E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konflikti mbi identitetin maqedonas

Në përpjekje të një shoqërie që ta mbrojë apo ta dëshmojë ekzistimin e identitetit, në momentin kur shkaktohen përplasjet e argumenteve që hedh njëra apo pala tjetër, lindin konfliktet që do të ndikojnë jo pak jetën politike të një shteti. Njeriu si qenie sociale-biologjike ka një identitet personal, në të njëjtën kohë ai mund të ketë identitete tjera si: identiteti qytetar, kombëtar, etnik, fetar, apo shtetëror. E kaluara e dëshmoi që megjithatë identiteti kombëtar është pak sa më i ndjeshëm për dallim nga identitetet tjera të njeriut. Gjatë viteve të fundit jo vetëm Maqedonia, por gati në përgjithësi e tërë Evropa Juglindore është ngërthyer nga problemet e shumta, polemikat dhe replikat e pafundme që shpesh edhe kanë kaluar limitet e të konsideruarit vetëm probleme politike. Shumë nga problemet që dolën në sipërfaqe viteve të kaluara, ishin ngrirë artificialisht nga sistemi i të kaluarës dhe koha dëshmoi që nuk ishin zgjidhur.
Përderisa në kontinentin e vjetër shfaqen hapa në drejtim të proceseve integruese dhe një evropianizimi, gjithashtu në rrethana të ndryshme nxiten edhe struktura konkurruese identitetesh dhe një garë e afirmimit etnik ndërmjet grupeve shoqërore apo entiteteve shtetërore. Në gadishullin ballkanik, por edhe në shumë vende të ish-Bashkimit Sovjetik, kjo ka ditur të prodhojë një klimë konfliktesh të shprehura edhe në luftë të hapur, kurse në versionet më të buta në armiqësi politike, kriza diplomatike apo edhe probleme ndërkulturore.
Megjithatë, përkundër teorive që sot hidhen shpesh edhe pa mbështetje shkencore, një sociologji e pandikuar nga politika ditore, jo vështirë do të gjejë termin “Homoballkanas” apo “Njeriu Ballkanik”, duke aluduar këtu në shumë elemente të përbashkëta që popuj të kësaj pjese të Evropës mund t’i kenë ndërmjet tyre. Kurse në një shëtitje nëpër retrospektivën historike, mahnitemi me mbresën që krijojnë faktet, jo rrallë të fshehura për hir të qëllimeve politike.
Përtej kufijve të shtetit të sotëm i cili në historinë moderne për herë të parë si subjekt politik u krijua në fund të luftës së dytë botërore, e vendosur në një pjesë strategjike të gadishullit ballkanik, Maqedonia në kuptimin gjeografik dhe historik të saj, me ndryshimet e krijuara me kohë, vazhdon të mbulojë përafërsisht atë sipërfaqe që në vazhdën e luftërave për dominim dhe zgjerim të perandorive, duhej kontrolluar ushtarakisht dhe politikisht. Pa e arritur këtë, as romakët nuk do të mund të realizonin Via-Egnatian që lidhte Adriatikun dhe Detin e zi e më tej, por as sllavët gjatë dyndjeve të tyre të shekullit të VII-të nuk do të mund të vazhdonin më tutje vendosjen e tyre më në jug në pjesët e sotme të Greqisë qendrore. Kjo traditë në lidhje me këtë territor shumë kohë më pas ndonëse në rrethana krejtësisht tjera, do të zë po të njëjtin vend dhe në një moment do të arrijë të alarmojë dhe tërheq vëmendjen e të gjitha fuqive duke filluar nga Perandoria Britanike, Franca e deri te Rusia.
Përveç famës që emri Maqedoni krijoi në kohën e Lekës së Madh, në kohën kur ushtria e kësaj mbretërie të fuqishme kishte arritur të depërtojë deri në Indi, një specifikë e dallueshme e Maqedonisë së shekujve të fundit, padyshim mbetet pasuria e saj shumetnike. Sllavët, shqiptarët, turqit, grekët, vllahët, romët, hebrenjtë me praninë e tyre krijuan imazhin real të një shoqërie të vërtetë shumetnike ku secili nga këta popuj shënoi ngjarje historike e kulturore që për të ardhmen do të shërbejnë si referencë e pakontestueshme mbi rëndësinë e këtij territori. Qendra të rëndësishme si Selaniku me portin e tij detar dhe kapacitetet tregtare që ishte shndërruar në “kryeqytetin” e pashpallur të hebrenjve sefardik të cilët për t’i shpëtuar inkuizicionit në gadishullin Iberik gjetën strehë në Perandorinë Osmane, apo Manastiri si një vatër e kulturës shqiptare dhe së fundit vend i lindjes i vet alfabetit shqip, janë vetëm disa nga shembujt e një mozaiku specifik.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›