Konflikt bashki- prefekturë për ndarjen e apartamenteve
Elbasan, prefekti ka kthyer vendiminpër strehimin e 42 familjeve. Bashkia: Deliallisi të mos tallet me qytetarët
ELBASAN- Prefekti i Elbasanit ka refuzuar shpërndarjen e 42 shtëpive me kredi të ulëta nga bashkia e qytetit duke nisur kështu një konflikt të hapur me këtë institucion por edhe me qytetarët. Komisioni i Strehimit pranë Këshillit Bashkiak të qytetit të Elbasanit ka reaguar dje pas rikthimit të vendimit duke e quajtur atë të pabazuar në ligj. Kreu i këtij komisioni, Kujtim Azbiu, akuzoi gjithashtu prefektin e Elbasanit, Shefqet Deliallisi se po merret me emra konkretë dhe jo me vetë procedurat. Azbiu ka deklaruar se komisioni është drejtuar nga e djathta dhe nuk ka prapaskena politike.
Reagimi i Komisionit të Strehimit ka qenë i menjëhershëm. Kryetari i këtij komisioni Kujtim Azbiu, ka komentuar pikat në të cilat është mbështetur kthimi i vendimit nga ana e prefektit duke e quajtur atë jo të mbështetur në ligje por në përshtypje dhe vlerësime personale. “Lidhur me pikën e parë të këtij vendimi, rregulloren, unë dua të them se ne kemi rënë dakord me kryetarin e Bashkisë për të gjitha procedurat dhe ka një ligj 92 32 i cili është zbatuar në përpikëri nga komisioni. Ndërsa në lidhje me shortin, nekemi qenë transparentë dhe korrektë duke mos lënë mundësinë e asnjë dyshimi. Komisioni që unë drejtoj ka ndjekur me përpikëri procedurat dhe gjithçka është bërë në transparencë të plotë për të mos lejuar asnjë paqartësi. Një tjetër pikë ku është mbështetur refuzimi i prefekturës ka lidhje me mungesën e gjithë përfshirjes. Kjo pikë nuk ka asnjë bazë të vërtetë pasi vetë qytetarët kanë marrë pjesë në të gjitha procedurat e ndarjes së apartamenteve deri në kontrollin fizik me pjesëmarrjen e strukturave të bashkisë”,- pohoi Azbiu. Sipas tij, bashkia disponon edhe procesverbalet e firmosura nga vetë qytetarët për këtë çështje.
“Do t’i bëj thirrje prefekti të mos dalë nga korniza e tij politike por të mbështetet në kornizën ligjore që është baza e funksionimit të tij. Që në momentin që prefekti hyn në emra konkretë këtu ka filluar edhe shkarja e tij juridike. I bëj thirrje të mos tallet më me qytetarët e Elbasanit, të mos japë kontribute për shkatërrimin e të djathtës në këtë qytet por le t’ia lejë atyre që kanë marrë këtë mision përsipër. Le të merret me pronat e elbasanasve që janë vjedhur dhe shkatërruar, të merret me ndotjen e cila është gangrenë vdekjeprurëse për qytetarët e Elbasanit. Nuk është vdekjeprurëse që ata persona, të cilët nuk kanë marrë apartamente këtë herë, do të marrin herës tjetër nëse janë korrektë me ligjin”,- shpjegoi Azbiu. Sipas tij, i gjithë procesi i dhënies së apartamenteve është bërë në praninë e Avokatit të Popullitdhe kontrollet e ndryshme e kanë cilësuar atë si tepër korrekt.
Refuzimi
Pse u kthye procesi i shpërndarjes së apartamenteve
Pas miratimit në Këshillin Bashkiak të listës së 42 fituesve të apartamenteve të ndërtuara me fondet e buxhetit të shtetit, ky vendim së bashku me vendimet e tjera do të duhet të kalojë për firmën e Prefektit, i cili verifikon edhe procedimin ligjor. Pas ankesave të mbërritura Prefekti i Elbasanit, Shefqet Deliallisi, vendosi ta kthejë sërish vendimin e Këshillit Bashkiak të bazuar në argumentet: Ka munguar një rregullore e hartuar nga kryetari i Bashkisë për Komisionin e Strehimit, ka probleme në procedurat e shortit të ndjekur nga ky komision, ka konflikt interesi dhe nuk ka gjithëpërfshirje. Ky refuzim i prefektit për ta miratuar vendimin e Këshillit Bashkiak pritet të shqyrtohet në mbledhjen e së hënës të Këshillit të Bashkisë së Elbasanit.