Koncesionet, Berisha: Deklaratat e PS-së, ziliqare
TIRANË- Ziliqare, dashakeqe dhe trillime të pastra i ka quajtur sot kreu i qeverisë Sali Berisha deklaratat e vazhdueshme të opozitës për koncesionet në vend.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë, përqendruar në koncesionet për hidrocentralet dhe energjinë e rinovueshme, Berisha ka akuzuar opozitën për deklaratat e vazhdueshme kundër koncesioneve dhe kërcënimeve se nuk do të njohë asgjë sapo të vijë në pushtet.
Ne po i zhvillojmë kapacitet ujore të bazuar në iniciativën e lirë, duke mos shpenzuar asgjë nga buxheti i shtetit. Deklarata ziliqare, keqdashëse që kërcënojnë investitorët se nuk do njihen marrëveshjet, se po jepen ujërat me koncesione, këto janë shpifje dhe trillime të pandershme. E vërteta është se absurditeti i tyre fatmirësisht nuk është përfillur nga investitorët vendas e të huaj, që janë të ndjeshëm, por ndaj cështjeve që qëndrojnë dhe jo marrëzive- tha Berisha.
Sipas tij, nuk ka shqiptar që mund të votojë ata që thonë do kthejmë kohën mbrapa, ata që duan të privojnë shqiptarët nga pasuritë e tyre dhe vetë pushimet i kalojnë në krociera.