PD: Votuesit e Opozitës pengohen për t’u regjistruar në aplikacionin e KQZ

TIRANË, 8 shkurt /ATSH/ Partia Demokratike ka akuzuar Partinë Socialiste së po shfrytëzon administratën shtetërore për fushatë elektorale.
Drejtuesi i departamentit të Drejtësisë në Partinë Demokratike Franc Nuri nëpërmjet një deklarate për media duke ju referuar një investigimi në media tha se “votuesit potencialë të opozitës, ndeshen me vështirësi për t’u regjistruar në aplikacionin e KQZ për Diasporën. Ndërsa votuesit potencialë të Partisë Socialiste kanë lehtësira që vijnë ndër të tjera edhe nga angazhimi maksimal, por totalisht i paligjshëm, i një makinerie të tërë të administratës shtetërore, të drejtuar nga të zgjedhurit qendrorë dhe vendorë të PS”.
Ndër të tjera Nuri tha se “ajo që rezultoi edhe më skandaloze nga ky investigim, ishte padyshim, deklarimi i një punonjëseje që pretendonte se vinte nga KQZ në atë takim të organizuar nga PS, pikërisht për të asistuar në regjistrimin e zgjedhësve nga diaspora”.
“Sipas pamjeve filmike, personi në fjalë deklaron se ishte “përfaqësuese e KQZ”, duke shtuar se merrte pjesë “në një projekt të KQZ”, ndërkohë që salla ishte e mbushur me militantë dhe drejtues të lartë të Partisë Socialiste”, tha Nuri.
Nuri shtoi më tej se ajo që bie “në sy është fenomeni i shëmtuar i shfrytëzimit të paligjshëm të administratës shtetërore, qoftë edhe jashtë ditëve dhe orarit zyrtar të punës, për t’i dërguar me “detyrim-përcaktim” jashtë vendit, herë për të mbushur sallat, e herë për t’u marrë me procesin e regjistrimit të emigrantëve në diasporë!”.
“Përtej shkeljeve ligjore dhe shfrytëzimit njerëzor, keqpërdorimi i administratës për qëllime të pastra elektorale dhe zgjedhore është edhe shkelje e dinjitetit të secilit individ që detyrohet t’u bindet urdhrave të paligjshëm të eprorëve të tyre”, theksoi Nuri.
/a.f/