E Diel, 1 Nëntor 2026

Mblidhet Komiteti ndërinstitucional për masat kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit

Kryeministri Berisha thirri sot mbledhjen e Komitetit ndërinstitucional për masat kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit. Në hapje të mbledhjes, Kryeministri Berisha bëri një analizë të masave të marrë në këtë drejtim, përmbushjes së detyrimeve dhe parashtroi detyrat kryesore, ku duhet të përqendrohet veprimtaria e institucioneve të përfshira në këtë luftë, në të ardhmen.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Kjo mbledhje është thirrur për të analizuar ecurinë e përpjekjeve në luftën kundër krimit të organizuar. Duhet të kemi të qartë se ky Komitet, institucionet që janë të mbledhura këtu, kanë dhe do të kenë si detyrë më kryesore adaptimin e tolerancës zero ndaj krimit të organizuar. Do të ishte shumë e gabuar në qoftë se ne do të shkrehnim sado pak, duke e lidhur me vizat, këtë veprimtari, e cila duhet të njohë vetëm rritje dhe konsolidim.

Lufta kundër krimit të organizuar, bashkërendimi i kësaj lufte, përpjekja e përbashkët e institucioneve nuk ka dhe nuk mund të ketë objektiv më kryesor, sesa sigurinë e jetës, pronës, veprimtarisë së qytetarëve shqiptarë, nuk ka dhe nuk mund të ketë objektiv më kryesor shtypjen e krimit me të gjitha mjetet ligjore.

Natyrisht, vendosja e regjimit të heqjes së përkohshme të vizave për 90 ditë, shton edhe më shumë këtë obligim, por kjo mbetet një detyrë permanente e të gjitha institucioneve të zbatimit të ligjit në Shqipëri. Kjo mbetet edhe një përparësi më madhore e qeverisë, e cila, në funksion të saj, është dhe mbetet e vendosur t’u garantojë të gjithë mbështetjen e nevojshme këtyre institucioneve, për t’u përballur me sukses me këtë luftë.

Duhet të jemi të vetëdijshëm se rezultatet shumë të mëdha, evidente, të arritura, ndryshimi rrënjësor i situatës krahasuar me pesë vite më parë, serish nuk është pasqyruar në opinionin publik europian, i cili ende ka në mendjen e tij kronikat e zeza të mediave të tyre për bosët mafiozë shqiptarë, apo librat e shkruar lidhur me grupet kriminale shqiptare. Unë sapo jam kthyer nga Belgjika, do të thosha në një vizitë të shkëlqyer. Aty, një gazetare më pyeti se si do t’ia bëni, pasi vendi juaj ka një reputacion të keq për krimin. Natyrisht, iu përgjigja duke i thënë se kjo ishte një e shkuar që ju keni në mendje. Dhe faktikisht, ajo gazetare nuk është e vetme, ka edhe shumë të tjerë që në mendje kanë këto kronika. Ndaj, ne duhet të luftojmë me vendosmëri të madhe krimin e organizuar dhe të promovojmë këtë luftë.

Në këtë periudhë janë marrë disa hapa shumë të rëndësishëm. Konsideroj jashtëzakonisht të rëndësishëm memorandumin e nënshkruar midis Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë së Përgjithshme, Ministrisë së Financave për të shqyrtuar problemet e përbashkëta. E një rëndësie të veçantë është një lloj ujdie që është arritur midis Prokurorisë së Përgjithshme dhe Drejtorisë së Luftës Kundër Pastrimit të Parave, për të qartësuar më tej kriteret dhe përpjekjet e përbashkëta në këtë luftë.

Përpjekje serioze janë bërë në rrafshin legjislativ edhe për mbrojtjen e dëshmitarëve. Mbrojtja e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë ka një rëndësi të jashtëzakonshme në suksesin e luftës kundër krimit të organizuar. Udhëzimet po elaborohen më tej, por ne duhet t’i kushtojmë një rëndësi shumë të madhe këtij sektori. Natyrisht, mbi bazën e kritereve të caktuara do të jetë Prokuroria, ajo që përcakton personat që meritojnë këtë mbrojtje, por përpjekje më të mëdha se deri më sot duhet të bëhen, në mënyrë që këta persona të kenë të garantuara ato që meritojnë për dëshmitë që bëjnë.

Po ashtu, parlamenti miratoi një ligj shumë të rëndësishëm, ligji për policinë gjyqësore. Unë mendoj se është e domosdoshme që të bashkëpunohet me Prokurorinë për zbatimin e tij. Ky ligj duhet të ngrejë punën e policisë gjyqësore dhe punën e policisë në tërësi në një nivel të ri. Duhet të organizohen trajtime, të njihet policia me ligjin dhe të gjitha risitë që sjell të shfrytëzohen në drejtim të konsolidimit të punës së saj.

Kemi një çështje që duhet t’i japim zgjidhje, çështjes së statistikave. është normale që policia të ketë statistikat e veta, prokuroria të ketë statistikat veta dhe gjykatat ato të vetat, të cilat nuk mund të jetë të njëjta, sepse veprimet e policisë, në një mënyrë apo tjetër, detyrimisht do të vlerësohen nga prokuroria dhe kjo nuk do të thotë se çdo veprim i ndërmarrë nga policia është një veprim që ka tërë të vërtetën brenda, sikundër veprimet dhe hetimet e prokurorisë do të vlerësohen në mënyrë të pavarur nga gjykata. Ne duhet të kemi një mekanizëm të qartë që të paraqesë dhe të shpjegojë statistikën, në mënyrë që statistika e ndryshme të mos mund të përdoret si dëshmi e një kaosi, kur nuk është e tillë. Natyrisht, në këtë statistikë ka një të vërtetë, se në rast se tejkalohet çdo lloj raporti dhe bëhet shumë shproporcional, vetëkuptohet se kjo kërkon të ndalesh në të. Në qoftë se një institucion ka diferenca shumë të mëdha me tjetrin, atëherë duhet parë se ku qëndron dhe drejtuesit e institucioneve të ulen e t’i shqyrtojnë. Statistika duhet të jetë ajo që është, por me interpretimin e duhur. Kjo punë ka filluar dhe është bërë shumë, pasi nuk ka pse statistika të përdoret për keqinterpretim. Sigurisht do të ketë diskordancë, p.sh, tjetër del statistika e prokurorisë, pasi prokuroria nuk mundet që çdo nisëm të policisë ta quajë të vlefshme, apo gjykata të pranojë gjithçka që i çon prokuroria, pasi edhe gjykata ka të drejtën e saj dhe gjykon sipas ligjit që ushtron.

Gjithashtu, qeveria ka miratuar një seri vendimesh përsa i përket pronave të konfiskuara, por ka shumë rëndësi zbatimi me rigorozitet i këtyre vendimeve. Janë bërë të gjitha përpjekjet për të bërë ndryshimet e duhura, sidomos në polici, në mënyrë që të përshtatemi me kërkesat.

Një problem po del gjithnjë e më shumë si problem kryesor jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për mbarë Europën dhe botën, ai i larjes së parave. Pas 11 shtatorit, çështja e larjes së parave është bërë çështje kryesore në luftën kundër krimit të organizuar. Ka një qëndrim amerikan të konceptit të larjes së parave dhe një koncept evropian, të cilat janë shumë të përafërt, por gjithsesi dallojnë diçka nga njëri tjetri. E vërteta është se kusht themelor për të luftuar terrorizmin dhe krimin e organizuar është të ndjekësh paratë e tyre, para se ato të kthehen në asete të tjera. Ka një rritje të punës në këtë drejtim, ka një Agjenci, e cila ka si mision direkt këtë çështje, por kapacitetet e policisë duhet të rriten dhe trajtohen, pasi kjo do të jetë çështja më kryesore, gjatë kohërave që vijnë dhe kjo jo vetëm për ne, por është europiane dhe botërore. Tendenca për të përfshirë në larje parash ekziston edhe për kontrabandën, edhe për evazionin. Ne kemi Kodin që kemi dhe ligjin dhe do t’i përmbahemi këtij Kodi. Në tërësi ka rritje pune. Po t’i referohemi statistikës, në qoftë se 3-4 vjet më parë rastet e denoncuara nga Agjencia numëroheshin me gishta, sot janë me dhjetëra e dhjetëra. Por zoti Doçi, kjo punë duhet të vijë në rrije. Duke shprehur vlerësimin tim për punën që keni bërë, sërish ne jemi të gatshëm të mbështesim konsolidimin e kapaciteteve të Agjencisë për t’u përballur, pasi kjo është një çështje jashtëzakonisht jetike. Ashtu, siç keni arritur në një ujdi me prokurorinë, jeni ulur e keni përcaktuar një platformë bashkëpunimi, këtë duhet ta bëni edhe me policinë e shtetit, mbi bazën e kritereve të qarta. Unë gjykoj se rezultatet do të jenë gjithnjë e më të mëdha. E theksoj edhe një herë se gradualisht, kjo do të shndërrohet në çështjen më themelore. Unë kam mesazhet e qarta në këtë pikë, nuk është specifike për Shqipërinë, por për të gjithë Europën, SHBA-të janë më të avancuara, e kanë konceptim më të gjerë, sesa vendet europiane. Të bashkëpunohet ngushtë me doganat dhe tatimet. Ky memorandum që është nënshkruar midis Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Financave dhe Prokurorisë së Përgjithshme duhet të mishërohet në një veprimtari konkrete, të vazhdueshme. Me nismën e prokurorisë janë në shqyrtim rreth 50 çështje që përfshijnë harkun kohor nga 2007 e gjer më sot, për asete krimi dhe kjo është shumë pozitive. Në të vërtetë, Gjykata e Krimeve të Rënda i ka vendosur sipas ligjit rastet e dërguara.

Komitetit i shtohet si veprimtari edhe çështja e të rikthyerve, e cila përbën edhe kjo një problem. Për fat të keq, kjo ndodhi me shqiptarët. E organizuar apo jo, këtë nuk mund ta them, por ata që kërkuan azial, pas liberalizimit të vizave me Maqedoninë e Serbinë, ishin shqiptarë. Tani, është normale që prozhektorët të drejtohen drejt nesh. Do të hiqen vizat, por pyetja e tyre është si do reagojnë qytetarët shqiptarë. Për këtë, është bërë një fushatë promovuese, gjykoj shumë e mirë, por është e domosdoshme që kjo fushatë të jetë më intensive. Të mos mendojmë se kombet e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, në rast se do t’u kërkohej të votonin për heqje vizash, do të votonin në favor. Asnjë prej tyre nuk do të votonte për heqje vizash. Këtë e bëjnë qeveritë, në vullnetin më të mirë dhe konceptin më të drejtë për lirinë e lëvizjes dhe respektin ndaj qytetarëve shqiptarë. Po të bëhej me referendum, vizat nuk do të hiqeshin, sepse ka ndrojtje se mos u shtohet kriminalitet dhe ndrojtje të tjera. Ndaj dhe ne duhet të bëjmë çdo gjë, që momenti i vendimit të pritet me dinjitet nga shqiptarët. U është thënë se qindra e mijëra mund të nisen, madje edhe 1 milion, por që sigurisht janë gënjeshtra. Sidoqoftë, bazuar edhe në strategjinë e trajtimit të të rikthyerve, pasi në mënyrë absolute çdokush do të rikthehet, përtej 90 ditëve nuk do të mund të qëndrojë në asnjë vend, ne duhet të përgatisim më tej të gjitha kapacitetet. Kjo strategji, që në një farë mënyrë u personalizua me shqiptarët, duhet të jetë funksionale për çdo rast, ndonëse kam besim të plotë që me këtë promovim që po bëhet dhe fushatë mediatike shumë të qartë nuk do të ketë probleme dhe nuk do të mund të krijohen probleme.

Dua të ndalem edhe në një çështje tjetër. Ende nuk janë përfundimtare të dhënat për mbjelljen e kanabisit, por një përpjekje paraprake shumë serioze është bërë. Megjithatë, zoti Ministër i Brendshëm dhe zotërinj të policisë, e kam theksuar dhe e theksoj se ligji duhet të veprojë mbi të gjithë ata që mbjellin kanabis. E vërteta është se arrestohen më shumë shoferë që transportojnë, sesa kultivues. Kjo praktikë duhet të marrë fund. Edhe kultivuesit, edhe kryetarët e komunave, edhe kryeplaku, që të gjithë të vendosen para ligjit. Kërkesave të autoriteteve vendore për kontrolle duhet t’i përgjigjeni me përparësi. Një ditë po ndiqja nënprefektin e Pukës, i cili thoshte se ka dyshime, atëherë strukturat e rendit duhet të çojnë helikopterët dhe mjetet për të kontrolluar me hollësi. Puka është një nga rrethet me sipërfaqe të madhe të terrenit të thyer, si ajo ka edhe rrethe të tjera dhe duhen bërë kontrolle intensive. Autoritetet vendore duhet të denoncojnë. Nëse gjendet në territorin e tyre kanabis, ata duhet të vendosen para ligjit. Kjo është rruga më e sigurt për zbulimin dhe parandalimin e mbjelljes së tij, sepse gjer tani janë arrestuar shoferë, është arrestuar edhe një kryeplak në Pukë dhe është bërë shumë mirë, por ka edhe kryepleq të tjerë, të cilët duhet të përballen me ligjin për këtë çështje.

Këto ishin çështjet kryesore që doja të trajtoja. Ju keni marrë një raport të hollësishëm për këto çështje, me të gjithë gamën e veprimtarive, e cila është e bollshme dhe e suksesshme, por, natyrisht, është një veprimtari në vazhdim. Unë mendova të mblidhemi periodikisht dhe në mënyrë të pavarur nga procesi i vizave. Natyrisht, nuk mund të them se ky proces nuk ka pasur vlerësimin maksimal nga ju dhe ka qenë shumë normale që të vlerësohej i tillë, por krimi i organizuar përbën objektivin kryesor të luftës dhe përpjekjeve tona për ligjin dhe zbatimin e tij."


30/07/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›