Kongresi miraton buxhetin federal për vitin 2011

Me shumicë votash, Kongresi ka miratuar projektligjin për buxhet të hartuar nga dy partitë për financimin e qeverisë amerikane deri në fund të shtatorit. Masa afatshkurtër është hapi i parë në përpjekjet për zvogëlimin e deficit federal dhe borxhit kombëtar.
Më pak se një javë më parë, ndërsa qeveria federale rrezikonte mbylljen e pjesme për shkak të mungesës së fondeve, udhëheqësit demokratë dhe republikanë arritën një marrëveshje për buxhetin. Mbrëmë, të dy dhomat e Kongresit miratuan marrëveshjen, e cila shkurton shpenzimet e brendshme dhe ato që s`kanë të bëjnë me sigurinë me dhjetëra miliarda dollarë, më shumë se ç`dëshironin shumica e demokratëve, por më pak se ç`kërkonin shumica e republikanëve.
Gati të gjithë ligjvënësit kanë vërejtje për buxhetin e miratuar, por përkrahësit e tij e pranojnë se është arritur zgjidhja më e mirë e mundshme për një Kongres të përçarë.
Para votës për buxhetin, Senati i kontrolluar nga demokratët hodhi poshtë propozimin e republikanëve për të ndalur financimin federal për një organizatë që merret me planifikimin familiar. Kundërshtimi kryesor kundër këtij financimi ishte se organizata ofron edhe aborte, megjithëse këto procedura nuk mbulohen me fonde federale.
Ndër ata që votuan kundër marrëveshjes ishte senatori republikan Rend Pol nga Kentaki. Ai tha se shkurtimet janë një truk dhe janë plotësisht të pamjaftueshme përballë deficitit gjigand federal.
Ligjvënësit nga të dyja partitë thonë se vëmendja në të ardhmen do të përqendrohet në shkurtime të ndjeshme në deficitin buxhetor.
Në fillim të javës, Presidenti Barak Obama parashtroi buxhetin e tij që parashikonte shkurtime në shpenzimet federale, përfshirë edhe buxhetin e mbrojtjes. Zoti Obama propozoi gjithashtu eliminimin e lehtësirave në taksa që u janë ofruar amerikanëve të pasur. Propozimi i tij ndryshonte ndjeshëm nga plani republikan që parashikonte shkurtime dramatike për programet e brendshme dhe reduktimin e rolit të qeverisë federale në programet që ofrojnë kujdes shëndetësor për të varfrit dhe të moshuarit.
Kongresi po përgatitet për një debat të ri, që parashikohet të jetë edhe më i ndezur, lidhur me shumën maksimale që mund të marrë qeveria federale borxh. Nëse nuk rritet niveli tavan mbi këtë shumë, Shtetet e Bashkuara mund të mos arrijnë të bëjnë pagesat e kësteve mbi borxhin kolosal, një pjesë e mirë e të cilit është marrë nga qeveri të huaja.