E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trepça dhe Trepça '89 kërkojnë primatin në qytetin e minatorëve

Prishtinë, 21 gusht - Rikthimi i Trepçës '89 në Superligë ka rikthyer edhe derbin më të madh lokal të viteve të fundit në futbollin kosovar, atë të dy skuadrave mitrovicase me emrin Trepça. Rivaliteti mes Trepçës dhe Trepçës '89 ishte shumë i madh në edicionin 2008/09, kur këto dy skuadra garonin në Superligë. Edicionin e kaluar derbi mitrovicas mungoi, pasi Trepça '89 luajti në Ligën e Parë. Kjo mungesë i bëri mirë rivales lokale, Trepçës, që arriti të fitonte titullin e kampionit të Kosovës, të parin pas plot 17 vitesh. As Trepça '89 nuk mbeti pa titull. Ajo doli kampione në Ligën e Parë dhe u kthye në elitë.
Trepça '89 dhe Trepça do të takohen  mes vete të dielën në stadiumin "Riza Lushta" në kuadër të javës së dytë të Raiffeisen Superligës.
Mbrojtësi i djathtë i Trepçës '89, Lindrit Misini, vlerëson se futbolli kosovar në kampionatin e kaluar ishte i varfër pa derbin e Mitrovicës. Ai ka bërë të ditur se për ndeshjen e së dielës ekziston interesim shumë i madh në qytetin e minatorëve.
"Ndeshja po pritet me interesim shumë të madh sidomos në qytetin e Mitrovicës. Derbi i ka munguar Mitrovicës, por edhe futbollit kosovar në përgjithësi. Pa këtë derbi futbolli në Kosovë disi ishte më i varfër", deklaroi Misini.
"Ndeshja e së dielës do të vendosë se cila prej dy skuadrave e ka primatin në Mitrovicë. Ne e kishim deri në edicionin 2008/09, ndërsa në kampionatin e kaluar primatin e pati Trepça, që në fund doli kampione". 
Misini ka thënë se skuadra e tij është përgatitur maksimalisht dhe do të kërkojë fitore. Sipas tij më i rëndësishëm është fakti që pikët do të mbesin në Mitrovicë.
"Në qytet flitet shumë për derbi dhe interesimi është shumë i madh. Presim që stadiumi të jetë i stërmbushur me shikues. Përballë kemi kampionin dhe ne si skuadër jemi të motivuar maksimalisht", ka shtuar futbollisti mitrovicas.
Derbi mitrovicas është derbi i vetëm lokal në edicionin 2010/2011 të Superligës. Dy skuadra në Superligë ka edhe Prishtina, por në mes skuadrës së Prishtinës dhe asaj të Flamurtarit nuk ka ndonjë rivalitet të madh. Pas luftës derbi më i madh lokal ishte ai gjilanas në mes Dritës e Gjilanit. Ky derbi është ngjallur sërish, por këtë herë në Ligën e Parë.
Dy skuadrat mitrovicase kampionatin e kanë nisur me barazime. Trepça barazoi në shtëpi me Drenicën, ndërsa Trepça '89 si mysafire me Ferizajn.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›