Konfindustria kerkon garanci per energjine

Në një njoftim për shtyp, Konfindustria i kërkon Qeverisë shqiptare të përgatisë dhe të bëje publike të gjithë variantet rezervë për garantimin e furnizimit të energjisë elektrike të biznesit dhe qytetarëve, pavarësisht ecurisë së marrëdhënieve dhe problematikës me shoqërinë CEZ Shpërndarje.
Kjo kërkesë e Konfindustrisë i drejtohet ekzekutivit dhe vendimarrjes politike në përgjithësi mbështetur në shqetësimin në rritje të industrive të rëndësishme vendore lidhur me garantimin e furnizimit të energjisë elektrike në kushtet e dështimit të menaxhimit dhe të performancës së dobët të shoqërisë CEZ Shpërndarje.
Gjendja paraqitet veçanërisht shqetësuese pas vendimit të fundit të Entit Rregullator te Energjisë per paralajmërimin e heqjes se licences per CEZ Shperndarje. Gjithashtu tentativa e pandodhur me parë e CEZ për prerjen e energjisë elektrike për ujësjellesat ishte kercënim i pastër për biznesin dhe para së gjithash për industritë prodhuese vendore të vendit, thuhet më tej në njoftimin zyrtar të Konfindustrisë.
Ajo vlerëson, se në kushtet e vazhdimit të krizës globale, që tashmë ka prekur ndjeshëm edhe ekonominë shqiptare, do të ishte me pasoja mjaft të rënda dhe të pallogaritshme për zhvillimin afatgjatë të vendit, nëse industritë vendore, biznesi dhe qytetarët do të përballeshin edhe me problematikën e furnizimit me energji elektrike.