E Diel, 1 Nëntor 2026

Konf. e ambasadorëve,Berisha:Mund të zgjidhim ngërçin

Po zhvillohen punimet e Konferencës së Ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë të akredituar në botë.
Në fjalën e tij, Kryeministri Sali Berisha deklaroi se interesi kombëtar i shqiptarëve është integrimi europian. "BE përbën një projekt që ka nga shqiptarët mbështetjen më të madhe se çdo projekt tjetër", tha Berisha.
Kreu i qeverisë theksoi se Shqipëria ka shënuar progres të madh, duke veçuar zhvillimin e zgjedhjeve."Shqipëria zhvilloi zgjedhje të lira e të ndershme. Pa këtë mekanizëm, integrimi do ishte një horizont që largohej prej tyre. Pavarësisht debateve, asnjë qeveri, asnjë institucion nuk ka vënë në diskutim se shqiptarët në 28 qershor shprehën vullnetin e tyre lirisht. Prandaj ne nuk lejojmë prepotencën e opozitës", theksoi kryeministri.
Berisha tha se janë bërë propozime për dialog me opozitën. Ai pohoi se kjo nuk është një çështje mes tij dhe Ramës, pasi me të ka realizuar reformat më të thella në karrierën politike, por është çështja e respektimit të standardeve dhe të ligjeve të vendit. Berisha theksoi se vendi disponon të gjitha mundësitë për t'i dhënë përgjigjen e duhur situatës politike të brendshme. "Ne jemi të hapur për dialog. Janë bërë disa propozime, shumë prej tyre mund t'i jepen përgjigje përfundimtare. Nuk është çështja e një kundërshtie mes dy liderëve. Me liderin e opozitës kam ndërmarrë reforma më të thella në karrierë. çështja është qendrimi ndaj ligjeve, transparencës, standardeve të Kopenhagenit. Shqipëria ka të gjitha mundësitë për t'i dhënë përgjigje problemeve të brendshme politike", tha kryeministri.
Duke iu referuar ekonomisë, Berisha tha se do të ulet borxhi publik.
Kreu i qeverisë tha se vlerësonte qendrimin e BE ndaj Ballkanit. "Biem dakord me BE që nuk lejon importimin e konflikteve ne Ballkan", theksoi ai.
Sa i përket, Kosovës kryeministri i tha se aty është vendosur shteti i së drejtës. Qendrimi ndaj Kosovës, nënvizoi kryeministri nuk ndikon marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e tjera.

Ndërsa, në fjalën e tij, ministri Meta tha se Shqipëria tashmë është më pranë se kurrë BE-së. "Ne shumë shpejt do të fitojmë statusin e vendit kandidat. Progres i jashtëzakonshëm është bërë edhe me përmbushjen e kritereve për heqjen e vizave. Heqja e vizave do të bëhet realitet shumë shpejt", tha Meta. Ministri pohoi se prioritet i politikës së jashtme shqiptare është integrimi dhe anëtarësimi në BE.
Duke iu referuar Kosovës, Meta tha se njohjet vijojnë dhe do shtohen edhe më tej. "Diplomacia jonë është në bashkëpunim me SHBA, Britaninë, Gjermaninë e Francën për të ndihmuar Kosovën në sfidat e saj", pohoi Meta.
Sipas tij, Kosova duhet të konsolidojë shtetin demokratik dhe bashkëjetesën etnike. "Bashkëpunimi rajonal mund të jetë i plotë vetëm me pjesëmarrjen e të gjithëve", shtoi ai.
Meta nënvizoi se me Serbinë , Shqipëria ka qendrime të ndryshme për Kosovën. Ai nënvizoi se rezoluta e Serbisë në OKB për Kosovën ishte e nxituar dhe konfirmoi se Shqipëria nuk do paraqesë një rezolutë të njëanshme."Qendrimi ynë është i qartë se, mes Serbisë e Kosovës duhet të ketë dialog konstruktiv për përmirësimin e cilësisë së jetës pa dallim etnik. Ndjejmë keqardhje që Serbia pas shpalljes së opinionit të GJND paraqiti një rezolutë në OKB që për ne përmbën hap të nxituar. Shqipëria nuk ka në plan të paraqesë në mënyrë të njëanshme një rezolutë, por është në unison të plotë me përpjekje e SHBA-së që kërkojnë një rezolutë të mirëkonstruktuar që nuk sjell konflikte, por konsolidon paqen", deklaroi meta.
Megjithatë, Meta tha se Shqipëria ka një politikë të hapur dhe pa paragjykime ndaj Serbisë.
"Vizita ime në Beograd tregoi vullnetin tonë për zgjidhjen e problemeve përmes dialogut", shtoi Meta.
Sipas ministrit të jashtëm Meta, duhet rishikuar ligji për shërbimin e jashtëm.

Konferenca e thirrur nga Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta do zgjasë 2 ditë e marrin pjesë ambasadorët dhe kryetarët e misioneve diplomatike të Shqipërisë të akredituar në botë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›