Kryeministri Berisha niset për një vizite zyrtare në Mbretërinë e Belgjikës
Kryeministri Berisha u nis sot, me ftesë të Kryeministrit Yves Leterme, për një vizitë zyrtare njëditore në Mbretërinë e Belgjikës.
Kryeministri Berisha do të pritet nga homologu i tij z. Yves Leterme, me të cilin do të zhvillojë fillimisht një takim tete a tete. Më pas, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Leterme do të nënshkruajnë marrëveshjen “ndërmjet Mbretërisë së Belgjikës dhe Republikës së Shqipërisë mbi transferimin e personave të dënuar” dhe do të japin një konferencë të përbashkët për media.
Gjatë vizitës në Bruksel, Kryeministri Berisha do të pritet në takim nga Presidenti i Dhomës së Përfaqësuesve z. André Flahaut dhe zv/presidenti i Senatit z. Armand De Decker. Në përfundim të takimit Kryeministri Berisha do të firmosë në librin e artë të Parlamentit.
Kryeministri Berisha do të pritet në një takim të veçantë edhe nga kryetari i Bashkisë së Brukselit z. Freddy Thielemans.
29/07/2010