E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembja e pallatit të paligjshëm, Policia e Shtetit padi penale ndaj policisë bashkiake

Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka depozituar sot në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë një padi penale ndaj policisë bashkiake. Konflikti për shemben e pallatit 12 katësh, pronë e Ilir Matës, kunatit të deputetit socialist Dashamir Peza, mikut më të ngushtë të Edi Ramës, ka çuar deri në një konflikt mes policisë së Tiranës dhe policisë bashkiake.
Nëpërmjet një njoftimi për shtyp Drejtoria e Policisë së Tiranës, informon se do të dërgojë kallzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, policinë bashkiake e cila sot në mëngjes u konfrontua me forcat e rendit të cilët kishin rrethuar pallatin 12 katësh.
“Sot më datë 08.12.2009, forcat e Policisë Bashkiake të Bashkisë Tiranë, kanë tentuar dhe janë konfrontuar me punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët kishin bllokuar zonën për të garantuar veprimtarinë e normale të Inspektoriatit Ndërtimor si dhe për të garantuar jetën e shëndetin e qytetarëve, si pasojë e punimeve që po kryheshin për prishjen e këtij objekti”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së policisë së Tiranës
Duke i vlerësuar këto veprime si të pa preçedenta dhe antiligjore të kryera nga Policia Bashkiake, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, ka pregatitur dhe do të dërgojë kallzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Në njoftimin për shtyp policia argumenton se duke mbështetur aktivitetin e Inspektoriatit të ndërtimit ka kryer detyrën e saj ligjore.
“Vetëm gjatë këtij viti, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, ka mbështetur në 5 raste Inspektoriatin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar dhe në 675 raste Inspektoriatin Ndërtimor Urbanistik të Bashkisë së Tiranës”, thuhet më tej, në njoftimin për shtyp të Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›