Konfiskimi i pallateve pa leje, Berisha: Ndërtuesit dhanë ryshfet për të shtuar katet, Rama bën sikur s’i di

Sali Berisha ka ironizuar aksionin e qeverisë lidhur me konfiskimin e ndërtesave pa leje dhe gjobitjen e ndërtuesve deri në ndjekjen e tyre penale për shkelje të ligjit. Në një takim me demokratët në Përrenjas, Berisha thotë se të gjithë ndërtuesit kanë dhënë ryshfet jo vetëm për të ndërtuar kate shtesë por qoftë edhe për të shtuar një dhomë, ndërsa sipas tij Rama hiqet sikur nuk i di këto.
Berisha thotë se duket sikur socialistët jetojnë në një palët tjetër kur flasin në parlament, ndërkohë që e njohin shumë mirë realitetin e Shqipërisë.
“Dje në parlament, tek dëgjoja socialistët unë u thashë atyre, urdhëroni, të shkojmë së bashku në çdo organizatë të PS dhe të debatojmë me ta. Mirëpo siç e shikoni, ata kanë shkëputur çdo lidhje me qytetarin dhe qytetarët. Kanë shkëputur çdo lidhje pasi Edi Rama e ka shndërruar shtetin në një makineri mashtrimi. Po të dëgjoni se çfarë flasin ata në parlament, flasin sikur janë në një planet tjetër, jo në Shqipëri. Mirëpo është krijuar ky mekanizëm, me të cilin mashtrojnë nga mëngjesi në darkë në mënyrë të paskrupullt. I paragjykojnë qytetarët shqiptarë si njerëz që mund t’i mashtrosh dhe t’u thuash ç’të duash. E dëgjuat dje, sikur nuk ka qenë në Shqipëri, fliste për mungesën e ligjit në ndërtime dhe urbanistike, që të gjitha mbi bazë ryshfeti, pasi dihet shumë mirë që jo çdo kat, por edhe çdo dhomë paguajnë ryshfetin për ta shtuar. Ky jo që e dinte, por ndryshoi ligjin dhe ngarkoi policinë për t’u marrë me ndërtimet pa leje. Pra mendon se në këtë mënyrë do të lajë duart me kaosin urbanistik që e krijoi mbi bazën e ryshfetit. Asnjëri prej tyre aty nuk ka ndërtuar kate mbi kate pa paguar shuma të mëdha”, tha Berisha.
Prej dy ditësh qeveria ka nisur aksionin për konfiskimin e ndërtesave pa leje apo shtimi i kateve pa leje. Aksioni po zhvillohet në Farkë, pro do të shtrihet në të gjithë vendin, ndërsa ndërtuesve u janë dhënë dy opsione, parablerja ose dhurimi i çdo metri katror. Në të kundërt ndërtesat do të konfiskohen dhe ndërtuesi do të ndiqet penalisht. Në të gjitha rastet ndërtuesi do të duhet të paguajë një gjobë për shkeljen e ligjit. Në të njëjtën kohë hetimi do të zhvillohet edhe për institucionet përgjegjëse që duhet të mbronin territorin dhe ‘kanë mbyllur sytë” për të lejuar ndërtimin e tyre.
/rtsh.al/