E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koncesionet, Prifti 45 minuta në Prokurori

TIRANE – Deputeti Dritan Prifti u paraqit dje në Prokurorinë e Tiranës së bashku me avokatin e tij, ku qëndroi për më se 45 minuta në zyrat e organit të akuzës. Rreth orës 13:10 Dritan Prifti me gjithë avokatin e tij Fatmir Brraka hyri në zyrat e Prokurorisë dhe qëndroi deri rreth orës 14:00. Sipas burimeve nga Prokuroria, Prifti ka pasur një takim me prokurorin e rrethit Sokol Malaj, por më shumë detaje rreth vizitës së deputetit në Prokurori nuk janë bërë të ditura. Një prej dosjeve në të cilat Dritan Prifti është konsideruar dëshmitar, është ajo e videos me ish-zv.kryeministrin Meta. Dosja për këtë çështje ndodhet në Prokurorinë e Përgjithshme, dhe jo në Prokurorinë e Tiranës. Shkaqet e paraqitjes së Dritan Priftit dje në Prokurorinë e Tiranës kanë mbetur të paqarta, pasi nuk ka pasur konfirmim nga asnjëra palë në lidhje me këtë vizitë. Në Prokurorinë e Tiranës megjithatë ndodhet një dosje e dytë, në të cilën ish-ministri i Ekonomisë, Drirtan Prifti, mund të jetë thirrur si dëshmitar. Është fjala për dosjen penale të hapur pas hetimeve të nisura kryesisht nga Prokuroria në lidhje me koncesionet e dhëna nga Ministria e Ekonomisë në lidhje me shfrytëzimin e burimeve natyrore të energjisë dhe karburanteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›