Konflikt mes kryeministrit e kryebashkiakut të Tiranës? Veliaj: Deklarata nga njerëz ‘të lodhur’! Rama: Lalit t’i varim hudhër

Inaugurimi i banesave të reja të rindërtuara në Zall Herr duket se ka shuar edhe pikëpyetjen nëse mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj ka konflikte apo përplasje. Kanë qenë vetë Rama dhe Veliaj që i kanë hedhur poshtë këto zëra.
Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj tha se deklarata të tilla bëhen nga “njerëz të lodhur” dhe se mes tij dhe kryeministrit nuk ka asnjë konflikt. Veliaj tha se pavarësisht fjalëve që thuhen, Bashkia Tiranë dhe qeveria do të vijojnë punët për ta bërë Shqipërinë moderne.
“Ka shumë nga ata njerëz “të lodhur”, njerëz që e kanë shpresën e tyre që kryetari i bashkisë dhe kryeministri do të hyjnë në një konflikt dhe do ju dhurojnë atyre pushtetin, njerëzve që e kanë pasur në fakt pushtetin, që e kanë pasur në dorë Tiranën, që e kanë pasur në dorë Zall-Herrin edhe nuk e di dhe sa herë duhet të luten edhe sa kallo duhet të kenë në gjunjët e tyre që të luten që unë një ditë dhe kryeministri nuk do të shkojmë mirë, shanset janë zero presje hiç që kjo të ndodhë. Për të gjithë ata që luten që ne të kemi një konflikt të madh, dua t ju them këtë. Bashkia e Tiranës dhe qeveria po diskutojnë se si nga një situatë ku në kishim një nga 10 ndërtime në paligjshmëri, në situatën që kemi sot, një në 10 mijë ndërtime në paligjshmëri, si të adresojmë dhe ato pak raste që kemi. Kush uron dhe kush mendon që në këtë përpjekje që ne kemi për ta bërë Tiranën zonjë dhe për ta bërë Shqipërinë moderne, ne do të kemi konflikte, inate dhe përçarje duhet ta harrojnë. Probabiliteti është zero presje hiç”, u shpreh Veliaj.
Përgjigja nuk ka munguar as nga kryeministri Rama, i cili tha se Veliajt duhet t’i varin hudhër që të mos e marrin më sysh ata që nuk bëjnë asnjë punë.
“Le t’i thonë Lalit çfarë të duan ata, Lali këtu është! Duke ardhur shumë vërdallë nëpër fshatrat e Tiranës e kanë kuptuar se si t’i kthejë ata në hudhra që mos ta marrin më sysh. Dhe prandaj është gjithmonë shumë më i buzëqeshur se unë, se unë s’e kam gjetur akoma këtë si bëhet”, tha Rama.
/rtsh.al/