E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sesioni i ri i parlamentit – shansi i fundit që Rama të heqë barrikadën kundër statusit

31-08-2012 / Gazeta 55

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli i ka bërë thirrje opozitës, në nisje të sesionit të ri të Kuvendit që të mbështesë heqjen e imunitetit të politikanëve si dhe të miratojë Ligjin e ri për Gjykatën e Lartë. Mazhoranca i qendron nismës për mbajtjen e referendumit, ndërkohë që paralajmëron se qëndrimi bllokues për ligjet do ta bënte opozitën përgjegjësen e vetme, në rast se në vjeshtë s’do të vijë vendimi për marrjen e statusit të kandidatit

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u shpreh dje se mazhoranca është e vendosur t’i shkojë deri në fund nismës për heqjen e imunitetit me referendum Kushtetues. Në një deklaratë për mediat përpara fillimit të hapjes së sesionit të ri parlamentar më 3 shtator, Topalli bëri një përmbledhje të punës së Kuvendit gjatë sesionit të kaluar, debateve dhe ligjeve më të rëndësishme të miratuara, ndërsa komentoi disa nga çështjet më sensitive të aktualitetit politik.
Duke u ndalur specifikisht te heqja e imunitetit për deputetët dhe zyrtarët e lartë, kryetarja e Kuvendit nënvizoi se mazhoranca është e vendosur në arritjen e këtij qëllimi, pavarësisht praktikave të bllokimit që instrumentalizoi opozita seancën e 6 gushtit.
Sipas saj, mosmiratimi i heqjes së imunitetit nga ana e opozitës ka si synim bllokimin e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.
“Për ne rëndësi kapitale ka heqja e imunitetit dhe jo rrugët e heqjes se tij, ne do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore dhe kushtetuese për heqjen e imunitetit, për të arritur një Shqipëri pa imunitete. Kjo nuk është iniciativë për kapital politik, është nismë e hershme. Topi i ka mbetur në rrjetë zotit Rama. Ai ka një histori që fillon nga 2003, me iniciativën e PD-së që nuk u pranua nga PS”, deklaroi Topalli.
Gjithashtu, kryetarja e Kuvendit njoftoi për hapjen e sesionit të ri parlamentar, vjeshtë 2012, ku një ndër pikat më të rëndësishme do të jetë votimi i projektligjit për Gjykatën e Lartë. Për të cilin ftoi opozitën ta votojë si një ndër reformat për sistemin e drejtësisë.
Sot mblidhet Konferenca e kryetarëve dhe janë futur në kalendarë të gjitha projektligjet që kanë ardhur nga qeveria, ku prioritet ka votimi i ligjit për Gjykatën e Lartë, miratimi i të cilit vë në zbatim ligjin për Gjykatën Administrative.
Në vazhdim Kryeparlamentarja ju përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve.
 
A ka kohë mazhoranca që të bëjë një kthim pas le të themi në kohë duke pasur parasysh që kreu u Partisë Socialiste thotë që çështja e referendumit për imunitetin është si një lojë pa top kur palët janë të gjitha dakord për heqjen e imunitetit dhe kjo gjë mund të diskutohet shumë mirë në parlament duke përfshirë edhe paketën e drejtësisë që ofron Partia Socialiste apo mund të votohet për t’i dhënë një shans të fundit thotë Edi Rama çështjes së statusit dhe a mund të kthehet Partia Demokratike pas duke pasur parasysh që nuk ka as aprovimin e Partisë Socialiste për Integrim aleate në qeverisje për referendum për imunitetin?
Unë ju falënderoj shumë për pyetjen. Topi i ka mbetur në rrjetë në fakt zotit Rama. E ka në rrjetë prej disa kohësh. E vërteta është se ka një histori të iniciativave për heqjen e imunitetit. Histori që fillon që nga 1.4. 2003. Një iniciativë e deputetëve të Partisë Demokratike për heqjen e imunitetit që kurrë nuk u pranua nga mazhoranca në atë kohë. Një iniciativë tjetër e datës 29.08 2005 përsëri iniciativë e deputetëve të Partisë Demokratike, një projektvendim për heqjen e imunitetit të deputetëve dhe për ndjekjen penale, por që përsëri nuk u pranua nga opozita. Iniciativa e tretë është e 2007-ës përsëri e deputetëve të mazhorancës. Kjo është e dyta që kur Partia Demokratike erdhi në pushtet. Dy iniciativat e para u ndërmorën kur ajo ishte në opozitë, ajo e 2003 dhe 2005-ës. Pastaj është përsëritur në shtator-tetor të 2005-ës e refuzuar dhe bllokuar përsëri nga Partia Socialiste. E pesta është iniciativa e paraqitur në 2012-ën, përsëri e mazhorancës, e vendosur dhe koherente në qëndrimin e vet për të hequr imunitetet. E diskutuar për një vit e gjysmë më EURALIUS dhe PACA-n. Kur kjo u diskutua Partia Demokratike pranoi propozimin e opozitës për heqjen e imuniteteve përmes ndryshimit të Kushtetutës. Partia Demokratike pranoi kërkesën e Partisë Socialiste për  të marrë variantin e PACA-s dhe EURALIUS. Partia Demokratike pranoi përsëri kërkesën e opozitës për ta marrë dhe për të ndryshuar Kushtetutën, për të marrë variantin e PACA-s dhe EURALIUS-it dhe përsëri opozita refuzoi hapur vetë propozimin e saj. Ajo pranoi ndryshimet dhe amendamentet e tjera të sjella nga zoti Majko dhe diskutimet e tyre në negociatat mes zotit Majko dhe zotit Paloka. Ndoshta nuk e besonin se mazhoranca do të pranonte të gjitha propozimet e tyre dhe në momentin që u pranua edhe amendamenti i fundit i ardhur, i shkruar nga vetë Partia Socialiste ata përsëri refuzuan që ta votojnë. Unë nuk kam as më të voglin dyshim se bllokimi i 6 gushtit kishte për qëllim që të bllokonte statusin. Por një gjë për ne është fondamentale dhe kjo tregohet përmes të gjithë historikut të zhvillimeve që nga koha kur PD ishte në opozitë dhe deri më sot. Për ne rëndësi kapitale ka pasur dhe ka heqja e imunitetit dhe jo rrugët e heqjes së tij. Prandaj dhe ne kemi qenë dhe jemi të vendosur për të ndjekur të gjitha rrugët ligjore dhe kushtetuese për arritjen e qëllimit, që është heqja e imunitetit. Një Shqipëri  pa imunitete. Ky është qëllimi ynë. Sigurisht kjo nuk është shtruar për të marrë kapital politik. Asnjëherë! Kjo është një iniciativë që fillon më 2003-in, që përsëritet më 2005-ën, kur PD ishte në opozitë; që ripërsëritet në shtator të 2005 kur PD vjen në mazhorancë; që ripërsëritet në 2007; që rihapet edhe një herë sipas variantit të opozitës në vitin e kaluar; që formalizohet në parlament; që kalon përmes të gjitha procedurave dhe në fund më 6 gusht e bllokon përsëri. Ne kemi vetëm një qëllim. Një Shqipëri pa imunitet. Për ne rëndësi kapitale ka heqja e imunitetit dhe jo rrugët e heqjes së tij prandaj kemi qenë dhe jemi të vendosur për të ndjekur të gjitha rrugët ligjore dhe kushtetuese për arritjen e këtij qëllimi, heqjen e imunitetit. 
 
Ju dhe të tjerë përfaqësues të mazhorancës vazhdimisht e lidhni referendumin me marrjen e përgjigjes për statusin që në fakt është më 12 tetor të këtij viti dhe tejkalohet kur referendumi i nisur nga ana e mazhorancës do t’u drejtohet qytetarëve për të hequr imunitetin. Kjo gjë sipas opozitës do t’i jepte më shumë kohë  për të diskutuar paketën e saj në drejtësi. Pra cili do të ishte efekti i heqjes së imunitetit përmes referendumit, përderisa e tejkalon afatin e datës së progres -raportit të këtij viti? Së dyti, duket se referendumi,  të paktën sipas disa konstitucionalistëve, ka disa probleme për shkak të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2008, sipas të cilit duhet së pari të merret miratimi me 2/3 të votave dhe më pas të mund të çohet te qytetari për votë popullore?
Në fakt kjo pyetje përmban tre nën-pyetje brenda vetes. Për sa i takon vendimit të Gjykatës Kushtetuese ajo i referohet nenit 107, që ka lidhje me shfuqizimin e një ligji për një iniciative nga 50.000 qytetarë. Në fakt nuk jemi në këtë rast. Jemi në rastin e nenit 150 të Kushtetutës. Kjo është njëra. E dyta: është e vërtetë që është depozituar një iniciativë e opozitës për ndryshime kushtetuese. Parlamenti ka procedurat e veta. Detyra ime si Kryetare e Parlamentit është të ndjek me rigorozitet respektimin e të gjithë procedurave që parashikon Rregullorja dhe Kushtetuta në një rast të tillë, ndërsa çështja e imunitetit është një çështje e ndarë nga të gjithë këto, sepse është një proces i filluar me ndryshime kushtetuese ku vetë opozita është përfshirë thellësisht, ka bërë amendamentet e saj pavarësisht se pastaj nuk ka votuar draftin e saj. Dua të përsëris edhe një herë: nëse fondamentale, nëse kapitale për ne ka qenë dhe mbetet heqja e imunitetit dhe jo rrugët e tij, edhe zgjedhja jonë në funksion të saj ka qenë dhe mbetet për të ndjekur të gjitha rrugët ligjore dhe kushtetuese që çojnë në realizimin e këtij qëllimi. Pra, heqjen e imunitetit. Dhe kjo është ndershmëri, është vendosmëri dhe kjo tregon vullnet të fortë politik.
 
Opozita gjithashtu ka bërë një tjetër akuzë, atë për vonesat në shpalljen e vendit vakant të Kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Cila është e vërteta? A është vonë që Kuvendi të shpallë këtë vendi vakant?
Në lidhje me pyetjen që ju shtroni mund të them që ligji hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në fletoren zyrtare. Nëse nuk gaboj ai është botuar në fletoren zyrtare më datën 17 pra hyn në fuqi më datën 2 shtator. Në momentin që ligji hyn në fuqi sigurisht që Kuvendi i Shqipërisë në respekt të Kushtetutës dhe të ligjit të Kodit Zgjedhor të miratuar me konsensus edhe në Parlament në website-in e tij, por edhe në gazeta dhe në mjete të tjera informuese do të hapin konkursin për aplikimet. Sigurisht që është një proces i hapur, një proces transparent dhe të gjithë ata qytetarë që plotësojnë kriteret e parashikuara në ligj kanë të drejtë të hyjnë në konkurs dhe të përfshihen në procesin e parashikuar në Kodin Zgjedhor.
 
...Më lejoni të riformuloj po këtë pyetje: Çfarë parapërgatitjesh po bën Parlamenti për të mirëpritur një numër të madh të kaq shumë aplikantëve për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve? Çfarë kriteresh dhe cili komision do t’i shqyrtojë kaq shumë aplikime? Do të dëgjohen apo jo në një seancë dëgjimore kaq shumë aplikantë?
Ju falënderoj për pyetjen...Në momentin që hyn në fuqi ligji dhe n.q.s hyn më datën 2 shtator, më datë 3 shtator hapet konkursi. Uroj që të ketë një numër sa më të madh sepse procesi është shumë i hapur, është transparent, kriteret janë të përcaktuara me ligj, komisioni i përhershëm parlamentar i përcaktuar në procesin e seleksionimit dhe të përzgjedhjes është Komisioni i Ligjeve. Sigurisht që do të ketë seancë dëgjimore, sigurisht që do të merren në konsideratë CV-të e tyre, dosjet, eksperienca e tyre dhe do të jenë ata pastaj që në bazë të nenit përkatës të ligjit të Kodit Zgjedhor për mënyrën e seleksionimit do të avancojnë deri në arritjen e zgjedhjes së kryetarit të KQZ-së.
 
Seancat dëgjimore do të bëhen në Komisionin e Ligjeve?
Ligji e përcakton që seancat dëgjimore do të bëhen në Komisionin e Ligjeve.
Të hënën më datën 3 shtator nisim sesionin e shtatë të Kuvendit të Shqipërisë dhe do të jemi përsëri së bashku.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›