Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha
Sot në mesditë, Kryeministri Berisha dha një konferencë për shtyp lidhur me masat e marra dhe vëmendjen e plotë të qeverisë ndaj situatës së krijuar nga rastet e para të pandemisë së virusit A (H1N1) në Shqipëri. Kryeministri bëri fillimisht një deklaratë dhe më pas, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.
Në deklaratën e tij, Kryeministri u shpreh:
"Jam sot këtu për një çështje e cila ka të bëjë me pandeminë e gripit të derrave, një pandemi e deklaruar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila ka arritur edhe në Shqipëri. Të gjitha të dhënat epidemiologjike që kanë të bëjnë me përhapjen, faktojnë se përhapja e këtij gripi është forma më e shpejtë se e të gjitha formave të tjera pararendëse. Por, faktojnë gjithashtu se shumica dërrmuese e rasteve janë forma të zbutura, janë jo agresive, ndonëse në raste të veçanta nuk përjashtohen edhe rastet me një agresivitet më të madh. Në disa laboratorë po bëhen përpjeke të mëdha për prodhimin e vaksinës. Provat e para të saj janë bërë ditë më parë në Australi. Por për përdorim masiv, besohet se do të jenë të gatshme në shtator.
Qeveria e ka ndjekur me një intensitet dhe me një vëmendje të veçantë problemin e epidemisë së gripit te derrit. Ajo disponon mijëra e mijëra doza tamiflu, ilaçe që presupozojnë të kenë efekte pozitive mbi virusin dhe natyrisht qeveria është e gatshme të importojë të gjithë sasinë e nevojshme me stabilizues që do të duhen për të kuruar të sëmurët me këtë formë gripi.
Organizata Botërore e Shëndetësisë sugjeron së fundi se është e panevojshme të merremi me statistikat e përhapjes. Duket se ky konkluzion del për shkak të përhapjes shumë të shpejtë të këtij gripi. Ajo sugjeron përqendrimin kryesor në vizitat dhe trajtimin e rasteve. Kjo nuk do të thotë që individët duhe të përpiqen t’u shmangen grumbullimeve të mëdha, por e vërteta është se kjo është sëmundja e grumbullimeve. Nuk është në shkolla, por është në plazhet, në qendrat e ushqimit, etj.
Sidoqoftë, mendoj se nuk ka as edhe një arsye serioze, të veçantë, për ndonjë lloj dramatizimi. Është një formë gripi shumë larg agresivitetetit të formave siç ishte sarsi, apo siç ishin disa forma të viteve të shkuara. Sapo vaksina të bëhet disponibël dhe shpresoj që shtatori të jetë muaji që dozat e saj të kormecializohen, ne do të blejmë të gjithë sasinë e nevojshme për të vaksinuar grupet dhe popullatën për të cilat rekomandohet vaksina.
Ky ishte qëllimi im i daljes para jush. Dua të përgëzoj të gjitha autoritetet zyrtare, të cilët e kanë ndjekur që në shfaqjet e para të rasteve të gripit të derrave në vende të tjera, deri në ardhjen e tij në Shqipëri. Flitet se janë katër raste, por për shkak të formave të lehta të tij, mund të jenë edhe shumë më tepër. Por duket se këtë pandemi, e zbuten faktorë të ndryshëm gjatë rrugës së saj dhe nuk ruajti virulencën e fillimit dhe do të shkojë drejt valës së saj. Unë do të pranoja sot pyetje në këtë konferencë por vetëm rreth cështjes së gripit të derrave, pasi kjo është një temë e vecantë që ju e keni trajtuar gjerësizsht në mediat tuaja, që në rastet e para që u shfaqën, me origjinë nga Meksika dhe deri tek rastet e studentit, i marinarëve filipinas, apo dhe i rasteve të tjera që eventualisht janë shfaqur në Shqipëri".
Pyetje: Përflitet se nuk ka më fonde për investime për shkak të një vendimi tuajin që keni marrë dje. Do të thotë kjo që qeveria ka hequr dorë nga të gjitha planifikimet për tenderat, i ka anulluar ato. Cili është komenti juaj?
Kryeministri Berisha: Çdo vit pa përjashtim në muajin shtator apo tetor ne kemi ndërprerë tenderimet jo për mungesë fondesh, por i kemi ndërprerë ato për të shmangur tenderimet vjeshtuke të cilat janë si puna e vjeshtukëve. Nuk ka asnjë arsye që autoritet kontratuese duke patur disponibël fondet që në muajin janar, ti shtyjnë ato për vjeshtë. Arsyet janë tërësisht burokratike. Mbi këtë praktikë ne çdo vit kemi ndaluar prokurimet në muajin shtator apo në muajin tetor sipas rastit. Siç e dini në muajin shtator një qeveri tjetër nis nga puna. Unë nuk mund të them se kjo qeveri që vjen sapo të instalohet ka të gjitha kapacitet për të ushtruar të gjitha prerogativat e saj sepse një ministër apo zëvendësministër në fillim të detyrës së tij do të konsolidojë administratën, para se të merret me këto çështje. Pra, kjo ka të bëjë thjesht me ndryshimin e qeverisë.
Unë mund t'ju garantoj ju se ky është viti i investimeve më të mëdha në historinë e këtij vendi. Vitin e kaluar janë investuar 10 % të prodhimit të brendshëm. Nuk di asnjë qeveri në botë që të ketë këtë përqindje investimi. Vjet e kam shqyrtuar këtë problem dhe më rezultonte se vendi i dytë që vinte pas kësaj ishte me vlerë 5,5 % të prodhimit të brendshëm. Sivjet sërish jemi me shifrën e 10 % të prodhimit të brendshëm për investime. Pra kemi nivelin më të lartë. Nuk ekziston absolutisht asnjë problem likuiditetesh. Në rast se do të dini të vërtetën i kemi pak me tepricë dhe ndofta do të lindë nevoja të kthejmë një pjesë.
Pyetje: Këtë verë mungon një zhvillim i mandatit tuaj të parë 4 vjeçar, d.m.th nuk ka një buxhet suplementar në parlament. Cili është qëndrimi juaj?
Kryeministri Berisha: Për sa i përket buxhetit suplementar, ju e dini ka qenë një buxhet që diktohej nga negociatat që zhvillonim në kuadrin e marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Buxheti suplementar në të vërtetë ka përfaqësuar operativitetin e dy modeleve. Njëri model ishte modeli i fillimit të vitit, i cili thoshte se Shqipëria do të ketë këtë deficit buxhetor, do të ketë këtë nivel të ardhurash, pra, do të ketë këtë buxhet. Ne e pranonim këtë, e tejkalonim këtë dhe në qershor bëhej operativ modeli i dytë, i cili faktonte se Shqipëria ka këto të ardhura dhe për rrjedhojë ka këtë buxhet, e si rrjedhojë do të ketë këto shpenzime.
Këtë vit marrëveshja u kalua në artikullin 4 të bashkëpunimit me FMN dhe është operativ modeli i fillim vitit i qeverisë. Shumë pozitiv është fakti se rritja ekonomike e tremujorit të parë ishte 6 %. Për sa i përket tremujorit të dytë, mund t'u them me përgjegjësi të plotë se është qartësisht më i mirë. Kjo për arsyen se në tremujorin e dytë janë disa faktorë që dallojnë në mënyrë të ndjeshme nga i pari dhe ju mund të bëni kontrollin e tyre. Së pari, prodhimi dhe eksporti i energjisë ka qenë më i madh se në çdo tremujor tjetër, propabilisht të shumë e shumë viteve të shqyrtuara. Janë eksportuar qindra milion kilovat orë, janë prodhuar nga 21 deri në 24 milion kw/h në ditë. Tremujori i dytë është qartësisht më i mirë se i pari, sepse, nëse ju kontrolloni investimet në ndërtim, mund të jenë edhe dyfishi i investimeve të bëra në tremujorin e parë, për shkak të dimrit të egër që ishte tremujorin e parë, i cili ngadalësoi faktikisht në mënyrë të qartë investimet dhe ndërtimtarinë në përgjithësi. Ky tremujor është qartësisht më i mirë se i pari, edhe për faktin se kjo ka qenë koha e artë për bujqësinë shqiptare. Rrethanat klimaterike e shndërruan Shqipërinë në një vend pothuaj tropikal. Pra, janë këto tre faktorë të rëndësishëm të rritjes. Bujqësia ka peshën e vet deri në 22 % në prodhimin e brendshëm, ndërtimi është edhe ai një faktor shumë i rëndësishëm. Sektori publik në prodhimin e brendshëm është rreth 20 % në GDP. Ekonomia shqiptare nuk mund të bëjë të sëmurin imagjinar. Përse doni që kjo ekonomi të bëjë të sëmurin imagjinar. Kjo ekonomi është me rritje 6 % dhe ju garantoj që edhe tremujori i tretë do të jetë i tillë, nuk mund të parashikoj për të katërtin dhe si rregull nuk merrem me parashikime, por ua lë të tjerëve, por edhe tremujori i tretë ka një fluks turistik të paparë. Ju jeni dëshmitarë. Edhe për rrugën Durrës-Kukës disa nga ju thanë se bëhej për qëllime elektorale, por unë kisha qëllime ekonomike dhe turistike. Në debatin që kam patur me kompaninë unë ju kam kërkuar atyre përfundimin sa më të shpejtë dhe data e inaugurimit ishte e caktuar nga kompania, por nuk mund të pranoja të humbisja sezonin, pasi kjo krijonte një humbje të madhe për ne. Dhe fakt është që në javët e para kanë kaluar për në Shqipëri rreth 12 mijë automjete, si dhe qindra automjete që shkojnë në Kosovë. Edhe nga Saranda është po kështu. Pra, këto janë efekte pozitive. Megjithatë ne rrimë shumë të vëmendshëm. Kjo ekonomi nuk mund të bëjë të sëmurin imagjinar.
Pyetje: Zoti Kryeministër, si e konsideroni deklaratën e djeshme apo më tepër akuzave të Ministrit të Jashtëm të Italisë Franko Frattini se disa zyrtarë të Brukselit po pengojnë procesin e integrimit të Shqipërisë?
Kryeministri Berisha: Unë jam këtu për pikëpamjet e mia dhe jo të mikut tonë të shquar Frattini. Ne kemi paraqitur kërkesën. Ne kemi pasur një proces shumë të rëndësishme që janë zgjedhjet dhe kjo është normale. Unë kam shumë besim se procesi i kandidimit dhe integrimit të Shqipërisë është një proces i garantuar. Nuk mund të flas shumë për kohën, pasi e kam thënë edhe një herë se Brukseli është një portë me 27 çelësa. Imagjinoni 27 çelësa për t’u hapur, por parimi është se ato do të hapen.
Pyetje: Zoti Kryeministër, po i rikthehem edhe një herë çështjes për të cilën dolët në konferencë shtypi. Ka shifra që, në fakt raportohen të jenë të frikshme, të përhapjes së këtij virusi tek fqinji ynë Greqia, është thënë, të paktën mediatikisht, se janë tek 3 milion të prekur. Shqipëria është e përgatitur realisht për shkallën e përhapjes, ndoshta jo në këto shifra, nga pikëpamja e infrastrukturës të mund të mbulojë të gjithë pacientet e mundshëm që mund të shtrohen në spital?
Kryeministri Berisha: Absolutisht tërësisht e përgatitur, me të gjitha kapacitetet e nevojshme për ta përballuar me sukses të plotë, qoftë në shtretër, qoftë në specialistë, qoftë me tamiflu apo vaksina, po përfundon laboratori për të identifikuar shtamin, specifikën e virusit. Jemi plotësisht të përgatitur. Nuk ka asgjë për t’u dramatizuar. Ne kemi kapacitete ekzistuese, mund të përshtatim me shpejtësi kapacitete shumë herë më të mëdha sesa ato ekzistuese, pasi e vërteta është se ato ekzistojnë, kemi personelin mjekësor të kualifikuar. Është e vërtetë se përhapshmëria e virusit është më e shpejta se e të gjitha formave të njohura deri më sot, por jo agresiviteti, jo virulenca.
23/07/2009