E Diel, 1 Nëntor 2026

Kongresmeni amerikan Aderholt: Lidershipi dhe reformat e suksesshme të Kryeministrit Berisha bindën SHBA-të dhe aleatët të pranonin Shqipërinë në NATO

Kryeministri Berisha priti dje në mbrëmje në takim Kongresmenin Amerikan Robert Aderholt, i cili ndodhet për një vizitë disaditore në vendin tonë.

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen mikut nga Kongresi Amerikan, Kryeministri Berisha e falënderoi atë për mbështetjen e tij personale dhe të Kongresit Amerikan, por edhe të të gjitha institucioneve të SHBA-ve dhe popullit amerikan ndaj Shqipërisë, gjatë gjithë këtyre viteve të tranzicionit dhe ndërtimit të demokracisë e shtetit ligjor, në veçanti për përkrahjen e fuqishme dhe mbështetjen e jashtëzakonshme për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, të cilin Kryeministri Berisha e cilësoi si një ngjarje madhore historike për mbarë kombin shqiptar.

Pasi e falënderoi përzemërsisht për pritjen e ngrohtë e miqësore, Kongresmeni Aderholt i shprehu Kryeministrin Berisha urimet më të përzemërta për realizimin e projektit madhor të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. “Falë lidershipit tuaj dhe falë reformave të suksesshme të ndërmarra nga ju dhe qeveria që ju drejtoni, ju arritët të bindi SHBA-të dhe aleatët të pranonin Shqipërinë në gjirin e Aleancës më të suksesshme politiko-ushtarake. Jo çdo vend anëtarësohet në NATO. Bërja anëtare e plotë e Shqipërisë dëshmon qartë angazhimin dhe përkushtimin tuaj në kauzën dhe vlerat e Aleancës dhe është një arritje e madhe për ju, për qeverinë tuaj dhe për Shqipërinë e qytetarët e saj”, u shpreh Kongresmeni Aderholt.

Më tej, Kongresmeni Aderholt vlerësoi ndryshimet e jashtëzakonshme që kanë ndodhur gjatë këtyre viteve të fundit në Shqipëri, duke vlerësuar reformat në të gjitha fushat dhe në veçanti, arritjet e pakrahasueshme të qeverisë shqiptare për sa i përket ndërtimit të infrastrukturave dhe veprave madhështore e moderne në vend.

Kongresmeni Aderholt u shpreh jashtëzakonisht i impresionuar nga rruga Durrës- Kukës-Morinë. “Jam i mrekulluar nga pamja madhështore e kësaj vepre gjigande. Është vështirë të besosh që Shqipëria arriti në një kohë kaq të shkurtër të realizojë një projekt të tillë, një arritje a papërshkrueshme”, u shpreh Aderholt. Duke vlerësuar rolin e rëndësishëm që kjo rrugë do të luajë si për forcimin e marrëdhënieve të ngushta midis Shqipërisë e Kosovës dhe zhvillimin ekonomik të të dy vendeve, por edhe për forcimin e shkëmbimeve dhe zhvillimin e konsolidimin e lidhjeve e miqësisë të mbare rajonit, Kongresmeni Aderholt e krahasoi Kryeministrin Berisha me Presidentin Amerikan Eisenhower, i cili ka mbetur në memorien e popullit amerikan si ati i sistemit kombëtar të rrugëve që lidhin shtetet federale në një rrjet kombëtar infrastrukturor në SHBA.

Pas takimit, Kryeministri Berisha shtroi një darkë për nder të mikut amerikan, e cila u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë e miqësore.


26/05/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›