Kongresi i Lushnjës, në Muzeun Historik
Në hollin e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë është hapur një ekspozitë me foto dhe dokumente të ndryshme kushtuar 90-vjetorit të Kongresit të Lushnjës. "Kongresi i Lushnjës" u mblodh në janar të vitit 1920. Në këtë kongres morën pjesë përfaqësues nga e gjithë Shqipëria, të cilët miratuan një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të vendit, zgjodhën një këshill kombëtar dhe një këshill të lartë si dhe përcaktuan Tiranën si kryeqytet i Shqipërisë.
Kongresi u zhvillua në shtëpinë që sot mban emrin Shtëpia e Kongresit të Lushnjës dhe kjo shtëpi është shpallur muze në këtë qytet. Ekspozita do të jetë e hapur për publikun deri në datën 31 janar.