personazhi që nga opinga, duke i shkuar sinkron dhe me besnikëri veshjes popullore që të ishte sa më adekuate, e vërtetë. Si përfundim, realizuam një eveniment ndër më të rrallët në sojin e tij.”

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›