Kosova do të jetë kryefjala e aktivitetit tim, në përpjekjet për shtimin e njohjeve ndërkombëtare
E nderuar Zonja Presidente e Republikës së Kosovës,
I nderuar Zoti kryeministër,
I nderuar Zoti Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Të nderuar Deputetë,
Të dashur Qytetarë të Kosovës,
Shkëlqesi Ambasadorë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare,
Zonja dhe Zotërinj,
Pak kush ka nderin dhe privilegjin të flasë nga një foltore kaq e nderuar. Unë jam njëri prej tyre, veçanërisht me fat edhe për disa arsye të tjera: në ditët e para të mandatit tim si President i Republikës së Shqipërisë, në vizitën time të parë në këtë post shumë të nderuar dhe në këtë moment fatlum, kur Kosova është plotësisht sovrane dhe e pavarur, kam mundësinë e madhe të marr fjalën në Parlamentin e nderuar të Republikës së Kosovës dhe t’i drejtohem popullit të Kosovës me urimet më të përzemërta për begati dhe prosperitet.
Ju falënderoj ju, të nderuar deputetë, dhe Kryetarin Krasniqi, që ma bëtë këtë nderim, që përbën një moment kulmor, nga më emocionalët në jetën time. Përfitoj nga rasti, të falënderoj gjithashtu Presidenten e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga për ftesën e saj që ta vizitoj Kosovën dhe për pritjen e mrekullueshme që na është rezervuar.
Së pari, më lejoni që të përulem me nderim dhe respekt të veçantë për të gjithë ato gjenerata burrash dhe grash që me pushkë e penë kontribuuan në rilindjen e kombit shqiptar, lindjen e shtetit shqiptar, që sot mbush 100 vjet, mbajtjen gjallë të dëshirës për liri në Kosovë dhe çlirimin e saj.
Sot nderojmë plot krenari, një nga burrat më të mëdhenj të kombit shqiptar, Presidentin Rugova, njeriun që politikën paqësore e ktheu nga utopi në një mjet të fuqishëm për artikulimin e aspiratave të një populli për liri.
Sot përkulemi me mirënjohje të thellë dhe nderim të madh për Komandantin frymëzues Adem Jashari dhe për të gjithë luftëtarët dhe martirët, që, me sakrificën më sublime inspiruan një popull, dhe botës i treguan se për liri shqiptarët nuk njohin kufirin e flijimit.
Mirënjohje pa kufi për SHBA-të, BE-në dhe vendet aleate të NATO-s, që, bazuar në parimet e humanizmit dhe vlerat demokratike, vepruan pa hezitim dhe me forcë për të shpëtuar një popull paqedashës dhe liridashës nga kërcënimi i spastrimit etnik.
Vendimi i fundit i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën që i dha fund mbikëqyrjes së pavarësisë, certifikoi arritjet e mëdha të Kosovës brenda një periudhe kohore të shkurtër në konsolidimin e demokracisë, bazuar në ekonominë e tregut, ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe respektimit të të drejtave të njeriut, ndërtimin e një shoqërie multietnike dhe shndërrimit nga një kërcënim në një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon.
Tashmë hapet një kapitull i ri i funksionimit të Republikës së Kosovës si shtet plotësisht sovran dhe i pavarur, i cili ka të drejtë legale dhe morale për të kërkuar njohjen nga ato vende, që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë dhe meriton të zërë vendin e saj të merituar në familjen evropiane dhe institucionet ndërkombëtare.
Angazhohem solemnisht, para jush dhe popullit të Kosovës se gjatë mandatit tim presidencial, Kosova do të jetë kryefjala e aktivitetit tim, në përpjekjet për shtimin e njohjeve ndërkombëtare, pjesëmarrjen në nismat dhe forumet rajonale, mbështetjen e saj në rrugën e integrimit euroatlantik.
Ju, deputetët e Kuvendit të Kosovës, institucionet, shoqëria civile në Kosovë keni meritën që, Kosova ndonëse e re në moshë të mos konsiderohet e tillë falë pjekurisë së institucioneve të saj. Por, është koha, kur përgjegjësia e të gjithë faktorëve të mësipërm te Kosovës është shumë më e madhe.
Në një demokraci parlamentare, Parlamenti është zemra e demokracisë, kuvendi ku prodhohen ligjet, që vihen në themel të demokracisë dhe shtetit ligjor.
Mbetem thellësisht i bindur se ju do të vazhdoni të gjeni kurajën qytetare për tu ngritur mbi motivet politike dhe do të gjeni konsensusin e nevojshëm për çështje me interes kombëtar dhe në interes të qytetarëve të Kosovës. Me punën tuaj serioze dhe me përkushtim, ju do t’i shërbeni qytetarëve të Kosovës të çdo etnie dhe përkatësie fetare dhe do të shpërbleni bujarinë, ndihmën dhe përkrahjen e demonstruar nga, SHBA-të, BE dhe gjithë miqtë, e cila besoj se nuk do të mungojë as në të ardhmen.
Asnjëherë, nuk do të harrojmë të respektojmë sakrificat, vuajtjet, momentet e mbijetesës. Ata që u flijuan për liri dhe dinjitet. Përmes kësaj kujtese ne shikojmë drejt së ardhmes. Virtyti i shqiptarëve ka qenë dialogu, qasja për komunikim.
Ai mbetet mjeti më efektiv për zgjidhjen e problemeve mes fqinjëve dhe projektimit të së ardhmes së përbashkët euroatlantike.
Bazuar mbi këtë filozofi, Shqipëria mbështet bisedimet Kosovë-Serbi për çështje praktike, si dy shtete të pavarura dhe sovrane, mbështet vijat e kuqe të Qeverisë së Kosovës.
Marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen qartë, pa ekuivoke, sa më shpejt, me garanci ndërkombëtare, që të sigurojnë pjesëmarrjen e Kosovës në forumet rajonale e më gjerë.
Më lejoni të rikonfirmoj edhe një herë qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë se çështja e statusit të Kosovës dhe kufijve të saj është një çështje e mbyllur. Shqipëria mbështet plotësisht tërësinë territoriale të Kosovës në kufijtë e saj aktualë të njohur ndërkombëtarisht.
Fati i qytetarëve të Kosovës është i lidhur ngushtë me forcimin e demokracisë dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës, zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin e Kosovës. Duke fuqizuar shtetin e Kosovës qytetarët e saj garantojnë të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve te tyre.
Ne Shqiptarët kemi treguar se dimë të jetojmë në harmoni me fqinjët dhe kemi pasur një bashkëjetesë fetare historikisht harmonike. Për këto arsye, forcimi i faktorit shqiptar duhet parë jo si kërcënim, por thjesht si garanci për paqen dhe sigurinë në rajon.
Shqiptarët do të jenë së bashku në Bashkimin Europian.
Ne Shqiptarët, ndonëse të ndarë në disa shtete, kemi një rrugëtim të përbashkët, të vështirë, por vetëm me një alternativë, integrimin evropian.
Ne jemi së bashku në një betejë për të fituar kohën.
Kosova ka mundësinë të shfrytëzojë eksperiencën e Shqipërisë në procesin e liberalizimit të vizave, përafrimin ligjor me standardet evropiane, komunikimin me institucionet e BE-së, bashkëpunimin me NATO-n, etj.
Por, ajo mund të mësojë jo vetëm nga historitë e shumta të suksesit të Shqipërisë në procesin e integrimit euroatlantik, por edhe të mos përsërisë gabimet e saj.
Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës, bazuar në një vullnet të fortë politik dhe qytetar, po zhvillojnë një bashkëpunim të ngushtë vëllazëror. Ne kemi ndërtuar kryesisht një infrastrukturë moderne dhe një bazë ligjore të shëndoshë, që garanton lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, unifikimin e tregut dhe bashkëpunimin në të gjitha fushat. Mbetet të jemi më efektivë në shfrytëzimin praktik të këtyre aseteve.
Të nderuar Deputetë,
Ne po festojmë 100-vjetorin e themelimit të shtetit Shqiptar, një ngjarje që na mbush me emocione dhe na bën të bëjmë një bilanc historik.
Pavarësia e Kosovës, Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, lëvizja e lirë e qytetarëve në Shqipëri, arritjet në procesin e integrimit evropian, fillimi i procesit të integrimit euroatlantik të Kosovës janë gurë të rëndësishëm kilometrazhi jo vetëm gjatë njëqind viteve të fundit por në të gjithë rrugëtimin mijëravjeçar të kombit shqiptar.
Ne kemi potencialet e nevojshme dhe mbështetjen e duhur nga aleatët tanë për të shpejtuar kohën. Por, gjithçka bazohet në merita, pra në performancë. Jemi ne ata që kemi në dorë fatin tonë.
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Jam i bindur, se ju udhëheqësit e Kosovës, institucionet e vendit, intelektualët dhe të gjithë qytetarët e saj, pa dallim etnie apo besimi fetar do ta bëjnë këtë vend më të lirë, më demokratik dhe më të begatë ekonomikisht.
Do ta bëni këtë vend një nga kontribuuesit e rëndësishëm të paqes, stabilitetit, bashkëpunimit dhe hapësirave të lira për lëvizje dhe zhvillim.
Zoti e bekoftë Kosovën dhe qytetarët e saj.
Ju faleminderit!
* Fjala e mbajtur nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës
...