Qeveria lë pa drita e ujë jetimët, ska lekë as për pagesat e invalidëve
Jeta e vështirë e jetimëve që banojnë në dhoma konvikti me nga 10 vetë. Rrëfehet banori: Jetoj me 30 mijë lekë në muaj, dua të punoj, më thonë je moshë e madhe
Financat e shtetit tonë kanë rënë përtokë, aq sa qeveria në detyrë nuk ka lekë as për të paguar faturat e dritave dhe të ujit për jetimët, e për të mos shtuar këtu edhe vonesat në pagesat e personave me aftësi të kufizuara. Këta të fundit kanë dy muaj që nuk janë paguar, ndërkohë që jetimët të cilët jetojnë prej vitesh në ish Shkollën e Rezervave në Tiranë kanë 3 javë pa drita e ujë, duke rrezikuar edhe përhapjen e ndonjë epidemie si pasojë e papastërtive mes të cilave po jetojnë.
Situata
Banorët e konviktit të ish Shkollës së Rezervave, aktualisht Qendra Rezidenciale Nr.4 e Jetimëve, gëzojnë që të gjithë statusin e jetimit, çka u jep të drejtë të përfitojnë nga shteti drita e ujë falas, por edhe të drejta të tjera që nuk iu janë plotësuar kurrë. Ndërprerja e dritave së fundmi, nuk është rasti i parë dhe as i vetmi problem në jetën e tyre. Shumë herë të tjera ka ndodhur kështu, dhe këtë herë shkëputja e energjisë është bërë nga CEZ pasi nuk janë paguar faturat e muajve të fundit, që është përgjegjësi e Shërbimit Social Shtetëror dhe Ministrisë së Punës. Vetë familjet e pastreha dhe jetimët në moshë madhore (mbi 18 vjeç) që jetojnë në këtë godinë thonë se kanë pasur takime me përfaqësues të Ministrisë, por një zgjidhje konkrete nuk i është dhënë problemit. Në këto kushte të vështira jetese, mes mjerimit dhe papastërtive çka mund të bëhet edhe burim sëmundjesh e epidemie, jetimët janë gati të nisin dhe përshkallëzojnë protestat.
Jetimët
Florim Ismailaj, një prej banorëve jetimë të konviktit në fjalë ndërsa denoncoi në media problemin e dritave tha se ata kanë vite që jetojnë në këto kushte. Askush nuk po na jep zgjidhje. Para 3 muajsh erdhi vetë ministri Ksera këtu, e pa se në çfarë kushte skandaloze jetojmë dhe ajo çka na tha ishte: Akoma këtu jeni, ju nuk duhet të ekzistoni këtu, duhet të kishit ikur nga këtu. Po ne ku të shkojmë, skemi as shtëpi, as punë; asgjë skemi. Tani mbetëm edhe pa drita, edhe pa ujë, kemi kërkuar shpjegime në ministri dhe na kanë thënë se tani drejtorët janë me pushime, tha F.Ismailiaj.
Instituti i jetimeve
Edhe Ilir Çumani, drejtor i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, ka mbështetur kauzën e tyre, duke i bërë publikisht apel Ministrisë së Punës që të zgjidh problemin, e në rast të kundërt, çështja do tju komunikohet institucioneve ndërkombëtare: Do i përshkallëzojmë protestat nëse Ministria nuk reagon, këta banorët rrezikojnë epideminë, edhe pse këtu epidemia më e madhe është shurdhëria e institucioneve tona që nuk krijojnë kushte për këta jetimë. Ne do të kontaktojmë me institucionet ndërkombëtare pasi shteti ynë na ka mbyllur dyert. Këta persona janë lënë pa banesa; pa punë, e së fundmi pa ujë e pa drita, tha Ilir Çumani, drejtor i Institutit Kombëtar të Jetimëve
Banorët
Dritat janë vetëm maja e ajsbergut, e problemeve të shumta të tyre. Nëse futesh në një nga dhomat e godinës ku jetojnë, përveç rrëmujës dhe mobiljeve të vjetra e të thyera që të shohin sytë, të duhet të ndalësh edhe frymëmarrjen për të mos ndier aromën e keqe që është krijuar aty brenda nga mungesa e ujit dhe pastrimit. Ata thonë se janë detyruar të lahen me ujë të ftohtë, të paktën trupin, por nuk kanë më se të gatuajnë; ushqime të thata nuk blejnë dot se skanë para, ndaj dhe bëjnë apel për ndihmë. Të papunë; të pastrehë, të sëmurë, ata përballen çdo ditë me mjerimin, duke u mjaftuar vetëm me 30 mijë lekë të vjetra në muaj asistence sociale. Kujtim Nikshiqi, një prej banorëve të ish/shkollës se Rezervave, sot 53 vjeç thotë se gjendja është skandaloze: Prej vitesh jetoj në një dhomë konvikti, jemi 10 vetë në këtë dhomë, unë kam 23 vjet pa punë, jetoj vetëm me 30 mijë lekë të vjetra asistencë, hamë bukë me djath, me domate dhe me qep, çtë hamë tjetër me kaq lekë. Tani kemi ngelur dhe pa drita e pa ujë, vjen erë e keqe, rrezikohemi të sëmuremi nga papastërtia. Unë kam kërkuar punë te zyrat e punqs por më thonë: je moshë e madhe ti, je 53 vjeç, nuk ka punë për ty. Unë vërtet nuk jam me universitet por jam ende i fuqishëm dhe dua të punoj,. Qendra rezidenciale e fëmijëve jetimë nr. 4 në Tiranë gjendet pranë shkollës së mesme Besnik Sykja dhe Vasil Shanto në Tiranë. Në këtë godinë jetojnë 50 familje, por në një situatë të tillë të pashpresë jetojnë edhe 400 jetimë të tjerë në të gjithë vendin.
Ministria e Punës në borxh me CEZ
Borxhi i krijuar prej vitesh ndaj kompanisë CEZ e ka detyruar këtë të fundit që bashkë me institucione të tjera shtetërore t’u ndërpresë energjinë elektrike edhe konviktit ku jetojnë një grup jetimësh në Tiranë. Personat që gëzojnë statusin e jetimit përfitojnë kujdes nga shteti, nga Ministria e Punës, deri në moshën 18-20 vjeç. Pas kësaj moshe ata duhet të strehohen dhe punësohen nga shteti, dhe në mungesë të plotësimit të këtyre detyrimeve Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale i ka sistemuar këta persona në qendrën e formimit profesional numër 4 në Tiranë. Lidhur me energjinë elektrike në konviktin e jetimëve, Ministria e Punës nuk i është përgjigjur kompanisë CEZ në shlyerjen e detyrimeve për institucione në varësi të saj duke krijuar një debi prej vitesh, ndaj dhe kjo e fundit ka prerë energjinë elektrike dhe rrjedhimisht në këtë godinë mungon edhe uji i pijshëm.
Invalidët dy muaj pa pagesa, reagon Avokati i Popullit
Rreth 150 mijë persona me aftësi të kufizuar në të gjithë vendin janë ankuar pranë Institucionit të Avokatit të Popullit, se nuk kanë marrë pagesat sociale prej dy muajsh. Lidhur me gjendjen e vështirë ekonomike në të cilën po jeton kjo kategori personash, ka reaguar dje Institucioni i Avokatit të Popullit, i cili e quan këtë një problem të përsëritur. I bëjmë apel Ministrisë së Punës dhe Ministrisë së Financave të realizojë menjëherë delegimin dhe çeljen e fondeve për këto pagesa. Personat me Aftësi të Kufizuara, dhe të drejtat e tyre përbëjnë një nga misionet më të rëndësishme të institucionit të Avokatit të Popullit. Ata janë pjesë e rekomandimit 11, të përcaktuar nga BE për Shqipërinë, dhe në këtë kontekst por jo vetëm, zhvillimet në legjislacionin dhe politikat për personat me aftësi të kufizuara, si dhe zbatimi i tyre, kanë qenë objekt i diskutimeve, vlerësimeve dhe rekomandimeve të institucionit te Avokatit t Popullit, tha dje para mediave Arben Shkëmbi, ndihmëskomisioner pranë Avokatit të Popullit.