Konferenca e PS, Olldashi: Ekspertët ishin klientët e vjetër të Ramës
Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, reagoi në lidhje me konferencën Shqipëria e Gjeneratës tjetër, të organizuar nga Partia Socialiste përgjatë dy ditëve. Në reagimin e tij, Olldashi i cilësoi ekspertët e thirrur nga PS si klientë të Ramës në kohën kur ky ishte në krye të Bashkisë së Tiranës.
Deklarata
Duke ju referuar disa prej ekspertëve të pranishëm në këtë konferencë, Olldashi bëri publike tenderat dhe konkurset e fituara prej tyre nga Bashkia e Tiranës kur ajo drejtohej nga Edi Rama. Pra kemi të bëjmë me një rreth të mbyllur, një rreth influence që, sikurse ju tregova, shfaqet herë si konkurrent, herë si anëtar jurie dhe herë si fitues. Thënë ndryshe, ky është thjesht rrethi i klientëve të vjetër të z. Rama si Kryetar Bashkie që po thirret në forcë për pushtetin e ri, tha Olldashi.
Propozimet
Në vijim të deklaratës së tij, Sokol Olldashi u ndal tek disa prej propozimeve të bëra në konferencën, Shqipëria e Gjeneratës tjetër. Duke folur për propozimin për Piramidën, Olldashi ironizoi duke thënë se Rrëshqitjet janë gjithnjë nga lart-poshtë. Nuk ka rrëshqitje nga poshtë-lart. Për më tepër, aty rrëshqitet prej vitesh dhe nuk kishim nevojë për dhjetë ekspertë që të na tregonin atë që kalamajtë e Tiranës e dinë prej dekadash, u shpreh Olldashi. Më tej, ministri në detyrë i Transporteve u ndal edhe tek propozimi i bërë nga ekspertët për ish-vilën e diktatorit, Enver Hoxha. Së pari, duhet të imagjinojmë se çmund të prodhojë mendja e Edi Ramës, nëse e mbyllim për tre muaj, sikurse propozohet, në ish-dhomën e gjumit të Enver Hoxhës. Së dyti, e kemi shumë të vështirë të identifikojmë një të dytë që do të ishte i gatshëm të izolohej tre muaj me të. Na mbetet të pyesim një herë Koçon, meqenëse është edhe si punë filozofi. Përfundimisht e gjithë konferenca sikurse e shihni është një takim klientësh, është një rithirrje në punë e klientëve të vjetër të bashkisë së Z. Rama. Se çfarë i bënë këta klientë Tiranës e keni parë, sesi e kanë ndarë këta klientë Tiranën, sesi po përgatiten ta ndajnë këta klientë Shqipërinë nesër, merreni me mend vetë, përfundoi Olldashi.
Braçe: Olldashi të japë llogari për privatizimet dhe vjedhjet e qeverisë
Deputeti socialist, Erion Braçe, i është përgjigjur akuzave të ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi. Në rrjetin social Facebook, Braçe shkruan se ministri në detyrë duhet të japë llogari për privatizimet dhe shitjet që ka bërë qeveria e tij, sidomos gjatë periudhës së fundit. Unë mendoj se ministri në detyrë Sokol Olldashi duhej të përgjigjej për: Koncesionimin e terminalit të konteinerve në portin e Durrësit. Koncesionimin e terminalit të trageteve në portin e Durrësit. Shpërbërjen përfundimtare të portit të Durrësit si një ndërmarrje publike dhe dorëzimin e tij në duar privatësh klientë ekonomike. Rritjen e tarifave të shërbimit në portin e Durrësit. Nivelin e borxheve të marra për rikonstruksionin e portit të Durrësit dhe të shpjegojë se kush do ti paguajë këto borxhe. Rritjen e tarifës së shërbimit të kolaudimit të automjeteve me të paktën 10%, pa arsye e në kushtet e një shërbimi mizerabël, por monopol, shprehet Braçe. Deputeti socialist ka kërkuar llogari nga Olldashi edhe nën cilësinë e deputetit të Qarkut të Fierit. Unë mendoj se deputeti i rizgjedhur Sokol Olldashi, në cilësinë e deputetit në qarkun Fier, duhej të përgjigjej për: Dhënien nga Qeveria ku ai është në detyrë të lejes për rishitjen e ARMO-s pa patur fare parasysh interesin publik dhe të punëtoreve. Dhënien me koncesion nga Qeveria ku ai është në detyrë të 9 vendburimeve të fundit të naftës dhe gazit në këtë Qark pa marrë parasysh interesin publik dhe të punëtoreve. Shpërbërjen përfundimtare të kompanisë Albpetrol si ndërmarrje prodhimi pa patur parasysh interesin publik dhe të mbi 3500 punëtoreve atje. Shitjen brenda parkut kombëtar të Divjakës prej Qeverisë të objekteve turistike, pronë e bashkisë Divjakë, ne shkelje të ligjit dhe pa patur parasysh interesin publik, thotë deputeti socialist. Sipas tij, në vend të këtyre shpjegimeve, Olldashi doli si një komisar komunist dhe zbuloi grupin armiqësor. Në vend të shpjegimeve dhe përgjigjeve për këto çështje, ministri i qeverisë së mundur në zgjedhje doli sot para mediave njësoj si komisarët e diktaturës dhe zbuloi grupin armiqësor në urbanistikë që kishte ardhur në Tiranë- thelbin e Evropës për art, kulturë e pasuri, për të vjedhur bashkë me Edi Ramën, e mbyll reagimin e tij Braçe.