E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kongresi i PSE nuk ka miratuar asnjë rezolutë në mbështetje të qëndrimeve të PS-së”

Reagon PSE - hedh poshtë spekulimet e Edvin Ramës

Zëdhënësja e  Partisë Socialiste Europiane, Silke Tomson,  tha dje se “Kongresi i Partisë Socialiste Evropiane nuk ka miratuar asnjë rezolutë për Shqipërinë”.
Një ditë më parë Partia Socialiste e Shqipërisë shpërndau një deklaratë për mediat, sipas së cilës, “Në Kongresin ne Partive Socialiste Evropiane që po zhvillohet në Pragë, u mbajt një takim i posaçëm  për çështjet e Ballkanit ku u  propozua një qëndrim i PSE mbi zhvillimet politike në Shqipëri”.
Sipas zyrës së PS-së, në këtë dokument që mori pëlqimin e të gjithë të partive në tryezë thuhej se, “Partia e Socialistëve Europianë shpreh shqetësim të thellë në raport me krizën e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës me të cilën përballet Shqipëria. PSE i jep mbështetje të plotë qëndrimit të mbajtur nga Internacionalja Socialiste mbi krizën me të cilën përballet Shqipëria dhe thekson se në Shqipëri demokracia  duhet të rivendoset dhe kërkesat e Partisë Socialiste të Shqipërisë në lidhje me të gjitha shkeljet dhe parregullsitë gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit duhet të mbështeten”.
“Kongresi i PSE-së i bën thirrje koalicionit qeverisës të respektojnë liritë dhe të drejtat kushtetuese, duke garantuar transparencë të plotë të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, përmes një hetimi parlamentar që plotëson të gjitha kërkesat legjitime të Partisë Socialiste të Shqipërisë”, bëri të ditur zyra e shtypit e PS-së.
Ndërkohë që nga ana tjetër, reagimi i Partisë Socialiste Evropiane shkon në interes të kundër me mashtrimet e Ramës. PSE sqaroi dje se nuk ka mbështetur asnjë nga qëndrimet e Partisë Socialiste të Shqipërisë mbi kërkesat e tyre ilegjitime, të njohura botërisht tashmë.
Përmes njoftimit për shtyp, PSE shpreh se “mbështet angazhimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë për të përshpejtuar procesin e liberalizimit të vizave dhe marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria”.
Kësisoj, Edvini merr dhe një tjetër shuplakë nga ndoshta mbështetësit e ideologjisë së tij dhe të partisë që përfaqëson, lidhur me kërkesat e çuditshme për hapjen e kutive dhe shkeljen e vendimeve të gjykatave.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›