E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta në Serbi kundër arrestimit të Karaxhiç

 

Ultra-nacionalistët kanë pushtuar sheshet e Beogradit duke kërkuar që ai të mos ekstradohet në Gjykatën e Hagës

Ultra-nacionalistët serbë protestuan mbrëmë në Beograd kundër arrestimit të Radovan Karaxhiçit. Protestat janë konsideruar si sporadike dhe në asnjë rast nuk është evidentuar ndonjë protestë masive. Ndërkohë që avokatët e Radovan Karaxhiçit shqyrtojnë mundësitë se si do të mund të evitonin në minutat e fundit ekstradimin e klientit të tyre për në Tribunalin e Hagës, Karaxhiçit vet i duhet të qëndrojë në ndërtesën në të cilën gjykata speciale serbe ka dënuar disa kriminelë të luftës. Në Hagë megjithatë interesimi i opinionit publik do të ishte shumë më i madh nëse atje do të ulej personi i dytë më i kërkuar për krime lufte në ish-Jugosllavi, pas Sllobodan Millosheviqit.

Protestat

Numri i ithtarëve të cilët Karaxhiçi i ka ende në Beograd nuk është edhe aq i madh. Protesta masive nuk ka pasur deri tani. Megjithatë pikërisht për këtë angazhohet zëvendësshefi i radikalëve serb, Tomislav Nikoliq: "Unë kam paralajmëruar të gjitha format e luftës politike për rrëzimin e regjimit të Boris Tadiqit. Dhe këtu unë i llogaris edhe protesta masive për të cilat ne duhet të bashkohemi të gjithë. Mbi një plan kohor unë nuk mund të them asgjë. Në Serbi ka mjaft organizata patriotike dhe joqeveritare me të cilat partia radikale serbe tashmë bashkëpunon”. Gjatë natës të së martës protestave pjesërisht të dhunshme në Beograd i janë bashkangjitur edhe shefi i Partisë Radikale Serbe, Vuçiq si dhe vëllau i Karaxhiçit, Lluka. Flitet për 250 demonstrues. Në sheshin e Republikës fluturuan karriget dhe fishekzjarrët kundër policëve. Bashkimi Evropian ka bërë me dije se nga qeveria e re serbe pret bashkëpunim edhe në kërkimin e kriminelëve të tjerë të luftës para së gjithash shefin e dikurshëm të ushtrisë së serbëve të Bosnjës, Ratko Mladiç dhe ish-shefin e serbëve të Kroacisë, Goran Haxhiç. Gazetari i njohur në Serbi, Dejan Anastasijeviq ka hulumtuar gjatë për krimet e luftës. Dhe tani ai vendin e tij e sheh në rrugën e duhur: "Kjo qeveri ka caktuar prioritet të saj integrimin evropian. Të gjithë e dinë, si qeveria ashtu dhe populli dhe bashkësia ndërkombëtare se të akuzuarit për krime lufte duhet të arrestohen. Përndryshe nuk ka integrim evropian. Qeveria e mëparshme ka folur shumë për Evropën por nuk e ka pasur vullnetin që ta çojë vendin në atë drejtim".

Mbrojtja

Ndërkohë ish-udhëheqësi serb i Bosnjës, Radovan Karaxhiç i ka thënë avokatit të tij se do të mbrohet vetë nëse ekstradohet në Gjykatën e Krimeve të Luftës në Hagë. Avokati i tij, Svetozar Vujaçiç tha se zoti Karaxhiç ishte i bindur se do të fitonte. Një ish prokuror i gjykatës, Richard Goldstone, pohoi se ai shpresonte se gjykatësit do të ishin më të shtrënguar me të sesa me Sllobodan Millosheviçin, vendimi i të cilit për t'u vetëmbrojtur bëri që procesi gjyqësor i tij të hyjë në vitin e pestë para se ai të vdiste në Mars 2006. Korrespondentët thonë se pritet që zoti Karaxhiç të dorëzohet në Hagë javën tjetër, megjithëse ai po e sfidon transferimin. SHBA dhe BE i kanë bërë thirrje Serbisë të vazhdojë me bashkëpunimin me gjykatën dhe të ndalojnë edhe komandantin e luftës, Ratko Mlladiç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›