Konfindustria: Një numër i madh biznesesh ende pa kasa fiskale

Një numër shumë i madh biznesesh vazhdon që të jetë i papajisur me kasa fiskale edhe pse detyrimi ligjor për vendosjen e tyre ka qenë 31 dhjetori i vitit 2010. Këtë e bën të ditur Konfindustria e cila nga të dhënat e marra rreth këtij problemi ka vërejtur se mospajisja me kasa fiskale është e përhapur kryesisht në bizneset e ashtuquajtura të "vogla" dhe bizneset, që ushtrojnë aktivitet jashtë Tiranës si dhe disa qytete kryesore të vendit.
Konfindustria me cilësinë e institucionit nismëtar të vendosjes së kasave fikale, kërkon nga ekzekutivi shqiptar dhe Ministria e Financave në veçanti, që të mos ngurrojë në zbatim të ligjit për të pajisur gjithë llojet e bizneseve pa përjashtim përfshi edhe të ashtuquajturin "biznes i vogël" në të gjithë hapësirën e vendit, si një nga kushtet e domosdoshme për formalizimin e ekonomisë në tërësi. Sipas Konfindustrisë kasat fiskale janë shumë të rëndësishme pikërisht për faktin se ndikojnë që të mos ketë shmangie financiare midis qytetarëve dhe tregtarëve. Me shumë rëndësi pajisja e bizneseve shqiptare me kasa është edhe fakti i shmangies së evazionit fiskal në të gjithë procesin tregtar në Shqipëri, që ende e kalon masën e papranueshme prej mbi 50% të PPB-së.
Shmangia fiskale e përmasave të sipërpërmendura ka pasoja shkatërruese sidomos për industritë prodhuese të rregullta të vendit, zhvillimin ekonomik të vendit dhe rrënimin e mirëqenies së qytetarëve shqiptare.
Konfindustria duke vlerësuar, se formalizimi i ekonomisë kombëtare është qëllim strategjik me përmasa të vërteta shtetformuese, që kërkon mirëkuptim të gjithë ngjyrave të vendimarrjes politike për tu kryer, përshëndet qëndrimin e opozites për mbështetjen në parim të procesit të pajisjes me kasa fiskale për gjithë bizneset e vendit përfshi edhe tregtaret e pakicës. Është krejt e papranueshme, që Shqipëria të veprojë ndryshe nga vendet e tjera të Bashkimit Europian.