E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfindustria: Të ulet taksa për makineritë

20/07/2009  Komuniteti i biznesit kërkon që TVSH-ja të hiqet plotësisht ose të paktën për 3 vjet

Buxhuku: Qeveria të marrë masa për të rritur efektivitetin e ekonomisë në afatgjatë

Ulja e ndjeshme e importeve të makinerive dhe pajisjeve gjatë gjysmës së parë të vitit 2009, që kapi shifrën 11 për qind gjatë muajit qershor në krahasim me muajin paraardhës, ka shtuar reagimet e komunitetit të biznesit. Sipas Gjergj Buxhukut, administrator i Përgjithshëm i Konfindustrisë, nëse një dukuri e tillë mjaft shqetësuese vazhdon, jo vetëm kemi vërtetim të krizës së tashme, por çka është më e rënda krijon kushtet për uljen e efektivitetit dhe të konkurrencës së industrive vendore, që do të thotë, se ekonomia shqiptare do të përfshihet në një krizë afatgjatë me pasoja të paparashikueshme. “Konfindustria, nisur nga shqetësimet e thella të industrive të rëndësishme anëtare të saj, i ka kërkuar me kohë zyrtarisht Qeverisë dhe gjithë vendimmarrjes politike të vendit, që sa më shpejt të marrë vendim për të hequr plotësisht ose për të shtyrë për një afat të paktën 3-vjeçar pagesën e TVSH-së për zërin "makineri dhe pajisje", si një nga masat e domosdoshme dhe të mundshme për të rritur efektivitetin e ekonomisë shqiptare në afatgjatë”, - thekson Buxhuku. Bazuar në të dhënat e ardhura pranë Konfindustrisë vihet re, se janë të shumta rastet sidomos në kohët e fundit kur si rrjedhim i rënies së ndjeshme të nivelit të shitjeve së prodhimeve të tyre dhe uljes të kreditimit bankar, kur industritë shqiptare janë të detyruara të shtyjnë në kohë programet e investimeve të reja ose kanë vështirësi të dukshme financiare në pagesat e TVSH-së për makineri dhe pajisje të importuara më parë dhe që zënë vlera të mëdha financiare për aktivitetin e biznesit.

Gjok Uldedaj

Përfaqësues të komunitetit të biznesit do të lobojnë për krijimin e Gjykatës Administrative apo uljen e TVSH-së për makineritë, me nisjen e sesionit të ri parlamentar. Ligjet që prekin veprimtarinë e bizneseve në të gjithë vendin do të jenë në qendër të vëmendjes së përfaqësuesve nga komuniteti i biznesit. Një prej tyre është kreu i Dhomës së Tregtisë, Gjok Uldedaj, që ka fituar një mandat në zgjedhjet parlamentare me Partinë Demokratike.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›