E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kongresi Botëror i Ligjit 2027 në Shqipëri, Rama: Sot kemi një gjyqësor që nuk është në duart e politikës

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja si dhe presidenti i Shoqatës Botërore të Juristëve, Javier Cremades nënshkruan sot në Spanjë, marrëveshjen për organizimin e World Law Congress Albania 2027 (Kongresit Botëror të Ligjit 2027).

Marrëveshja u nënshkrua në prani të kryeministrit Edi Rama, në Madrid, ndërsa i pranishëm ishte edhe Felipe Gonzalez.

Kryeministri Rama, në fjalën e tij pas ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, tha se vendi ka kaluar nëpër një reformë pastrimi të sistemit të drejtësisë nga gjyqtarë e prokurorë të korruptuar.

“Procesi i rivlerësimit ka marrë vëmendje. Që kur kemi një shtet dhe jemi një shtet i ri, pasi u pavarësuam nga Perandoria Osmane në 1912, kemi një gjyqësor që nuk është në duart e politikës”, deklaroi Rama.

Rama theksoi se edhe njerëz nga ana e mazhorancës po japin llogari para drejtësisë.

“Na duhet të jemi dëshmitarë të kësaj duke parë njerëz nga shumica jonë të japin llogari para drejtësisë. E dinim këtë dhe nuk pendohemi, në të kundërt do të nxisim sa më shumë të jetë e mundur që më së fundi, shteti i së drejtës të jetë emëruesi i përbashkët i shoqërisë”, deklaroi Rama.

Kryeministri Rama vlerësoi praninë e kryeministri legjendar spanjoll, Felipe Gonzales, duke theksuar se ishte frymëzim për të dhe një ndër arsyet se pse kandidoi si udhëheqës i Partisë Socialiste të Shqipërisë.

“Më duhet që menjëherë të ndaj me ju se sa i tmerruar jam, sepse më duhet të flas në praninë e dikujt që ka qenë frymëzim për mua kur kam qenë i ri dhe ka qenë një nga arsyet më të forta se pse atëherë kandidova si udhëheqës i Partisë Socialiste të Shqipërisë, kryeministri juaj legjendar Felipe Gonzales, kështu që kërkoj ndjesë në qoftë se nuk do të jem në gjendje të jap maksimumin, sepse jam vërtetë i tmerruar. M’u desh të fitoja tri zgjedhje e ndoshta duhet të fitoja edhe një palë të tjera për të takuar më së fundi legjendarin Felipe Gonzales”, u shpreh kryeministri.

Rama shtoi se Shqipëria është larg të qenurit vend i zymtë dhe se një ndër arsyet që ishte aty, ishte për të thënë këtë.

“Nga ana tjetër ndihem mjaft i përulur që kam këtë mundësi për të folur përpara jush dhe mund të imagjinoj që shumë prej jush mund të pyesni, “Po Shqipëria, ç’dreqin do këtu?” Po, do, sepse Shqipëria është larg së qenit ajo çfarë ju kanë thënë, është larg së qeni vendi që është persekutuar për kaq shumë kohë nga stigma e të qenit një vend i zymtë. Në fakt, dielli shndërrin në Shqipëri, kurrë nuk është zymtë se është një vend “kriminelësh, rrëmbyesish, hajdutësh”, nuk është se nuk i kemi të gjitha këto, por janë po aq shumë dhe po aq pak, sa në çdo vend tjetër e po kështu është një vend, pasaporta e të cilit gjithmonë ngjante me një dokument shumë të dyshimtë, por kjo ka ndryshuar”, deklaroi Rama.

Në rrekjen për drejtësi, theksoi ai, historia risht spanjolle dhe modeli spanjoll kanë qenë burim frymëzimi.

“Gjendem këtu mes individësh të cilët kanë formësuar historinë e Spanjës por edhe historinë e Europës dhe të botës. Jo vetëm kryeministri Felipe Gonzales por edhe një legjendë tjetër në anën tonë të botës, Ballkanin Perëndimor, Javier Solana; po kështu edhe mjaft të tjerë. Ka qenë privilegj që të njoh Javier Cremades, që ta mikpres në Shqipëri e të dëgjoj prej tij gjithë fjalët që kishte për të thënë për ato çka kemi bërë kur vjen fjala për të luftuar për një vend të drejtë e për një vend i cili faktikisht vjen nga një e shkuar shumë, shumë e vështirë, ku s’kemi pasur kurrë ndonjëherë shtet të së drejtës, ku kurrë s’kemi pasur ndonjëherë një drejtësi të pavarur, ku kurrë ndonjëherë nuk kemi pasur traditën e institucioneve”, theksoi Rama.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›