E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Tentoi të fuste nga Morina 16 000 euro të padeklaruara, procedohet 55-vjeçari

TIRANË, 8 shkurt /ATSH/ Një 55-vjeçar nga Kosova është proceduar penalisht pasi u kap nga Policia Kufitare e Morinës duke tentuar të fusë në Shqipëri 16 000 euro, të padeklaruara sipas ligjit.

Shërbimet e Policisë Kufitare kanë rritur vigjilencën për goditjen e paligjshmërive në kufi. Në këtë kuadër, në bashkëpunim me autoritetet doganore, në hyrje të RSH-së, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll të detajuar, automjeti tip “Audi” me drejtues shtetasin kosovar G. M.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, gjatë kontrollit u gjetën 16 000 euro, të cilat ky shtetas po tentonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi.

“Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin kosovar G.M., 55 vjeç, banues në Kosovë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë””, thuhet në njoftim.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›