E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfirmojnë transaksionin

Komuna e Prishtinës pranon se ia ka dhënë një kompanie private 800 mijë euro ende pa filluar punimet në ndërtimin e kolektorit në Kalabri. Zëdhënësi Muhamet Gashi thotë se paratë u derdhën në llogari të një kompanie tjetër, e jo në atë punëkryesit, kompanisë “Çlirimi”. Pikërisht për këtë, policia është duke i hetuar tre drejtorë komunalë, nën dyshime të forta për korrupsion. Nga Nebih Maxhuni më 30 prill 2011 në ora 08:20

Isa Mustafa, kryetari i Prishtinës, shumë shpejt mund të mbesë pa tre drejtorë të drejtorive kryesore në Komunën e Prishtinës.

Arsyeja është fare e thjeshtë. Ata dyshohen se janë të përfshirë në afera korruptive.
E, ky skandal më nuk fshihet as nga zyrtarët komunalë.

Expressi mëson se drejtori i Prokurimit, i Infrastrukturës dhe i Financave, pa mbulesë, kanë derdhur në llogarinë e një kompanie private 800 mijë euro.

“Dyshohet se në fund të vitit 2010, një kompanie private i janë dhënë rreth 800 mijë euro pa filluar kryerjen e punimeve për ndërtimin e kolektorit të ujërave atmosferike në lagjen Kalabria”, ka thënë një burim i gazetës brenda Policisë.

Sipas tij, kjo pagesë është bërë pa asnjë mbulesë dhe në kundërshtim me të gjitha ligjet në fuqi.

“Përveç pagesës që është bërë në mënyre të paligjshme, sektori i krimeve ekonomike të Policisë së Kosovës është duke hetuar edhe të gjitha dokumentet që lidhen me këtë rast, e që dyshohet se disa prej tyre janë të falsifikuara”, ka rrëfyer ky burim.

Hetimet për këtë rast kanë nisur katër muaj më parë. “Në kuadër të këtij hetimi, janë intervistuar njerëz që dyshohen se janë të përfshirë në këtë rast dhe se policia shumë shpejt pritet ta dorëzojë në Prokurori kallëzimin penal, i cili është në fazën finale”.
Transaksioni konfirmohet edhe nga Muhamet Gashi, zëdhënës i Komunës.

Ai thotë se gjithçka ka ndodhur në kudër të procedurave ligjore. “Kompania “Çlirimi”, e cila është duke ndërtuar kolektorët e lumit në atë pjesë, kur ka fituar tenderin, e ka lutur Komunën e Prishtinë që t’i ndahen kjo pjesë e parave në mënyrë që të blejë armaturën si materialin kryesor që nevojitet për këtë punë, meqë çmimi i armaturës gjatë kohës së vjeshtës në bursën ndërkombëtare ka qenë më i lirë”, tregon ai.
Dhe, Komuna e ka pranuar këtë kërkesë të kësaj kompanie.

Për më tepër, paratë nuk janë derdhur në llogarinë e kompanisë “Çlirimi”, por të një kompanie tjetër, emrin e së cilës nuk e tregon Zëdhënësi Muhamet Gashi.

Sipas tij, ky proces është bërë nën monitorimin e organit mbikëqyrës të Komunës dhe se Komuna ka kërkuar nga kompania “Çlirimi” një garanci bankare, në mënyrë që më pas ato para të derdhen në konton e kompanisë tjetër.

“Pas garancisë bankare që na ka ofruar kompania që ka fituar tenderin, këtë rast “Çlirimi”, Komuna ka derdhur këtë shumë të mjeteve në xhirollogarinë e një kompanie tjetër për blerjen e armaturës për shkak se në sezonin e vjeshtës armatura ka pasur në bursën ndërkombëtare një çmim shumë më të lirë”, ka thënë Zëdhënësi i Komunës.

Pikërisht këtu edhe dyshohet se janë bërë shkeljet e ligjit. Zyrtari policor që foli në kushte anonimiteti për Express, thotë se Komuna e Prishtinës - duke i kryer ndere kompanisë “Çlirimi” - nxit dyshime për korrupsion.

“Por tash i mbetet Prokurorisë që të merret me këtë punë. Lëndën ne e dërgojmë atje, javën e ardhshme”, ka thënë burimi i gazetës.

Përveç për këtë transaksion, Policia do të deponojë dëshmi në Prokurori edhe për dy raste të tjera që lidhen me dhënie të lejeve të ndërtimit dhe moszbatim të urdhrave për rrënimin e objekteve pa leje.

Kuçi: Mos akuzoni

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi kërkoi të premten nga Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa që të bashkëpunojë me organet, të cilat mundohen të vënë rregull dhe ligj në Kosovë, e jo t’i akuzojë ato. Këto komente zëvendëskryeministri Kuçi i bërë pas akuzave që Mustafa i ka bërë dje gjatë një konference për media. Pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, zëvendëskryeministri Kuçi nuk ka folur për veprimtarinë e SHIK’ut dhe për dosje që ky shërbim mund t’i ketë pasur.

Policia: Mustafa na ofendoi

Policia e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, i cili të enjten drejtoi akuza të ashpra kundër punës profesionale të Policisë së Kosovës.

“Bërja e paraleleve ndërmjet Policisë së Kosovës dhe strukturave të UDB’së, të cilat kanë ushtruar dhunë dhe gjenocid në Kosovë, dëmton rëndë imazhin e Policisë së Kosovës dhe atakon paanshmërinë dhe neutralitetin politik që ka Policia e Kosovës”, thekson policia, nëpërmes një komunikate shtypi. Këto deklarata, sipas zyrtarëve policorë, vijnë në kohën kur Policia e Kosovës ka shënuar rezultate të mira në luftimin e të gjitha formave të krimit, në veçanti kundër krimeve ekonomike.

“Vetëm në tremujorin e parë të vitit 2011 ne kemi proceduar 578 raste kriminale të kësaj natyre, me një vlerë monetare 2.603.591.00 euro”.

Policia e Kosovës thekson se është e pavarur në punën e saj dhe nuk do të ndikohet nga asnjë presion, i çfarëdo natyre dhe pavarësisht se nga kush vjen.

“Policia e Kosovës deri më tani ka punuar me autoritetet komunale në Prishtinë, duke ofruar asistencë dhe përkrahje të ndërsjellë dhe besoj se kjo do të vazhdojë edhe më, në të ardhmen”.

Policia, në një konferencë me gazetarë, i ka ftuar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të bashkëpunojnë ngushtë me Policinë në luftimin e të gjitha veprave kriminale që bien ndesh me ligjet e Kosovës.

Policia e Kosovës garanton të gjithë qytetarët se do vazhdojë të ushtrojë detyrat e saj si garantues i zbatimit të ligjit në përputhje me mandatin dhe përgjegjësinë që i takon duke ruajtur pavarësinë operacionale të saj.

Fakte: Çka po punohet për 3 milionë euro

Kompania “Çlirimi” ka publikuar në ueb faqen e saj në mesin e shumë punëve që ka kryer në Kosovë, edhe këtë për ndërtimin e kolektorit të ujërave atmosferike në Kalabri.

“Projekti përfshin ndërtimin e dy galerive nëntokësore me gjatësi 1138 m, kanalin e hapur me gjatësi 1200 m, kanalizim fekal në krahun e djathtë me diametër fi 1800 dhe kanalizimin fekal në anën e majtë me diametër fi 1000.

Punimet, sipas tyre, kanë filluar në nëntor të vitit 2010, ku në inaugurimin e punimeve ka marrë pjesë edhe Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa. Punimet planifikohen të përfundojnë në mesin e vitit 2011.

Ky projekt i ka kushtuar Komunës mbi 3 milionë euro.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›