E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha dhe Kryeministrit Leterme

- Leterme: Brenda vitit 2010 pritet heqja e vizave për shqiptarët.

Pas takimit, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Leterme nënshkruan marrëveshjen mbi transferimin e personave të dënuar. Ndërsa ambasadorja e Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës z. Mimoza Halimi nënshkroi me Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë së Belgjikës z. Alain Bourlet protokollin e bashkëpunimit ndërmjet ministrive të Drejtësisë së të dy vendeve.

Më pas, dy kryeministrat dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp:

Kryeministri Leterme: Mirëdita zonja dhe zotërinj,

Ishte një kënaqësi për mua që takova Kryeministrin, dhe mund të them mikun, Sali Berisha, Kryeministrin e Shqipërisë, pas takimit tonë të fundit në shkurt në Tiranë, ta takojmë njëri- tjetrin këtu në Bruksel. Mendoj se sot patëm një diskutim të frytshëm, shkëmbim pikëpamjesh, kryesisht mbi integrimin evropian të Shqipërisë, por gjithashtu për disa çështje të rëndësishme rajonale dhe bilaterale.

Në këtë fushë diskutuam marrëdhëniet bilaterale dhe progresin që po bëjmë sot përsa i përket nënshkrimit të dy marrëveshjeve shumë të rëndësishme. Së pari marrëveshja mbi transferimin e personave të dënuar dhe një protokoll bashkëpunimi midis dy ministrive tona të Drejtësisë. Të dy kemi besim se ne mund të vazhdojmë të fuqizojmë marrëdhëniet tona bilaterale, midis Shqipërisë dhe Belgjikës në të ardhmen e afërme. Hapat vijuese mund të jenë nënshkrimi i një marrëveshje mbi sigurimet shoqërore dhe një marrëveshje mbi personelin konsullor dhe diplomatik. Normalisht ne kemi vijuar të flasim, ne shpresojmë që në kohën më të shkurtër të kemi përfunduar negocimet përsa i përket nënshkrimit të një marrëveshjeje.

Sigurisht kemi diskutuar integrimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe gjithashtu disa çështje rajonale.

Se pari për sa i përket integrimit në Bashkimin Europian, shfrytëzoj rastin të theksoj sërish se Belgjika është plotësisht në favor të integrimit në Bashkimin Evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi dhe në veçanti për integrimin e Shqipërisë në BE.

Ne diskutuam hapat e ardhshme për konsiderimin e aplikimit të Shqipërisë për anëtarësimin në BE dhe udhërrëfyesin e Shqipërisë për liberalizmin e vizave.

Ne nga ana jonë këmbëngulëm shumë në rëndësinë e funksionimit të institucioneve, veçanërisht në respektimin e Shtetit Ligjor dhe adoptimin e reformave kyçe legjislative dhe do të inkurajonim të gjitha partitë politike të mbështesin iniciativën e fundit të liderëve të grupeve parlamentare për të dalë nga stanjacioni politik brenda parlamentit në Tiranë.

Mbi çështjet rajonale, ne diskutuam rolin shumë pozitiv të luajtur nga Shqipëria në promovimin e bashkëpunimit rajonal. Sigurisht ne shkëmbyem pikëpamje mbi opinionin së fundmi, këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi deklaratën e pavarësisë së Kosovës. Në theksuam dhe ramë dakord që procesi i dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, të cilin ne po e promovojmë, do të jetë një faktor për paqe, siguri dhe stabilitet në rajon dhe do të doja të përsërisja çfarë është thënë nga Lady Ashton, të enjten e kaluar : “BE është gati të fasilitojë këtë proces dialogu”.

Gjithashtu diskutuam disa çështje të lidhura me prezencën dhe punën e OSBE-së në rajon dhe në Shqipëri. Ne si qeveri e Belgjikës mbështesim kandidaturën e Shqipërisë për Kryesimin e Radhës së së OSBE-së në 2014.

Kryeministri Berisha: Faleminderit zoti Kryeministër, pikësëpari dua t’ju falënderoj nga zemra për ftesën, për mikpritjen që keni treguar ndaj meje dhe ndaj delegacionit tim. Jam gjithashtu i gëzuar të theksojë se marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë të shkëlqyera.

Vizita juaj ishte një kontribut i madh për marrëdhëniet tona bilaterale. Në marrëdhëniet tona ne kemi një kuadër të shkëlqyer ligjor, i cili është çuar më tej me anë të dy marrëveshjeve të nënshkruara sot, si dhe ne jemi të gatshëm të nënshkruajmë çdo lloj marrëveshjeje, e cila do të forcojë bashkëpunimin midis Mbretërisë së Belgjikës, këtij vendi miqësor në të gjitha fushat.

Dy marrëveshjet e nënshkruara kanë të bëjnë kryesisht me bashkëpunimin midis Ministrisë së Drejtësisë dhe kthimin e të burgosurve shqiptarë, të cilët janë në burgjet belge. Por ne jemi të gatshëm të nënshkruajmë dhe të zbatojmë çdo lloj marrëveshjeje, e cila e bën më të suksesshme luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër trafikimit dhe që inkurajon investimet dhe forcon bashkëpunimin ekonomik.

Jam gjithashtu shumë mirënjohës ndaj qeverisë belge dhe këtij vendi për mbështetjen e përhershme ndaj aspiratave dhe përpjekjeve shqiptare për integrimin euro-atlantik.

Belgjika e mbështeti plotësisht anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe ka një pikëpamje të shkëlqyer rreth perspektivës së Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

Por, siç e theksova gjatë drekës, unë akoma do të insistojë, se në gjykimin tim, në këndvështrimin tim, procesi i integrimit të Shqipërisë duhet të jetë plotësisht i bazuar në performancë. Kjo është në interesin jetësor të qytetarëve shqiptarë. Asnjë komb nuk e mbështet më shumë integrimin e vendit të vet, si shqiptarët. 96% e tyre mbështesin integrimin në Bashkimin Evropian.

Kjo do të thotë, se çdo punë e vështirë duhet bërë, në mënyrë që të ndërtojmë idealin e tyre evropian. Dhe kjo duhet ndërtuar nëpërmjet praktikave, standardeve, kritereve për të cilat qeveria ime qëndron vendosmërisht e bindur.

Ka pasur një qëndrim të adoptuar nga opozita gjatë këtij viti, qëndrimi i qeverisë shqiptare ishte në respekt të plotë për opozitën, si dhe në respekt të plotë më shtetin ligjor dhe kushtetutën e vendit. Parlamenti Evropian ka votuar një rezolutë, jam shumë i kënaqur që kam rastin t’i konfirmojë Kryeministrit si dhe miqve të mi në Parlamentin Evropian në të dyja anët; në grupet e qendrës së majtë dhe qendrës së djathtë, se jam gati ta implementojë shkronjë për shkronjë, dhe është një dokument shumë serioz. Duhet të theksoj se një Kryeministër kurrë nuk mund ta drejtojë opozitën.

Ne gjithashtu folëm për çështjet e rajonit. Unë mbështes plotësisht gjithashtu, deklaratën e Baroneshës Ashton. Unë mendoj, në atë qëndrim ka një platformë të vërtetë politike për Prishtinën dhe Beogradin, për të parë drejt të ardhmes së tyre evropiane. Për sa i përket Shqipërisë, ne jemi të vendosur të punojmë për bashkëpunim miqësor dhe të mirë me Beogradin. Unë pres në të ardhmen, Presidentin Tadiç të vij në Tiranë, po ashtu dhe unë do të vizitoj Beogradin.

Ne gjithashtu inkurajojmë Prishtinën të flasë dhe të fillojë negociatat për shumë probleme, por sigurisht jo statusin. Unë besoj se vendimi i GJND-së ishte një kontribut shumë i madh për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Edhe njëherë shumë faleminderit për mikpritjen tuaj zoti Kryeministër. Ndihem shumë i nderuar dhe sërish shumë faleminderit për ftesën dhe mikpritjen tuaj !

Më pas, dy Kryeministrat iu përgjigjën interesit të medias:

Pyetje: Me informacionin që keni, mendoni se liberalizimi i vizave do të ndodh gjatë presidencës suaj dhe statusi i vendit kandidat për Shqipërinë për integrimin në BE është një prioritet. A është Shqipëria në rrugën e duhur?

Kryeministri Leterme: në mendoj përsa i përket pyetjes së fundit se shumë hapa janë marrë, shumë reforma janë realizuar dhe ky është një zhvillim i mirë. Pavarësisht kësaj, ekziston problemi i situatës aktuale politike. Ne e diskutuam këtë me Kryeministrin Berisha dhe unë mendoj se ky problem meriton akoma vëmendje dhe do të luajë një rol të rëndësishëm në vlerësimet e Komisionit Europian në përpilimin e opinionit në nëntor dhe ne inkurajojmë lidershipin dhe qeverinë e Shqipërisë për të gjetur një zgjidhje për problemin. Shumë iniciativa janë ndërmarrë së fundmi gjithashtu në kuadër të aktiviteteve të Parlamentit Evropian dhe zoti Berisha është i angazhuar të shmangë impaktet negative të situatës, në shanset e Shqipërisë për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian.

Përsa i përket liberalizimit të vizave, Belgjika është plotësisht e angazhuar për liberalizimin e vizave në favor të qytetarëve shqiptarë. Në maj 2010 Komisioni ka formuluar një propozim për Këshillin e Parlamentit Europian, që paraqiste se elementet e fundit, të mbetura të udhërrëfyesit ishin trajtuar në mënyrë të suksesshme. Siç e dini ka pasur një mision teknik në Shqipëri, që ka investiguar le të themi në terren, tani po presim për raportin e atij misioni teknik. Ne shpresojmë se raporti do të jetë pozitiv, kështu që procedura legjislative e procesit, e ashtuquajtura procedura e vendimit që çon në lëvizjen pa viza të finalizohet në muajt e ardhshëm. Dhe unë personalisht shpresoj që kjo të bëhet e mundur brenda Presidencës belge të Bashkimit Evropian.

Pyetje: Së pari për të burgosurit, për sa të burgosur po flasim në këtë moment në Belgjikë, dhe në lidhje me liberalizimin e vizave, çfarë sigurish prisni dhe çfarë keni marrë deri tani për të parandaluar flukset e azilkërkuesve shqiptarë?

Kryeministri Leterme: Përsa i përket transferimit të të burgosurve do t’ia jap fjalën pas pak sekondash zotit Bourlet... Lidhur me çështjen e dytë më lejoni të theksoj edhe njëherë se e gjithë procedura e vlerësimit të plotësimit të kritereve nga qeveria shqiptare është e bazuar në meritë dhe kështu udhërrëfyesi duhet ndjekur dhe ne do të shohim si do të jetë raporti i misionit teknik që ishte atje gjatë muajve të fundit. Siç është rasti i Serbisë dhe i Maqedonisë, që le të themi me këtë eksperiencë, më këto dy raste, ne do të shohim me shumë kujdes çfarë do të ndodhë në momentin që do të vendoset liberalizimi i vizave.

Sigurisht unë po mbështetem në vullnetin e mirë politik, dhe jam i sigurt se vullneti i mirë politik i kolegut tim Berisha do të shmang fluksin e befasishëm të qindra njerëzve që do të keqpërdornin mundësinë e dhënë nga liberalizimi i vizave.

Mbi çështjen e të burgosurve, ne kemi 93 shqiptarë në burgjet tona.

Pyetje: Kur prisni t’i ktheni?

Kryeministri Leterme: Sa më parë që të jetë e mundur.

Kryeministri Berisha: Vetëm një moment, lidhur me liberalizimin e vizave, ne po menaxhojmë një fushatë PR shumë intensive për qytetarët tanë, për t’u shpjeguar atyre se çfarë do të thotë kjo.

E dyta ne kemi krijuar një strategji të tërë për ata që do të ri-atdhesohen, sepse ata mund të kenë menduar se mund të qëndrojnë më gjatë. Komisioni kërkoi disa kushte dhe ne po i përmbushim të gjitha ato.

Pyetje: Zoti Berisha po e paguajmë ne mbështetjen e presidencës belge duke nënshkruar këtë marrëveshje, dua të them duke marrë 93 të burgosur të rrezikshëm, dhe së dyti ju folët rreth kandidaturës shqiptare për në BE, do të doja të dija a është në interes të qeverisë shqiptare të ketë një opinion negativ, të publikuar nga Komisioni këtë nëntor, ose për ta shtyrë atë për vitin tjetër?

Kryeministri Berisha: Marrëveshja që nënshkruam sot nuk ka absolutisht të bëjë, është një koincidencë me presidencën e Belgjikës, kjo është e vërteta dhe marrëveshje të tjera do të nënshkruhen me tej. Dhe nëse shihni arkivat me këtë vend ne kemi, unë mendoj, një prej kuadrove ligjorë më të plotë për bashkëpunim. Tani ne do të kemi edhe nga vende të tjera, po negociojmë, kjo është një politikë.

Përsa i përket Komisionit Europian, ne kemi marrëdhënie shumë të hapura, transparente me Komisionin Europian, është një institucion me të cilin ne punojmë në mënyrën më transparente, ata bëjnë punën e tyre, ne bëjmë punën tonë.

Ne nuk mund t’i shtyjmë ata të zhvendosin ose të mos zhvendosin, axhendën e tyre. çfarë është e rëndësishme, qeveria ime është plotësisht e angazhuar për të mbajtur dhe konsoliduar kriteret e Kopenhagenit.

Qeveria ime është plotësisht e angazhuar, në kuadër të rezolutës se Parlamentit Evropian, ta implementoj atë. Siç i thashë, dhe siç them, një gjë është e sigurt, që çfarëdo që të bëj nuk mund të drejtoj opozitën, është sovrane, duhet të marrë vendimet e saj.

çfarëdo vendimi që të marrë jam i detyruar ta respektoj. Si Kryeministër jam i detyruar të mos tregoj arrogancë kundrejt tyre, të marrin pjesë në komisione, t’ju jap mazhorancën, t’ju jap Kryesinë, të pranoj të gjitha amendamentet e tyre përsa i përket zgjedhjeve të ardhshme, por kjo është çfarë kërkoi rezoluta e Parlamentit Evropian dhe jam gati ta implemetojë atë.


29/07/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›