E Hënë, 2 Nëntor 2026

Koncerti i Saimir Pirgut në Shirokë, kufizim trafiku

TIRANË, 4 shtator/ATSH/ Bashkia Shkodër fton qytetarët të bashkëpunojnë për të shmangur ditën e nesërme lëvizjen me automjete në zonën e Shirokës.

Ky kufizim bëhet për shkak të koncertit të tenorit me famë botërore Saimir Pirgu, i cili është programuar të zhvillohet ditën e nesërme (5 shtator). Bashkia Shkodër kërkon që lëvizjet të shmangen duke filluar nga ora 16:00 e në vijim.

Për banorët e zonës, që mund të kenë raste emergjente, qarkullimi do të devijohet në rrugën e Radovanëve – Shtregullave dhe “Zarufes”. Për të lehtësuar transportin dhe shmangur trafikun, Bashkia Shkodër vë në dispozicion të qytetarëve falas linjën e autobusit: Bashkia – Shirokë – Bashkia, me ndalesa sipas stacioneve.

Vendparkimet pranë sheshit në Shirokë do të jenë në funksion të koncertit dhe nuk do të jenë në përdorim për publikun. Gjithashtu, Policia Bashkiake do të jetë në shërbim të banorëve për orientimin e trafikut dhe menaxhimin e situatës.

Tenori shqiptar, me famë botërore, Saimir Pirgu, do të performojë për herë të parë në Shkodër, në një koncert së bashku me Orkestrën Simfonike të Shkodrës dhe korin e fëmijëve të Qendrës Kulturore “Kujtim Alija”. Koncerti do të dirigjohet nga Elda Laro dhe do të moderohet nga aktorja Ema Ndoja.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›