Arbitrat i nxjerrin kartonin e kuq kampionatit, këtë javë nuk luhet
Shoqata e Gjyqtarëve në mbledhjen e organizuar ditën e djeshme ka vendosur që asnjë xhaketë e zezë të mos zbresë në fushën e lojës. Vendimi merret pas indinjatës që solli dhuna e ushtruar ndaj Lorenc Jeminit
Gjyqtarët kanë vendosur që t’i thonë “stop” dhunës në stadiume, dhunë e cila në shumicën e rasteve bie mbi kurrizin e tyre. Shoqata e Bashkimit të Arbitrave të Futbollit Shqiptar në një mbledhje të saj ka marrë vendimin për të bojkotuar të gjitha aktivitetet futbollistike të fundjavës. Kjo protestë motivohet si unifikim me rastin e Lorenc Jeminit dhe se pas ngjarjes të gjithë e kanë të pamundur të zbresin në fushë pasi dhuna ndaj kolegut të tyre ka sjellë një gjendje psikologjike aspak të mirë. Gjithashtu, gjyqtarët i kanë kërkuar Policisë së Shtetit që të mos qëndrojë pasive sikundër ndodhi në Laç. E gjithë java e 12-të e Superligës dhe të gjitha ndeshjet e kategorive të ndryshme që ishin parashikuar për këtë fundjavë janë bojkotuar nga gjyqtarët e si rrjedhojë nuk do të zhvillohen e do të shtyhen për një datë tjetër. “Shoqata Bashkimi i Arbitrave Shqiptarë të Futbollit ‘BASHF’ në mbledhjen e datës 08.12.2012 duke marrë shkas nga ngjarja e fundit që ndodhi në fushën e Laçit pas takimit Laçi–Kastrioti, ku u dhunua barbarisht arbitri Lorenc Jemini, vendosi që të bojkotojë të gjitha aktivitetet futbollistike të programuara për këtë fundjavë. Kjo masë e marrë nga shoqata bëhet për të sensibilizuar opinionin publik dhe gjithë aktorët e futbollit shqiptar që ngjarje të tilla të shëmtuara të mos përsëriten më në fushat tona të futbollit. Të ndodhur në një gjendje të rëndë psikologjike, arbitrat, në mënyrë unanime, votuan pro vendimit të bojkotit duke theksuar rëndësinë e gjykimit si pjesë e rëndësishme të futbollit tonë. Punonjësit e Policisë së Shtetit duhet të jenë më të orientuar në parandalimin e ngjarjeve të dhunshme. Reagimi tyre më aktiv dhe më i përgjegjshëm do të japë siguri, mbrojtje për jetën dhe qetësi në stadiume apo terrene sportive.” Dy ditë më parë Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit dënoi skuadrën e Laçit, të cilës iu hoqën gjashtë pikë dhe i pezullohet fusha deri në fund të sezonit, pas rrahjes barbare të gjyqtarit, në përballjen e së hënës ndaj Kastriotit. Në bazë të këtij vendimi, ekipi i Laçit duhet të zhvillojë të gjitha ndeshjet e mbetura brenda këtij sezoni në fushë asnjanëse dhe pa tifozë, ndërsa bien në renditje nga vendi i gjashtë në të 11-tin, në kuotën e dhjetë pikëve. Gjithashtu, Komisioni i Disiplinës vendosi për ndëshkimin e presidentit Pashk Laska dhe zyrtarëve të klubit, Ardian Laska dhe Kastriot Rama, me 24 muaj pezullim nga aktivitetet futbollistike dhe 5 milionë lekë gjobë. 1 vit pezullim dhe 5 milionë lekë gjobë edhe për lojtarin Florian Laska.
Garat spostojnë kalendarin
Pasi është njohur me vendimin e gjyqtarëve për të bojkotuar veprimtarinë futbollistike të së premtes, Sektori i Garave në FSHF vendosi gjithashtu që të spostojnë kalendarin duke i marrë hua një javë pushimeve të dimrit. Kështu, kampionati i Kategorisë Superiore, java XII do të luhet në datat 17-18 Dhjetor 2011, ndërsa java XIII do të luhet në date 24-25 Dhjetor 2011. Kategoria e Parë, java XIII do të zhvillohet në datën 17 Dhjetor 2011, ndërsa java XIV do të luhet në datën 24 Dhjetor 2011. Java XV do të spostohet kështu për më 28 dhjetor 2012. Kategoria e Dytë, grupi A dhe B, javën XI do ta zhvillojnë në datën 18 Dhjetor 2011. Ndeshjet e Kampionatit të moshave U-19 dhe U-17 për javën XIV do të zhvillohen ditën e mërkurë date 14.12.2011 sipas orareve te paracakturaa. Java XV do të luhet ditën e diel, datë 18.12.2011. Ndeshjet e Kupës së Shqipërisë do të zhvillohen sipas kalendarit të përcaktuar dhe pa ndryshime.
Superliga – Java XII
E shtunë, 17 dhjetor
Kastrioti – Kamza 13:00
E diel, 18 dhjetor
Bylis – Tomori 13:00
Pogradeci – Teuta 13:00
Tirana – Laçi 13:00
Apolonia – Skënderbeu 13:00
Flamurtari – Shkumbini 13:00
Vllaznia – Dinamo 16:00