E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferencë për shtyp e Kryeministrit

Sot në mesditë, Kryeministri Berisha dha një konferencë për shtyp, në selinë e kryeministrisë, gjatë të cilës bëri disa komente në përgjigje të interesimit të gazetarëve.

Në hapje të konferencës, Kryeministri vlerësoi ecurinë e sezonit turistik, duke theksuar se sezoni i këtij viti mund të konsiderohet si sezoni i bumit të vërtetë turistik për Shqipërinë.

Gjatë konferencës, Kryeministri bëri komentet e mëposhtme:

Kryeministri: Sezoni aktual mund të cilësohet, më shumë se çdo gjë tjetër, si sezoni i bumit të vërtetë turistik. Bum, i cili kulmoi me një prurje prej 42 për qind më shumë vizitorë të huaj në muajin gusht, se një vit më parë.

Gjatë këtij sezoni, mikpritja shqiptare shkëlqeu. Kështu, Saranda pati gjatë gushtit 4 herë më shumë vizitorë të huaj, sesa në gushtin e kaluar. Po ashtu mund t'u them se i shkëlqyer ka qenë sezoni për edhe Vlorën, Durrësin, Velipojën, Shkodrën, Pogradecin. Shqipëria nuk ka njohur kurrë një bum të tillë turistik si këtë verë.

Dëshiroj t'i shpreh mirënjohjen më të madhe dhe respektin më të thellë të gjithë qytetarëve me origjinë shqiptare dhe të huaj që zgjodhën Shqipërinë si më të preferuarën e tyre për këtë verë dhe kaluan pushimet në brigjet turistike të deteve dhe liqeneve të vendit.

Dëshiroj të falenderoj të gjithë familjet shqiptare, punonjësit e hoteleve, pronarët, menaxherët, punonjësit e shërbimit të lokaleve, të cilët u shërbyen me qytetari vizitorëve të panumërt që erdhën dhe vazhdojnë të vijnë, këtë verë, në vendin tonë.

Dëshiroj t'u shpreh një falenderim shumë të veçantë forcave të rendit, punonjësve të doganave dhe punonjësve të tjerë. Dua t'ju rrëfej se ka patur vetëm një ankesë, ndaj së cilës është mbajtur plotësisht qendrim. Dua t'i siguroj se me qendrimin e tyre të përgjegjshëm dhe të qytetëruar i kanë bërë një shërbim shumë të madh vendit.

Dëshiroj të siguroj ata që vizituan këtë vit Shqipërinë dhe që vazhdojnë ta vizitojnë se viti tjetër do t'i gjejë plazhet dhe brigjet tona turistike pranë deteve dhe liqeneve me mjedise dhe kushte qartësisht më të mirë se këtë vit. Situata është ndjekur në mënyrë permanente dhe janë mbajtur shënime për të gjitha problemet. Shumë prej tyre po marrin dhe do të marrin zgjidhje shumë të mirë e të qartë.

Dua të ndalem në shkaqet e këtij bumi. Si shkak kryesor do të veçoja kthimin e besimit tek Shqipëria, rritjen e besimit ndaj saj. Këtë e konsideroj shumë më të çmuar edhe sesa qindra miliona eurot sa mund të jenë shpenzuar. Besimi është forca më e madhe dhe eprore ndaj të gjitha forcat e tjera. Me kthimin dhe rritjen e besimit tek Shqipëria, rol përcaktues gjykoj se kanë patur dy faktorë: shkatërrimi dhe vendosja para ligjit nëpërmjet reformave të bandave dhe grupeve kriminale; reformat e qeverisë; lufta kundër krimit dhe sukseset e kësaj lufte, siç jeni në dijeni, jehuan në të katër anët. Shqipëria nuk është më vendi i pasigurisë. Reformat, gjithashtu, dhanë fryte të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit. Siç theksova më lart, ka patur vetëm një ankesë për rushfet dhe ndaj saj është qendruar prerazi.

Faktori i dytë madhor është nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në. Ky nënshkrim i dha Shqipërisë një pasaportë të re, natyrisht jo përfundimtare për Evropën, por një pasaportë evropiane për të ecur drejt pasaportës përfundimtare. Kanë luajtur një rol të padiskutueshëm edhe disa masa lehtësuese dhe liberalizuese në sistemin e vizave dhe të qarkullimit.

Por mikpritja shqiptare është një nga mikpritjet më të shijshme, më fine dhe fisniket. Ajo është shumë mbresëlënëse dhe askush nuk mund të dalë lehtë prej saj. Ju e njihni sindromin shqiptar: po erdhe një herë në Shqipëri, do të kthehesh sërish për ta vizituar atë.

Sezoni vazhdon, por unë dëshiroja të shprehja mirënjohjen time për ecurinë e tij të deritanishme.

Pyetje: Qeveria shqiptare ka paguar një kompani për të bërë auditimin për kontratën e shitjes së Albtelekom, e cila prej dy javësh ia ka dorëzuar raportin qeverisë. Cili është komenti juaj rreth saj?

Kryeministri: Qeveria shqiptare është duke formuluar qendrimin përfundimtar të saj dhe ju siguroj se do ta bëjë atë publik. Ndërkohë kjo nuk ka e penguar dhe nuk e pengon reformën më të thellë të ndërmarrë ndonjëherë për liberalizimin e tregut të komunikimit elektronik në Shqipëri.

Pyetje: Pak ditë më parë u publikuan shifra tronditëse të vetvrasjeve në vend, kryesisht për probleme me natyrë ekonomike dhe sociale.Çdo të bëni për problemet e familjes, duke patur parasysh edhe premtimet për strehimin apo lehtësitë për çiftet e reja?

Kryeministri Berisha: Më lejoni të pohoj sërish me dhimbje se ky është vendi i një mijë e një halleve. Ka disa aspekte shumë të rënda në vendin tonë, ndër të cilat dy do t'i konsideroja më kryesoret. Gjendja e pensionistëve shqiptarë është e papranueshme. Ne kemi bërë një lëvizje të fuqishme. Në total, duke marrë pensionet e fshatit dhe qytetit, mbi 2/3 e tyre ju kemi rritur 20 për qind pensionet. Por këta njerëz, të cilët u shkrinë në një sistem barbar absolutisht meritojnë shumë më tepër për të përballuar jetën e tyre të përditëshme. Jam i inkurajuar nga hapi i madh që bëmë, sepse pensionet nuk janë rritur ndonjëherë në këtë shifër. Ne po studiojmë mundësitë sesi t'i bëjmë ata të përballojnë jetën me dinjitet. Dhe nuk janë pak, por janë 500 mijë shqiptarë.

Së dyti, aktualisht ne kemi familjen më të traumatizuar në Evropë, pasi kemi emigracionin më të lartë. Imagjinoni me qindra e mijëra nëna që rrisin fëmijët pa babain në shtëpi, sa të rëndë e kanë jetën. Vërtet bashkëshorti u dërgon para për të jetuar, por asgjë nuk e kompenson praninë e tij. Në këtë kontekst, pohoj se familja ka probleme serioze. Në çdo gjë qe ne bëjmë kemi një synim: t'i japim mundësi qytetarëve shqiptarë të punësohen në Shqipëri. Probleme sociale ka kudo, por përgjigjia më e rendësishme që mund t'u jepet atyre është punësimi.

Nuk është e vërtetë që qeveria nuk i është përmbajtur premtimit për strehimin. Ne i përmbahemi sërish premtimit për strehimin dhe ju do ta shihni. Por kjo është vetëm një copëz zgjidhje. Ne do të procedojmë edhe me çiftet e reja. Ne nuk heqim dorë nga ajo që kemi premtuar. Por kjo kërkon një marrëveshje me bankën, pasi qeveria nuk disponon asnjë bank të veten. Ka një sistem bankar privat ndaj dhe kjo do të studiohet me shumë vëmendje. Unë jam i bindur se qeveria duhet t'u ofrojë çifteve të reja kredi për të blerë një shtëpi apo për të hapur një biznes. Por kur vendi është i një mijë e një halleve vështirësitë janë serioze për t'i dhënë përgjigje frontale të gjitha problemeve. E rëndësishme është që ne nuk i injorojmë ato, por i mbajmë në axhendën tonë dhe e ndryshojmë realitetin.

Pyetje: Zoti kryeministër çmund të thoni për ministrin Basha si kandidaturë për kryeqytetin në zgjedhjet lokale?

Kryeministri Berisha: Për kryeqytetin maxhoranca ka kandidatë dinjitozë, të cilët do t'ua kthejnë Tiranën qytetarëve. Se cili do të jetë ai, do ta mësoni sapo të përcaktohet nga forumet e maxhorancës. Ne do të jemi shumë seriozë në këtë zgjedhje.

Pyetje: Zoti Kryeministër mund të jeni më i qartë për çështjen e Albtelekom-it. Do të ketë një riformulim të kontratës me firmën turke apo do të bëhet një tender i ri?

Kryeministri: Kjo do të vlerësohet nga një grup qeveritar dhe qeveria do të vendosë për këtë. Vendimi do të jetë shumë transparent. E ritheksoj se reformat po vazhdojnë në thellësi dhe shpejtësi në fushën e komunikimit elektronik.

Pyetje: Zoti Berisha i rikthehemi edhe një herë turizmit. Ju thatë se vitin e ardhshëm do të ketë kushte qartësisht më të mira se ky vit. Por nuk përcaktuat afate kohore apo shifra, siç keni përmendur për këtë vit si psh ujë e drita 24 orë etj. Besoni se nuk do t'i arrini këto, si nuk ia arritët këtë vit?

Kryeministri: Asnjëherë nuk jam shprehur se kjo verë do të ketë 24 orë ujë. Një gjë të tillë nuk mund ta deklaroja se mund ta realizonim në disa muaj. Ajo që dua të theksoj është se kemi furnizuar me energji elektrike pa ndërprerje. Ka patur disa ndërprerje të lidhura me furtunën dhe rrjetin në zonën e Dhërmiut. Qeveria e ka ndjekur më vëmendje të madhe furnizimin me eneregji të zonave turistike. Pra, është mbajtur plotësisht premtimi për furnizimin me energji.

Të kthehemi tek uji. Durrësi merrte ujë dy orë në dy ditë dhe kishte zona të tëra prej 5 ose 6 vitesh pa ujë. Kjo është e vërteta. Për këtë le t'u referohemi procesverbaleve. Në rast se lexoni procesverbalin e ujësjellësit të datës 3 janar do të gjeni një furnizim me ujë prej 302 litra në sekondë për tërë zonën. Me ndërhyrjet që bëmë nga Fushë Kuqe deri në Durrës ne ia dolën të shtojmë edhe 196 litra për sekondë. Me këtë nuk them se u zgjidh problemi, por u shtua me 2/3 sasia e ujit. Do të projektohet ujësjellësi i ri për Durrësin. Nuk mund të them se do ndërtohet në një vit, pasi po studiohet varianti i Bovillës, i Drojës, Shkopetit dhe Erzenit. Janë ekipet e specialistëve ato që do të përcaktojnë fizibilitetin, se ku do të merret ujësjellësi i ri dhe secili prej varianteve kërkon kohën e ndërtimit. Për vitin e ardhshëm, ju garantoj se do të shtojmë sasinë e ujit së paku edhe me 100 litra shtesë vetëm për zonën e plazhit. Kjo edhe për Golemin. Sikundër janë siguruar financimet prej 22 milion euro për ujësjellësin e ri të Vlorës. Ndërsa Saranda merr ujë 24 orë.

Ne kemi mbajtur shënim edhe problemet e lidhura me infrastrukturën higjenosanitare. Ato do të marrin përgjigje imediate për Durrësin. Për këtë po punohet për një projekt i ri.

Po ashtu probleme ka patur edhe me ardhjen në Shqipëri. Një pjesë e mirë e qytetarëve shqiptarë që erdhën nga Italia janë detyruar të kalojnë nga Igumenica. Ndonëse tragetet e mëdha kanë bërë 13-15 rrugë më shumë se planifikimi, nuk është përballuar si duhet fluksi. Prandaj do të vendosim një praktikë të re në fushën e transportit për sezonin turistik dhe do ta përmirësojmë atë në mënyrë të ndjeshme.

Gjithashtu do të dimensionojmë më tej turizmin kulturor.

Qeveria ka qenë realisht e vëmendshme ndaj turizmit.

Pyetje: Përse nuk është publikuar në site-n e Këshillit të Ministrave vendimi i qeverisë për transferimin e Teatrit Kombëtar në mjediset e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës?

Kryeministri: Mbledhja e qeverisë ka një kohëzgjatje mesatare prej 1.30 minutash dhe regjistrohet e gjitha. Më pas, ajo zbardhet, gjë që kërkon kohën e vet. Nuk ka asnjë shkak tjetër. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjëherë ndonjë vendim të qeverisë apo urdhër të Kryeministrit që nuk do të publikohet në web-in zyrtar të Këshillit të Ministrave. Ka qenë thjesht çështje kohe, pasi operatoret që merren me zbardhjen e mbledhjes kërkojnë kohën dhe kanë kapacitetet e tyre për zbardhjen e saj.

Pyetje:Çdo të bëhet për ish të përndjekurit politikë, të cilëve u keni premtuar dëmshpërblim?

Kryeministri: Ua kemi premtuar dhe është fondi. Në mënyrë të padiskutueshme ish të përndjekurit do të shpërblehen sipas skemës siç e përcakton Kodi Penal. Por po bëhet ndarja e atyre që kanë qenë realisht të përndjekur. Kjo është e realizueshme, pasi, fatmirësisht, ekzistojnë dokumenta të qarta për këtë dhe po shqyrtohen.

Pyetje: Sa është fondi?

Kryeministri: Shoqëria duhet t'i përgjigjet një për një atyre. Nuk mund të ketë kufizim dhe koeficient. Siç është përcaktuar në Kodin Penal për zhdëmtim të personit kur shteti e dënon padrejtësisht, atyre do t'u paguhet e gjitha. Ata do të dëmshpërblehen në përputhje me Kodin Penal dhe ky është dallimi ynë me qeverinë e mëparshme.

Pyetje: Zoti Kryeministër ju nisni të martën një tur vizitash në Turqi, Itali dhe Greqi, mund të na jepni ndonjë detaj rreth axhendës suaj në këto vizita. Së dyti, në axhendën tuaj në Turqi është publikuar edhe një takim me biznesmenë turq. A keni një platformë të qartë për t'i afruar biznesit turk për të investuar në Shqipëri?

Kryeministri: Të gjitha udhëtimet e mia synojnë intensifikimin e bashkëpunimit miqësor dhe të gjithanshëm midis Shqipërisë dhe vendeve mike. Këtë qëllim ka vizita ime në Turqi, pjesëmarrja ime në panairin e Fiera del Levantes, ku do të takoj Kryeministrit italian dhe do të promovoj, sëbashku me anbëtarët e ekipit qeveritar, potencialet e Shqipërisë, këtë qëllim ka edhe vizita ime në Greqi. I pres me shumë kënaqësi këto takime. Në të tre këto vizita ka takime politike, si dhe me Dhomat e Tregtisë dhe përfaqësues të biznesit. Mbetem shumë i angazhuar që të bëjmë promovimin e potencialeve të mëdha që ka Shqipëria, veçanërisht tani në kuadrin e politikave të reja fiskale dhe të nismës "Shqipëria, një euro". Mund t'u them se kjo nismë ka jehuar fuqishëm në të katër anët e planietit, nga Zelanda e Re e deri në të gjitha hapësirat. Roma nuk është ndërtuar në një ditë. Por Shqipëria do të ecë shpejt dhe për këtë jam shumë i sigurtë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›