Konferenca e Kryetarëve mblidhet sot për kalendarin 3-javor të Kuvendit
Konferenca e Kryetarëve pritet të mblidhet sot, nën drejtimin e kryetares Jozefina Topalli, për të shqyrtuar kalendarin 3-javor të punimeve të Kuvendit, në prag të fillimit të sesionit të ri parlamentar të hënën (3 shtator). Kryeparlamentarja Topalli, theksoi dje në konferencën për shtyp se në kalendar janë futur të gjitha projektligjet e sjella gjatë kësaj periudhe nga qeveria.
“Ka mbetur dhe është prioritare në punën dhe në axhendën parlamentare votimi i ligjit ‘Për Gjykatën e Lartë’, një ligj shumë i rëndësishëm. Me fjalë ishte pranuar se do të votohej nga opozita, pasi është një ligj që nuk kalon pa votat e saj, por që në sesionin e kaluar ajo e bllokoi dhe kjo e vështirëson vënien në zbatim të ligjit ‘Për Gjykatën Administrative’”, tha Topalli.
Në pritje të hapjes së sesionit të shtatë të legjislaturës së XVIII-të të Kuvendit, konferenca e kryetarëve, ku marrin pjesë kryetarët e grupeve parlamentare dhe nënkryetarët e Kuvendit, do të shqyrtojë kalendarin e punës për periudhën trejavore si dhe programin e punës deri në muajin nëntor 2012.
Kalendari trejavor dhe programi i punës do t’i kalohen për miratim seancës plenare të së hënës.