E Shtunë, 31 Tetor 2026

V E N D I M PËR HAPJEN E PROGRAMIT TË PËRBASHKËT RAJONAL TË STUDIMIT “MASTER NË “EU BUSINESS LAW””, NË FAKULTETIN E DREJTËSISË, TË UNIVERSITETIT TË TIRANËS

V E N D I M 

PËR 

HAPJEN E PROGRAMIT TË PËRBASHKËT RAJONAL TË STUDIMIT “MASTER NË “EU BUSINESS LAW””, NË FAKULTETIN E DREJTËSISË, TË UNIVERSITETIT TË TIRANËS

 

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 42, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

                                                  

1.     Hapjen, në Fakultetin e Drejtësisë, të Universitetit të Tiranës, të programit të përbashkët rajonal të studimit “Master në “EU Business Law”” (Master në të Drejtën e Biznesit të BE-së), i cili, sipas marrëveshjes së lidhur ndërmjet palëve, do të zhvillohet edhe në disa vende të rajonit.

2.     Programi i studimit do të jetë pjesë e studimeve të ciklit të dytë (i përkon nivelit 7, në KEK). Ai do të organizohet me 60 kredite dhe kohëzgjatje normale një vit, përfshirë edhe mikrotezën, dhe në përfundim të studimeve lëshohet një diplomë “Master në “EU Business Law””.

3.     Në këtë program studimi do të pranohen kandidatët, që kanë fituar diplomë në përfundim të një programi studimi, të ciklit të parë, me kohëzgjatje normale 4 vjet, me 240 kredite, sipas sistemit të Bolonjës, ose që zotërojnë një diplomë tjetër, ekuivalente me të, të kryer jashtë vendit.

Gjithashtu, në këtë program studimi mund të pranohen edhe kandidatë, që zotërojnë diplomë të nivelit të dytë, diplomë të integruar të nivelit të dytë ose diplomë tjetër, të fituar jashtë vendit, ekuivalente me to, të cilët kërkojnë të kualifikohen në këtë drejtim.

4.     Studentët, të cilët e përftojnë këtë diplomë, kanë të drejtë të regjistrohen në programe studimi të ciklit të tretë. Ata nuk mund t’i transferojnë kreditet e fituara në këtë program studimi në një program studimi, të ciklit të tretë.

5.     Kuotat e pranimit në këtë program studimi, me kohë të plotë, në vitin akademik 2009-2010, do të jenë 40 studentë.

6.     Tarifa e shkollimit do të jetë 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë.

7.     Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i vitit 2009, miratuar për Universitetin e Tiranës.

8.     Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Universiteti i Tiranës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

 

 

SALI  BERISHA

 


22/07/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›