E Diel, 1 Nëntor 2026

Konferenca e Kryetarëve rrëzon kërkesën e PD për mocion me debat per protesten

Konferenca e kryetareve  rrëzoi kërkesën e PD për mocion me debat lidhur me kërkesat e protestuesve dhe raportin e Parlamentit Europian. Mosdakordësia për çështjen bën që tashmë fati i saj t’i mbetet seancës plenare.

Për mazhorancën, kërkesa e PD lidhur me protestën nuk është legjitime sepse “nuk e njeh si përfaqësuese” të tubimit.Taulany Balla  tha se gjithashtu janë ndryshuar kërkesat e protestuesve dhe e vetmja pikë që i bashkonte ishte dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

“U kam vënë në dukje se janë aq të paaftë saqë kanë transformuar edhe kërkesat e protestuesve. Po t’i merrje kërkesat që kishte sjellë opozita, vetëm numri ishte i njëjtë dhe vetëm pika e parë e kërkesës ishte e njëjta. Dorëheqje dhe opozita kishte sjellë nja 4 halle të veta. Unë dhe kolegët e mi, ia kemi vërë të qartë se nuk e njohim si parti përfaqësuese të protestës.”, u shpreh Balla.

Ndërsa për PD, qëndrimi i mazhorancës shfaq injorim të qytetarëve nga Kuvendi, kurse kërkesat janë rrëzuar pa argument.“Është fakt i njohur botërisht që protesta e qytetarëve shqiptarë ka marrë vëmendjen e disa parlamenteve europiane. Ka marrë vëmendjen e eurodeputetëve në seancën e fundit të PE. I vetmi parlament në rruzullin tokësor që s’i ka kushtuar vëmendje, është parlamenti i Shqipërisë. Të tria kërkesat janë rrëzuar sot pa argument dhe me fjalët se po bëjmë zëdhënësin e protestuesve”, tha Bardhi.

Në Konferencën e Kryetarëve, shefi i grupit parlamentar të PS sfidoi opozitën për të dorëzuar mocion mosbesimi për qeverinë.“Mblidhni 28 deputetë, sillni kërkesën për mocion mosbesimi, me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, duhet të sjellësh edhe kandidatin për kryeministër, e sillni dot Saliun si kandidat për kryeministër”, tha Balla.

Deklaratën e tij e adresoi Gazment Bardhi para gazetarëve.“Aksionet e grupit të PD në kuvend nuk i sugjeron Balla, e vetmja gjë që sugjeron Balla është të miratojë ligj për t’i dhënë favor Artur Shehut dhe grupeve kriminale në vend”, tha Bardhi.

Megjithatë, një rrugë e hapur duket për diskutimin e raportit të PE. Pas akuzave të opozitës për tërheqje mbrapsht nga disktuimi, Balla tha se kërkesa e PD “duhet të riformulohet sipas rregullores”, gjë që mund të sillte një zgjidhje për palët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›