Benedikti XVI u bën thirrje të krishterëve të Lindjes së Mesme ta ndalin eksodin
Në Meshën e Amanit, Papa inkurajon të krishterët e, posaçërisht, gratë e Tokës së Shenjtë, që të luftojnë për një rritje të shpresës në Kishën Katolike. Bota myslimane e ka përcjellë vizitën e tij në xhaminë e Amanit pa polemikat e zakonshme, ndërkohë që pritet me interes stacioni i sotëm i vizitës në Izrael
Në ditën e III të shtegtimit të Benediktit XVI në Jordani, Papa kremtoi Meshën e Shenjtë në Stadiumin ndërkombëtar të Amanit, në praninë e mëse 30 mijë vetëve, ndërmjet të cilëve, të gjithë ipeshkvijtë e Lindjes së Mesme si dhe një numër i madh besimtarësh të krishterë, ardhur nga të katër anët e Viseve të Shenjta. Këtyre njerëzve, të lidhur fort me trojet e të parëve, raportoi dje radio Vatikani, Papa u drejtoi fjalë inkurajuese, duke i uruar që guximi i Krishtit, Bariut tonë, t’i frymëzojë çdo ditë në përpjekjet e tyre për të dhënë dëshminë e fesë së krishterë e për ta ruajtur praninë e Kishës gjatë ndryshimeve që pësojnë çdo ditë këto troje të lashta. "Ishte Festë e madhe sot në Aman për Meshën e kremtuar nga Benedikti XVI në stadiumin e qytetit. 30 mijë vetë mundën të gjejnë vend brenda strukturës sportive e të luten me Papën në këtë të dielë, Ditë e Zotit. Ishte rast edhe për t’i shprehur gjithë gëzimin e mirënjohjen për praninë e tij e për inkurajimin e tij. “U luta - tha Ati i Shenjtë - që Kisha në këto troje të përforcohet në shpresë e të marrë fuqi për dëshminë e saj nga Krishti i Ngjallur, Shëlbuesi i njerëzimit: E prita gjatë mundësinë për të qenë para jush, si dëshmitar i Shëlbuesit të ngjallur, për t’ju inkurajuar të mos hiqni dorë nga feja, shpresa e dashuria, duke i qëndruar besnikë traditave të lashta e historisë tejet të veçantë të dëshmisë së krishterë, që ju lidh me kohën e Apostujve. Sepse e di që bashkësia katolike e këtushme është thellësisht e prekur nga vështirësitë e paqartësitë që kanë të bëjnë me të gjithë banorët e Lindjes së Mesme”.
Pikërisht për këto vështirësi foli, në fillim të kremtimit, Patriku Latin i Jeruzalemit, Fortlumturia e Tij, Fuad Tual, në përshëndetjen drejtuar Papës në emër të të gjithë jordanezëve, duke u bërë zëdhënës i të krishterëve e i myslimanëve, i asambleve të ipeshkvijve e të patrikëve të Tokës së Shenjtë dhe i të gjithë besimtarëve, ardhur nga vendet arabe fqinje. “Kemi dëshirë të zjarrtë ta përjetoni mikpritjen tonë arabo-jordaneze - pohoi Patriku e më pas, duke bërë shaka për seminaristët e Tokës Shenjte, tha se ndodhet para një problemi të vështirë, sepse seminari i Beit-Jala, për herë të parë, është tepër plot. Patriku Tual kujtoi edhe mijëra emigrantët, ardhur në Jordani, posaçërisht për punë, nga e gjithë Azia, si dhe miliona refugjatët, pjesa më e madhe palestinezë, të strehuar në këtë vend. E këtyre u shtohen edhe rreth një milion irakianë, ndërmjet të cilëve, 40 mijë të krishterë. Janë Kisha, së bashku me Karitasin, që u sigurojnë ndihmën e nevojshme materiale e shpirtërore. Një realitet që Papa e njeh mirë e nga i cili mori shtytjen për t’i drejtuar një thirrje të fuqishme Kishës në Jordani: “Besnikëria ndaj rrënjëve tuaja të krishtera, besnikëria ndaj misionit të Kishës në Tokën e Shenjtë, kërkojnë nga ju një tip të veçantë guximi: guximin e bindjes së lindur nga feja personale, jo thjeshtë nga normat shoqërore ose nga traditat familjare; guximin për t’u impenjuar në dialog e për të punuar krah për krah me të krishterët e tjerë, në shërbim të Ungjillit e në frymën e solidaritetit për të varfërin, të shpërngulurin, për të gjitha viktimat e tragjedive të thella njerëzore; guximin të ndërtoni ura të reja, për ta bërë të mundur takimin e frytshëm të njerëzve me fe e kultura të ndryshme, duke pasuruar kështu, indin e shoqërisë”. Kjo - vijoi Ati i Shenjtë - do të thotë të japësh dëshminë e dashurisë, e cila na frymëzon të flijojmë edhe jetën në shërbim të të tjerëve, duke iu kundërvënë kështu mënyrave të mendimit, që përligjin shkatërrimin e jetëve të pafajshme. E temës së dashurisë, me të cilën na deshi Zoti, Benedikti XVI i kushtoi pjesën tjetër të homelisë, gjatë së cilës foli për thirrjen e familjes si dhe për dinjitetin e misionin e grave në planin e Hyjit. Pikërisht gratë Papa i kujtoi në mënyrë të veçantë, duke theksuar kontributin e tyre në mbrojtjen e fesë e të dashurisë në këto vise. Një numër i madh nënash të krishtera, rregulltaresh, mësuesesh e infermieresh – tha Papa - në mënyra të ndryshme, shkrinë gjithë jetën e tyre për paqen e dashurinë: Për fat të keq, ky dinjitet e ky mision, që Hyji u dhuroi grave, nuk u kuptuan e nuk u vlerësuan gjithnjë aq sa duhet. Kisha e shoqëria, në tërësinë e saj, kanë arritur ta kuptojnë tashmë sa nevojë urgjente kemi për atë, që paraardhësi im, Papa Gjon Pali II, e quante ‘karizëm profetike’ të grave (cfr Mulieris dignitatem, 29)”, karizëm kjo, që shprehet në aftësinë e grave për të dashur, për të qenë mësuese të mëshirës e ndërtimtare të paqes, transmetuese të ngrohtësisë e të humanitetit, në një botë e cila shumë shpesh e gjykon vlerën e njeriut me kriteret e akullta të shfrytëzimit e të përfitimit. Duke e dëshmuar publikisht respektin për gratë e për mbrojtjen e dinjitetit të çdo njeriu – përfundoi Papa – Kisha në Tokën Shenjte jep një ndihmesë të rëndësishme për zhvillimin e një kulture vërtetë njerëzore e për ndërtimin e qytetërimit të dashurisë".
Papa në Betani përtej Jordanit bekon gurët e parë për dy kisha katolike/“Vij me gëzim të madh në shpirt për të bekuar gurët e parë të dy kishave katolike që do të ndërtohen përtej lumit Jordan, një vend i shënuar nga shumë ngjarje të historisë biblike”: me këto fjalë iu drejtua Papa besimtarëve dhe autoriteteve të pranishme sot pasdite në Betani përtej Jordanit, ku janë hapur kantieret për ndërtimin e dy kishave, të ritit latin e të ritit greko-melkit. Para se të ndalej, Benedikti XVI përshkoi krejt itinerarin arkeologjik të quajtur “Baptism site” (Vendi i Pagëzimit). Betania përtej Jordanit, siç e shpjegoi vetë Ati i Shenjtë më pas, është vendi i profetit Elia. Pikërisht para Jerikos, afër me zonën ku ndodhej sot Papa, ujërat e Jordanit u hapën para Elisë, i cili u mor nga Zoti me karrocë zjarri. Këtu, Shpirti i Hyjit thirri Gjonin, birin e Zakarisë, për të predikuar kthimin në rrugën e Zotit. Shën Gjon Ungjilltari tregon se në këtë vend është takuar Jezusi me Shën Gjon Pagëzuesin. Këtu Jezusi, përmes Pagëzimit në lumin Jordan, u quajt Bir i dashur i Atit dhe Shpirti i Shenjtë i zbriti mbi krye në formën e një pëllumbi. Ndërtimi i kishave në këtë vend, merr prandaj një kuptim të veçantë: “Guri i parë i një kishe është simbol i Krishtit. Kisha mbështetet mbi Krishtin, mbahet prej Tij e nuk mund të ndahet prej Tij. Ai është baza e vetme për çdo bashkësi të krishterë, guri i gjallë, i hedhur nga ndërtuesit, por i çmuar në sytë e Zotit e, prej Hyjit, i zgjedhur si gur i këndit. Me Të, edhe ne jemi gurë të gjallë vënë një mbi një si ndërtesa shpirtërore, vend banese për Hyjin”. Me ngritjen e këtyre dy kishave në Betani përtej Jordanit, Kisha Katolike dëshiron të tregojë vendosmërinë për të qëndruar në Tokën Shenjte e për ta vazhduar misionin e saj, në një çast kur konfliktet e kushtet e jetesës i detyrojnë të krishterët të emigrojnë. Kisha, tha Papa, është në Krishtin një bashkësi jete të re, një realitet dinamik hiri që vjen prej Tij. Përmes Kishës, Krishti pastron zemrat, shndrit mendjet, na bashkon me Atin e na udhëheq ta jetojmë dashurinë e krishterë. E në Kishë, vazhdoi Ati i Shenjtë duke iu referuar vendit ku u pagëzua Jezusi, hyjmë përmes Pagëzimit: “Lumi Jordan ju kujtoftë gjithnjë se jeni larë me ujin e Pagëzimit e jeni bërë anëtarë të familjes së Jezusit. Jeta juaj, duke iu bindur fjalës së Tij, është shndërruar sipas shembëlltyrës e ngjashmërisë me Të. Në përpjekjen për t’i qëndruar besnikë impenjimit të Pagëzimit për t’u kthyer në rrugën e Zotit, për ta dëshmuar e për të kryer misionin e krishterë, ta dini se përforcoheni nga dhurata e Shpirtit të Shenjtë”. Benedikti XVI kujtoi se për shekuj me radhë njerëzit kanë ardhur si shtegtarë në këtë vend, për t’u pagëzuar e për të ndërruar mënyrën e jetesës. Përmendi shtegtaren Egjeri, të mirënjohur në këto anë, e pikërisht për të kryer sa më mirë impenjimet, që të krishterët marrin me Pagëzimin, për t’u sjellë sipas “agapes” apo dashurisë së krishterë, Papa këshilloi: “Nxisni dialogun e mirëkuptimin në shoqërinë civile, sidomos kur kërkoni të drejtat tuaja të ligjshme. Në Lindjen e Mesme, të shënuar nga vuajtja tragjike, nga vite dhune e çështje të pazgjidhura, të krishterët janë të thirrur të japin kontributin e tyre për pajtimin e paqen me anë të faljes e bujarisë, të frymëzuar nga shembulli i Jezusit”. Bekimi i gurëve të kishave katolike, njëra e ritit latin e tjetra e ritit greko-melkit, u parapri nga Formula e Pagëzimit dhe nga Atyna në arabisht.
Mjetet e komunimit botëror për shtegtimin XII Apostolik të Benediktit XVI/Informacioni ndërkombëtar gjatë 24 orëve të fundit konfirmon se interesimi për shtegtimin është i madh. Ngjarja pasqyrohet në të gjitha mjetet krysore të komunikimit: shtyp, televizion, internet. Për herë të parë përmbajtja e informacionit, mjaft larg nga tonet polemike, me të cilat jemi mësuar gjatë shtegtimeve të kaluara të Papës, lidhet ngushtë me përmbajtjen e fjalimeve e të përshëndetjeve të Atit të Shenjtë madje, gjë e pazakontë, shpesh jepen fragmente të tëra nga fjalët e Papës. Titujt kryesorë, që lidhen pak a shumë me veprimtaritë e tri ditëve të para të shtegtimit, i kushtojnë vëmendje të dorës së parë vizitës së Benediktit XVI në Xhami dhe fjalimeve të mbajtura si nga Papa, ashtu edhe nga Princi jordanez. Disa ndalohen edhe tek kuriozitetet, p.sh, tek hyrja e Benediktit XVI në Xhami, vend kulti në të cilin, sipas traditës myslimane, nuk duhet shkelur me këmbë të mbathura. Por këtë herë ‘Papa hyri në Xhami me këpucë’ – titullohen disa shkrime të kësaj natyre. Shumë fotografi duken në të gjitha mjetet e komunikimit. Shërbimi më i plotë e më i realizuar fotografik është ai i gazetës francese ‘Le Figaro’.
Shtypi izraelit nuk i kushton po këtë vëmendje takimeve të Papës në Jordani. Ndalohet më shumë tek ditët e kaluara, duke përgatitur kështu atmosferën për arritjen e në Izrael sot, në orën 11.
Marrë nga Radio Vatikani