E Diel, 1 Nëntor 2026

Konferencë shkencore për Martin Camajn në 100-vjetorin e lindjes

TIRANË, 16 dhjetor/ATSH/ Akademia e Shkencave organizoi konferencën shkencore “Gjurmët e fjalës – Martin Camaj në 100-vjetorin e lindjes”.

Akad. Gëzim Hoxha, kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, mbajti fjalën përshëndetëse, duke u ndalur në kompleksitetin e vlerave të veprës së Martin Camajt. Ai u shpreh se ky përvjetor nuk është vetëm një përkujtim, por një rikthim i domosdoshëm te burimet e mendimit, të gjuhës dhe të estetikës që Camaj i la kulturës sonë si një trashëgimi e pashtershme.

Në këtë konferencë mbajti një fjalë përshëndetëse dhe Bujar Hudhri, botues i veprës së plotë të Martin Camajt ndër vite, i cili së fundmi solli një format krejt të ri, të pajisur dhe me parathënie studimore nga akademik Matteo Mandalà.

Me tematikat e cekura gjatë punimeve të konferencës shkencore “Gjurmët e fjalës – Martin Camaj në 100-vjetorin e lindjes” synohej të thelloheshin disa linja studimore që kanë të bëjnë me studimin e prozës dhe poezisë së Camajt. Gjithashtu u synua analizimi i tipare të përveçme të krijimtarisë së tij (dramaturgjia ndër të tjera) si dhe arketipia, mitet dhe receptimi i burimeve klasike, gjithashtu dhe kërkime specialistike në fushë të gjuhësisë, filologjisë së tekstit dhe analizës së krahasuar tekstore, një metodë kjo e pranishme në disa punime shkencore të tij, për të cilat dhe ka vend të flitet më gjerë.

Personaliteti shumëdimensional i Martin Camajt u shtjellua gjerësisht dhe në përputhje me tiparet qenësore të krijimtarisë dhe të kontributeve të tij në disa disiplina. Një fakt i tillë u nënvizua edhe në përmbyllje të punimeve të konferencës. /j.p/r.e/

1 nga 9

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›