E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferenca e PS, Basha: Pazar me pronat në bregdet. Rama: Transformim rrënjësor vendit

TIRANE- Kryetari i Partisë Demokratike, njëherësh kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha ka reaguar sot në lidhje me konferencën që pritet të organizojnë nesër Partia Socialiste, "Shqipëria e Gjeneratës Tjetër".

Kjo konferencë që sipas kryeministrit të zgjedhur Edi Rama do fokusohet tek një kapitull i ri për territorin dhe ekonominë, për Bashën nuk është gjë tjetër, veçse ndarje e tortës në mënyrë okulte, sidomos e pjesëve të çmuara të vendit siç është bregdeti, shprehet Basha.

“Kryesocialisti ka thirrur disa arkitekte të huaj me të cilët ka punuar e qarkulluar konkurse në Bashki dhe ka përjashtuar në bllok të gjithë ekspertët e mirëfilltë shqiptarë. Dhe ka dy ditë që punohet me dyer të mbyllura për çfarë mendon të bëjë në pjesët më të çmuara të vëndit. Sidomos bregdetit. Po ndahet torta në mënyrë okulte. Pushteti lokal është jashtë loje. Në rend të ditës grabitja e pronave të bregut dhe stimulimi i bizneseve të fshehta që financuan në fushatë”, shprehet Basha.

Sipas Bashës, konferenca e nesërme është thjesht një fasadë, pasi sipas tij, pazaret tashmë janë bërë.

“Po e bën këtë pa asnjë plan e proçes transparent. Konferenca nesër është vetëm fasadë. Pasi pazaret u bënë dje dhe sot. Por gjenerata e re e shqiptarëve nuk mund ta pranojë pazarin me të ardhmen në emër të interesave të së shkuarës”, përfundon komenti i tij në profilin e Facebook. 

MESAZHI I GABUAR I RAMES
Por pak minuta pasi kryebashkiaku Basha postoi mesazhin e tij për konferencën e Partisë Socialiste e cila nis nesër, një tjetër postim ka ardhur nga kryesocialisti Rama.

Në profilin e tij në Facebook, por edhe në Twitter menjëherë janë postuar prej tij dy iniciale H dhe V, nuk dimë nëse ka qënë një reagim i kryetarit i nënkuptuar përmes dy inicialeve.

Në reagimet e ndjekësve të profilit të tij, kuptohej se bëhej fjalë për një mesazh të shkruar gabimisht, e njejta gjë që thuhet dhe nga zyra e shtypit të kryeministrit të zgjedhur. Mesazhi është fshirë Brenda 3 apo 4 minutash.

RAMA: TRANSFORMIM RRENJESOR VENDIT
Në ditën e dytë të turit njohës nëpër Shqipëri, arkitektët dhe urbanistët e ftuar nga Partia Socialiste për të marr pjesë në Konferencën "Shqipëria e Gjeneratës tjetër" janë ndalur në disa nga zonat informale si në Paskuqan, Kamëz dhe zonën e ish-kënetës në Durrës. Specialistë të fushës së urbanistikës i kanë njohur miqtë e huaj me historikun e krijimit të këtyre zonave, si dhe problematikat e mprehta që kanë ato në një proces që tashmë ndodhet midis legalizimit dhe urbanizimit të tyre.

Më tej turi ka vijuar në amfiteatrin antik të Durrësit, por dhe në bregdetin e qytetit. Të shoqëruar edhe nga Kryeministri i zgjedhur Edi Rama, arkitektët dhe urbanistët e huaj kanë parë me sytë e tyre situatën në të cilën ndodhen këto dy zona mjaft të rëndësishme për zhvillimin e turizmit. Ata kanë shkëmbyer mendime të vlefshme me Kryeministrin e zgjedhur Rama, por edhe me ekspertët që i shoqëronin për mënyrat se si mundet që këto pika nevralgjike të transformohen rrënjësisht në funksion të rikthimit të vlerave të tyre të vërteta, për t’i kthyer ato në një industri që do të prodhojë punësim dhe mirëqenie.

Në përfundim të vizitave të qytetin e Durrësit, kryeministri i zgjedhur, Edi Rama në një prononcim për mediat u shpreh:
“Një Konferencë për territorin dhe ekonominë; Një hapësirë diskutimi me arkitektë, urbanistë, artistë dhe ekonomistë, financierë, menaxherë, ku do të ballafaqojmë ide, do të marrim opinione, sugjerime. Do të vendosim një kontakt që synon të jetë i vazhdueshëm në funksion të një transformimi rrënjësor të atyre potencialeve të mëdha që Shqipëria i ka si dhuratë, nga Zoti apo nga natyra, por që në gjithë këto vite janë dëmtuar në mënyrë shumë të ndjeshme dhe kërcënuese për të ardhmen. Padyshim, një nga prioritetet e vitit të parë do të jetë goditja pa asnjë kompromis ndaj gjithë atyre zhvillimeve që kanë dëmtuar territorin duke filluar nga bregdeti. Por, njëkohësisht, edhe nisja e punës intensive për një zhvillim harmonik, të qëndrueshëm, ekonomik, social dhe urban në funksion të një turizmi, i cili nuk mund të bazohet më në shifra të sajuara, apo duke u ngushëlluar me prurjet që vijnë natyrshëm drejt bregut, por që duhet të kthehet në një industri për të prodhuar punësim dhe të mira materiale”.

(m.a/BalkanWeb)
Lidhje te tjera Konferenca për territorin, Rama: Prioritet goditja e dëmtuesve të territorit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›