E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferenca e 10-te nderkombetare te Bankes se Shqiperise

Në konferencën e 10-të ndërkombëtare të Bankës së Shqipërisë, Kryeministri Berisha ka rradhitur një sërë vlerësimesh për politikën monetare të ndjekur nga ky institucion. Sipas tij, sistemi bankar në këto 20 vite ka bërë progres madhor, si një institucion themelor për egzistencën e shtetit. Në vlerësimin e tij, bankat duhet të bëjnë gjithçka për të nxitur rritjen ekonomike, pasi sipas Kryeministrit bankat shqiptare janë leva e Arkimedit për të përballuar pasojat e krizës, për më tepër që ekonomia kërkon oksigjenin e nevojshëm.
“Bankat po përballojnë me sukses krizën e euro. Por megjithatë bankat duhet të ridimensionojnë më tej shërbimet, pasi Eurozona është e pllakosur nga kriza, e cila ëhstë afatgjatë. Për këtë arsye, duhen të ndërmerren strategji ndihmë për kufizimin e krizës dhe duhet bërë  gjithçka për të nxitur rritjen ekonomike”, vuri në dukje Berisha. 
Kreu i qeverisë u shpreh se në një kohë kur eurozona është e pllakosur nga kriza, duhet të gjenden strategjitë për kufizimin e krizës dhe nxitjes së rritjes ekonomike. Nga ana e tij, Guvernatori i BSH, Ardian Fullani duke bërë një panoramë reformave në vite, nënvizoi faktin se përmes analizës së këtij historiku del në pah se sistemi ynë bankar në sajë të këtyre reformave mundi t’i rezistojë krizës së madhe financiare.  "Pavarësisht nga jeta e shkurtër Banka Kombëtare e krijuar në 1913 është një gur themeli për ndërtimin e shtetit shqiptar. Ngjarjet që pasuan shpalljen e pavarësisë kanë luajtur një rol vendimtar duke përcaktuar edhe natyrën e politikës monetare. Zhvillimet historike në vitet 90 u bën sërish përcaktuese dhe modernizimi i politikave monetare bëri të mundur edhe krijimin e Bankës së Shqipërisë”, deklaroi Fullani.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani deklaroi gjatë fjalës së tij, se në kushtet aktuale, sistemet bankare në të gjithë globin përballen me sfidën e marrjes së masave ekstreme, për të shmangur krizat e borxhit.  “Bankat janë detyruar të marrin masa ekstreme, të cilat tejkalojnë kufijtë e imagjinuar të politikës. Çelsi i politikës ekonomike është ribalancimi afatgjatë përmes shkurtimit të borxheve. Ankorimi i së ardhmes fillon nga dita e sotme. Kriza aktuale ndodh kur harta ekonomike globale po ridimensionohet. Ta hapim një bashkëpunim të ri rajonal. Të lemë konkurrencën dhe të hapim rrugë bashkërendimit dhe bashkëpunimit financiar. Duhet të rrëzojmë barrierat”, theksoi Fullani.  Gjatë konferencës kombëtare të Bankës së Shqipërisë me temë “Politika monetare nga e shkuara drejt së ardhmes”,  guvernatori Fullani lajmëroi inaugurimin e qendrës logjistike në BSH, që do shërbejë edhe si qendër krediti për institucionet e tjera si motra.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›