Hepatiti B, 16 raste të reja për një muaj në Tiranë
Specialistët e Shëndetit Publik në kryeqytet ngrenë shqetësimin për përhapjen e hepatiteve, ndërsa bëjnë apel për vaksinim. Vetëm për një muaj, në Tiranë janë konstatuar 16 raste të reja me hepatit B, një shifër e lartë kjo sipas specialistëve, krahasuar me periudhat e mëparshme. “Ajo që po ndiqet me kujdes nga ana jonë janë rastet e reja të diagnostifikuara me hepatit B, i cili është i evidentuar në grupmoshat mbi 20 vjeç, mosha të cilat nuk e kanë kryer vaksinimin e radhës. Janë evidentuar 16 raste në këtë periudhë kohe. Vaksina e hepatitit B mund të kryhet në të gjitha moshat. Të 16 rastet nuk kanë kryer këtë vaksinë”, - pohon drejtoresha e Autoritetit Rajonal Shëndetësor, Liljana Ramasaco. Më tej, ajo shpjegon se kategoritë më të rrezikuara për t’u prekur nga hepatiti B janë personat me imunitet të ulët, të sëmurët kronikë, si dhe fëmijët. Ndërkaq, një rrezik i shtuar për t’u prekur jo vetëm nga hepatitet, por edhe nga sëmundjet e tjera infektive janë marrëdhëniet seksuale të pambrojtura.