Konformizmi sipas teknologjisë
Dr. Kesiana Lekbello
- Nuk kemi dyshim që teknologjia ka përmirësuar jetë tonë, ndaj nuk do ndalem aspak të vë në dyshim {dhe nuk dua që ta mendojnë lexuesit} procesin dhe zhvillimin e teknologjive si pasuri në shekullin tonë. Megjithatë përdorimi i Facebook, tweets, mesazhet, internetit etj., shtron një pyetje konkrete në botën e intelektualëve: teknologjitë, në tërësi, janë në gjendje të japin lirinë e fjalës dhe demokracinë apo po kthehen në mjete skllavërie dhe shpesh ofendimi për kë bëhet skllav i tyre? Këto pyetje janë të vërteta kur mendon që bota e sotme nuk bën dot pa teknologjinë dhe pikërisht kjo është pikënisja e shumë diskutimeve që ndodhin - seminare, konferenca, etj - nëpër shkollat nëntëvjeçare, gjimnazet, universitetet. Kjo me qëllim për të kuptuar përdorimin e saktë të këtyre “mjeteve” bashkëkohore. A mund të jetohet sot, për shembull, pa facebook e tweets?
Personalisht them që po, sepse jam fshirë nga ato! Mbasi përdor këto “mjete”, që përhapin në kohë rekord lajmin, pa dashje bëhesh edhe skllav i tyre {ku sensi privat pothuajse humbet}, përcillet shumë llafollogji, thashetheme që dëmtojnë imazhin e kujtdo personi. Jeta ime vazhdon njëlloj, e akoma më mirë, pa facebook dhe tweets, lidhjet me njerëzit i vazhdoj njëlloj dhe jeta ime private mbetet e imja, pa u futur aspak në rrjetën e madhe të teknologjisë të tipit “Pazar”, ku jepen mendime, shkëmbehen opinione dhe shpesh abuzohet me ofendime. Mbarova pak ditë më parë së lexuari librin e ri, në italisht L’era dello schermo(Epoka e ekranit), të autorit Vanni Codeluppi {Ed. F. Angeli}, ku shtjellohet në mënyrë vërtet largpamëse përdorimi i drejtë, pra jo skllavërues, i teknologjisë.
Përmbledh shkurtimisht librin në konkluzionin që mendoj se është i drejtë dhe shumë i arsyetuar edhe për lexuesit {kështu shpresoj}. Autori, nëpërmjet analizave të shumta, shpjegon botën e shumëllojtë të mesazheve, dhe jo vetëm, që lidh njerëzit kudo që ndodhen nëpër botë. Koha e sotme të kërkon të jesh Virtual; kush nuk është virtual shikohet si jashtëkohor dhe i palidhur me realitetin dhe përbërjen që mbart rrjeti i lajmeve dhe shkëmbimi i ideve. Autori shtron pyetjen: çfarë i bënë të ndjeshëm njerëzit kur përdorin teknologjitë? Përgjigjet mund të jenë të shumëllojshme. Autori ndalet dhe shpjegon “logjikën e vitrinës”, ku çdokush - si në facebook apo tweets, për të përmendur këto dy suporte që përdoren shumë nga masat - krijon një “Unë” personale, gati ideale, që duhet t’i përputhet një Tipi të caktuar ku personi ekspozohet. Ekzakt.
Ky lloj spektakli detyron shumë shpesh të jesh “brenda normave” që shoqëria kërkon, që rrjeti kërkon dhe ku nuk vihet re asnjë gabim{mendoni fotografitë që vendosen, janë perfekt}. Pra, kemi të bëjmë me botën reale apo me botën e bukur ku mbizotëron rregulli, e bukura dhe idealja? Tjetër pyetje që shtrohet është nëse estetika e shoqërisë, sipas logjikës kapitaliste, ka favorizuar procesin e mallrave konsumiste: “ndjehemi qytetarë vetëm kur konsumojmë çfarë prodhohet, pra edhe për teknologjinë”, shprehet Codeluppi. Në këtë proces shoqëria e konsumit shet dhe blen mallrat nëpërmjet edhe internetit {kjo nuk është një e keqe}, por kjo formë konsumi a na bën të ndjehemi, dhe këtu qëndron problemi, akoma më të lirë dhe më demokratikë? Në të vërtetë raportet midis njerëzve po kthehen gjithmonë e më tepër drejt botës virtuale; jemi në rrjet si në një spektakël që na afrohet: lexojmë, shkruajmë, vetëm në rrjet...Neve na kërkon teknologjia prodhime të shpejta dhe rrufe, siç shkruan edhe Siva Vaidhyanathan “ Ne nuk jemi klientë të Google o tjetër. Ne jemi prodhimet e teknologjisë”.
Frazë që shqetëson, por e pranoj, sepse për mua, nuk di për të tjerët, kjo korrespondon me faktin që “mjafton të hapësh një faqe në internet e kudo je një prodhim industrial ku dikush tjetër pasurohet vetëm nga një Klik”. M’u kujtua ndërkohë që lexoja librin, piktori i artit pop amerikan, i madhi Andy Warhol, i cili që në vitet 1970-80 me pikturën e tij, e tregoi qartë, që edhe vepra artistike humbi efektin dhe u kthye në një prodhim – seri teknologjiko-industriale{ kjo ide është vetëvrasje për domethënien klasike artistike}siç ndodh me prodhimet seri në facebook, tweets etj, etj.. Konkluzioni që mbyll edhe reflektimin e Codeluppi në librin e tij është rruga tjetër e interpretimit të teknologjisë, d.m.th. vetëm atëherë kur njerëzit do arrijnë të kuptojnë që teprimet e teknologjisë janë skllavëri, atëherë ndoshta dhe vetëm atëherë edhe përdorimi i rrjetit si prodhim, do të jetë më i reflektuar ose më saktë: “një realitet i njohur nga afër është njëqind herë më i saktë, më domethënës sesa një lustër sa për shkëlqim në facebook apo dy rreshta shkurt në Twitter”.