Platforma “Malaj” për modernizimin e Partisë Socialiste
Deputeti dhe anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste nis turin e bashkëbisedimit, ndalesa e parë auditori i “Universitetit Europian të Tiranës”
Deputeti dhe njëkohësisht anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Arben Malaj, nisi dje turin e tij të bashkëbisedimit në kuadër të prezantimit të një platforme për demokratizimin e jetës politike të partive politike dhe konkretisht selisë rozë. Gjatë një takimi me studentë dhe pedagogë të “Universitetit Europian të Tiranës”, Malaj deklaroi se modernizimi i partive politike është një parakusht për të ardhmen tonë. Në vlerësimin e tij, arritjet pozitive të tranzicionit janë akoma në stadin që nuk e garantojnë funksionimin efikas të demokracisë dhe ekonomisë sonë. “Funksionimi i shtetit ligjor është dëmtuar rëndë nga korrupsioni, kapja e shtetit dhe kultura e mos ndëshkimit. Kredibiliteti publik i institucioneve kushtetuese ka mbërritur pikat më të ulëta”, u shpreh Malaj. Ish-ministri i Financave deklaroi se në modelin tonë politik, në asnjë rast nuk funksionon demokracia e drejtpërdrejtë për të zgjedhurit tanë. Të vetmit të zgjedhur me votë të drejtpërdrejtë në Shqipëri, tha ai, janë vetëm kryetarët e komunave dhe bashkive. “Tranzicioni ynë ka treguar se keqpërdorimi i mandateve politike ka krijuar e po krijon kosto të rënda në ambiciet tona modernizuese, po dëmton dhe vështirëson përfitimin nga avantazhet tona, po vonon dhe vështirëson të ardhmen tonë”, tha Malaj. Me konkretisht, shtoi ai, po mbetemi të fundit në integrimin tonë europian. Malaj këmbënguli se ndryshimet kushtetuese 2008 përkeqësuan qeverisjen e vendit, ndryshimi i sistemit elektoral ka dëmtuar funksionimin demokratik të partive politike dhe sistemi i meritokracisë në parti, në institucionet kushtetuese apo administratën publike është dëmtuar rëndë. “Aq shumë interesohen politikanët tanë vetëm për zgjedhjet e radhës, sa keqpërdorin çdo mandat politik dhe çdo mundësi deri edhe ndryshimet kushtetuese, për të rritur pushtetin personal, për të promovuar militantët, për të keqpërdorur administratën publike, për të keqpërdorur taksat e shqiptarëve, thjesht dhe vetëm në funksion të mbajtjes sa më gjatë të pushtetit dhe vetëm në funksion të krijimit të një pushteti absolut në drejtimin e partive politike dhe në qeverisje”, nënvizoi Malaj. Në vlerësimin e tij, copëzimi i historisë së PS-së, mohimi, mos përfshirja dhe mos mirënjohja ndaj çdo kontribuesi, që nga anëtari i thjeshtë deri tek ish-themeluesit e saj, është kohë e humbur dhe cenon parimet themelore të ndërtimit e motivimit të anëtarësisë dhe publikut. “Na duhet një model i ri politik. Më shumë demokraci e drejtpërdrejtë, na duhet një Kushtetutë e re, që ndan, balancon dhe kontrollon pushtete. Na duhet një sistem i ri zgjedhor që është më i drejtpërdrejtë, që e lejon votuesin të zgjedhë për qeverisjen e tij në nivel vendor dhe qendror. Na duhen parti politike që i eliminojnë krizat, që i zgjidhin krizat, jo parti politike që prodhojnë kriza permanente dhe që mbijetojnë nëpërmjet krizave”, insistoi Malaj. Ai propozoi që asnjë i zgjedhur politik në PS nuk duhet të ketë më shumë se një mandat në strukturat politike të PS-së. “Mund të propozojmë deri në konceptin që ministri nuk do të jetë deputet, duke rritur përfshirjen e kapaciteteve intelektuale të partisë sonë politike në mirëqeverisjen e vendit. Mund të diskutojmë për të vendosur kufizime në mandatet drejtuese politike dhe qeverisëse në nivel vendor e qendror, kufizime ku i njëjti individ nuk mund të ketë më shumë se dy mandate të njëpasnjëshme, kryetar partie apo ministër, kryeministër apo drejtues institucionesh kushtetuese”, argumentoi Malaj. Anëtari i Kryesisë komentoi edhe debatin mbi sjelljen e PS-së ndaj Parlamentit, duke vlerësuar se është e domosdoshme që PS-ja në mënyrë institucionale t’i kthehet Parlamentit. “Ky është qëndrimi që kam mbajtur edhe në Asamblenë Kombëtare të javës së shkuar. Vazhdoj të shpresoj që jo vetëm të kthehemi, por të ndahemi nga fakti që, sa herë jemi të pakënaqur nga zhvillimit politike të vendit, në vend që të rrisim ndërgjegjësimin qytetar dhe reagimin qytetar, të bojkotojmë institucionet e vendit”, theksoi ai. Zyrtari socialist tha se PS-ja duhet të qartësojë sot parimet themelore të mirëqeverisjes së vendit, ku në themel janë forcimi i shtetit ligjor, lufta kundër korrupsionit, kufizimi mandateve politike, meritokracia etj.