E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasësi i banakieres: “E vrava se më shfrytëzonte mbesat për prostitucion”



Autori i dyshuar i vrasjes së një gruaje tri ditë më parë në Vlorë është lënë në burg nga Gjykata e Shkallës së Parë. Gjykata e Vlorës ka vendosur dje masën e sigurisë “arrest me burg” për 45-vjeçarin Xhezo Habilaj nga fshati Velç i Vlorës, i cili akuzohet për vrasjen e 50-vjeçares Stoli Shanaj, e cila u ekzekutua me breshëri automatiku në banakun e lokalit ku punonte në lagjen “28 Nëntori” në Vlorë. "Shtetasi Zhabaj ka dyshuar dhe ka menduar të kryeje veprën penale për shkak të këtij motivi të dobët, se mbesat shfrytëzoheshin për prostitucion", - tha prokurori Skënder Dauti. Ndërkohë që i pandehuri ka shpjeguar edhe motivin që e ka shtyrë të vrasë gruan, ndërsa nuk ka shfaqur asnjë shenje pendese. "Nuk e duroja dot më atë turp. Me këtë akt nuk m'u kthye nderi në vend, po të paktën nuk do të ketë më vajza të tjera që të shfrytëzohen", - tha para trupit gjykues autori i krimit, Habilaj.
Vrasja
Viktima e kësaj vrasjeje është Stolie Sherraj, e cila punonte si banakiere në një bar-restorant në Vlorë. Autori i ngjarjes është identifikuar menjëherë nga dëshmitarët në ngjarje. Ai është Xhezo Habilaj, rreth 45 vjeç. Mesditën e së hënës autori i ngjarjes ka shkuar pranë lokalit në lagjen “28 Nëntori” duke mbajtur në krahë një çantë. Është ndalur dhe prej saj ka nxjerrë një automatik kallashnikov dhe pa paralajmërim ka qëlluar në drejtim të gruas, e cila ndodhej pranë banakut. 50-vjeçarja ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa autori i ngjarjes, ndërsa po largohej, ka ndaluar një automjet që po kalonte pranë lokalit. Nën kërcënimin e armës së zjarrit ai e ka detyruar drejtuesin e mjetit që të shkonte në një drejtim të pacaktuar. Mësohet se personi që është marrë peng është një mashkull që udhëtonte me një automjet ngjyrë gri, identiteti i të cilit ende nuk është bërë i ditur.
Ekzekutimi
Vrasësi është shfaqur në befasi dhe banakierja nuk ka kuptuar asgjë lidhur me qëllimet e Habilajt. Sapo është përballur me banakeren e lokalit, Stoli Sherraj, autori ka nxjerrë nga çanta një automatik dhe e ka zbrazur atë në drejtim të 50-vjeçares, e cila mbeti e vdekur në vend. Më pas Habilaj dyshohet se është larguar qetësisht nga lokali për të humbur gjurmët, duke hipur në një makinë që e siguroi me dhunë. Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe pas hetimeve të para bëri të mundur identifikimin e autorit të dyshuar të ngjarjes, i cili është shpallur në kërkim. Policia nuk ka bërë të ditur motivet e këtij krimi, ndërsa u shpreh se hetimet po vazhdojnë.

Qëlloi policin, bie në pranga

Kërcënimi që u ka bërë policëve të Qarkullimit e ka çuar në qelitë e komisariatit të kryeqytetit shtetasin Gerhard Duro. Burimet policore bëjnë të ditur se ndaj 25-vjeçarit Duro, lindur dhe banues në Tiranë, është depozituar një kallëzim penal nga një punonjës policie, i cili ka deklaruar se dje ka qenë me shërbim në Qafë-Kashar dhe shtetasi i mësipërm e ka goditur duke e kundërshtuar me dhunë, fyer e kanosur për shkak të detyrës”. Sipas tyre, janë kryer veprimet procedurale dhe materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, pasi i arrestuari akuzohet për veprat penale të “kundërshtimit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “goditjes për shkak të detyrës”, “kanosjes për shkak të detyrës” dhe “fyerjes për shkak të detyrës”.

Depresioni, vetëvaret me litar 58-vjeçari

Një 58-vjeçar, në gjendje depresive, i ka dhënë fund jetës dy ditë më parë në litar, pas një gjendjeje të rëndë depresive. Burimet policore thonë se ngjarja ndodhi pasditen e së mërkurës, rreth orës 18:45 në fshatin Belesh të rrethit të Elbasanit. Sipas tyre, trupi i pajetë i Rexhep Tafanit është gjetur nga të afërmit në magazinës pranë shtëpisë. “Në vendngjarje u dërgua grupi hetimor, i cili, pasi kreu veprimet procedurale, si këqyrjen e vendit të ngjarjes, këqyrjen e kufomës, nuk u konstatuan dëmtime apo shenja dhune në trup dhe nga deklarimet e të afërmve të tij u kostatua se ky shtetas është gjendur i vetëvarur në magazinë nga familjarët. Paraprakisht mendohet se veprimi është kryer në kushtet e depresionit nervor”, - thonë burimet e olicisë së Elbasanit.

31 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›