E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Gjatë 4 viteve të ardhshëm, Shqipëria do të ketë papunësinë më të ulët se mesatarja e vendeve anëtare të BE-së

- Kryeministri Berisha përuroi fillimin e punimeve për ndërtimin e hidrocentralit të Ashtës, në Bushat, një investim i kompanisë  austriake Verbund prej 160 milion euro.

- Vetëm në 104 hidrocentrale, që fillojnë nga ndërtimi brenda një viti, minimumi i të punësuarve në to do të jetë 60 mijë punonjës.

Kryeministri Berisha mori pjesë dje pasdite, në ceremoninë përurimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e hidrocentralit të Ashtës, në Bushat, një investim prej 160 milion euro i kompanisë së njohur austriake në fushën energjetike, Verbund .

HEC-i i Ashtës, - u shpreh Kryeministri, - është një ndër projektet e mëdha në sistemin energjetik shqiptar, që së bashku me 104 hidrocentrale të projektuar në vend dhe vepra të tjera energjetike do ta shndërrojnë Shqipërinë në një superfuqi energjetike rajonale.

“Sot, - u shpreh Kryeministri – ne hapim siparin e fillimit të punimeve jo në një, dhjetë apo tridhjetë, por në 104 hidrocentrale, të cilët do të fillojnë nga ndërtimi brenda një viti. Janë finalizuar dhe janë në finalizim 60 kontrata, për një total prej 104 hidrocentrale, me një kapacitet prodhues të marra së bashku 1 mijë megavat, me një investim tërësor prej 2.2 miliard euro.”

Në ceremoninë e inaugurimit ishte i pranishëm edhe ambasadori austriak në Tiranë Klaus Derkowitsch dhe drejtues të pushtetit vendor.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Sot, është një ditë e madhe për Bushatin, Vaun e Dejës, Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë. Sot, ne çelim siparin e inaugurimit të hidrocentralit të Ashtës, vepër kjo jashtëzakonisht e rëndësishme në sistemin energjetik shqiptar, i cili ndërtohet nga një prej kompanive lider në fushën e hidrocentraleve në Europë, kompania kryesore energjetike në Austrinë mike, e cila zotëron në pronësinë e saj 107 hidrocentrale dhe 9 termocentrale.

Kompania Verbund investon këtu 160 milion euro, por këtu nuk është llogaritur vlera e jashtëzakonshme e reputacionit të kësaj kompanie që operon në shumë vende dhe sot e tutje, hartës së gjerë të operimit të saj i shtohet edhe Shqipëria.  Kompania Verbund ka marrë përsipër të ndërtojë dhe sjellë këtu teknologjinë më të mirë dhe më avancuar, të përfundojë hidrocentralin për 40 muaj dhe të bashkohet me sistemin energjetik shqiptar. Projekti i këtij hidrocentrali është i mrekullueshëm, i cili respekton në mënyrë të shkëlqyer ekologjinë dhe ujërat e këtij rajoni.

Të dashur qytetare dhe qytetarë të Shkodrës,

Ky ka qenë centrali nuklear që Sali Berisha do të ndërtonte për Shkodrën.

Sot, është një ditë e madhe, sepse  ne hapim siparin e fillimit të punimeve jo në një, dhjetë apo tridhjetë, por në 104 hidrocentrale, të cilët do të fillojnë nga ndërtimi brenda një viti. Janë finalizuar dhe janë në finalizim 60 kontrata, për një total prej 104 hidrocentrale, me një kapacitet prodhues të marra së bashku 1 mijë megavat, me një investim tërësor prej 2.2 miliard euro. Këto hidrocentrale janë të shpërndara si vijon: rrethi i Kukësit 10 hidrocentrale të reja; rrethi i Bulqizës 14 hidrocentrale të reja; rrethi i Gramshit 8 hidrocentrale, ndër to projekti më i madh në Europë, kaskada e Devollit me një investim prej 1.1 miliard euro; rrethi i Shkodrës 7 hidrocentrale; në rrethin Librazhd 8 dhe në rrethin e Korçës 8 hidrocentrale; në rrethin e Dibrës 6 hidrocentrale; 12 hidrocentrale përkatësisht 4 në Mat, 4 në Tepelenë dhe 4 në Tropojë, 9 hidrocentrale përkatësisht 3 në Pogradec, 3 në Berat dhe 3 në Përmet, pa përfshirë Vjosën; 8 hidrocentrale përkatësisht 2 në Gjirokastër, 2 në Sarandë, 2 në Tiranë dhe 2 në Pukë; 4 hidrocentrale përkatësisht nga një në  rrethet Elbasan, Skrapar, Mirditë, Kolonjë. Ky është produkti i punës sonë vetëm në dy vitet e fundit, punë të cilën e nisëm pothuajse nga zero.

Në këto 104 hidrocentrale, ju garantoj se minimumi i të punësuarve në to do të jetë 60 mijë punonjës në Shqipëri. Në këtë hidrocentral punësohen disa qindra vetë, në kaskadën e Devollit punësohen mbi 5 mijë persona, Skavica, kaskada e Vjosës, e Osumit dhe lumenjtë e tjerë do të fitojnë gjallërinë më të madhe se të gjithë lumenjtë e Europës. Ato do të shndërrohen në një kantier ndërtimi.

Qytetare dhe qytetarë të Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë,

Këto janë vetëm disa nga projektet tona për ta shndërruar Shqipërinë në superfuqi të vërtetë rajonale energjetike. Ky vend ka potenciale të jashtëzakonshme. Çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, çdo vit do të punojmë t’i shndërrojmë ato në vlera për ju, qytetarë shqiptarë.

Punësimi do të jetë objektivi numër një i qeverisë sime në katër vitet që vijnë. Unë ju garantoj se gjatë 4 viteve, Shqipëria do të ketë papunësinë më të ulët se mesatarja e vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Unë theksova këtu veprat energjetike, por dhjetëra e mijëra punëtorë, ekspertë të tjerë do të punësohen në 6 parqet e mëdha industriale, ndër të cilët, Shkodra ka një ndër më të mëdhenjtë. Dhjetëra e mijëra të tjerë do të punësohen në ndërtimin e mijërave kilometrave rrugë, porteve dhe aeroporteve të reja të vendit.

Së fundi, dua të them dy fjalë  për mikun tonë ambasadorin Derkowitsch. Zoti ambasador, ju këto kohë përmbushni misionin tuaj në Shqipëri dhe ktheheni në vendin tuaj në një detyrë tjetër, por unë besoj se ktheheni krenarë me kontributin e madh që keni dhënë në marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve dhe kombeve tona. Ju largoheni, pasi keni lënë në Shqipëri kompanitë më të fuqishme austriake. Ju largoheni, pasi keni ndihmuar këtë vend me përkushtimin më të madh. Ju garantoj se do të keni mirënjohjen e plotë e të përhershme timen dhe të shqiptarëve. Unë shpresoj që së shpejti të ktheheni si mik i dashur dhe i çmuar në këtë vend. Shpresoj të vini pas 40 muajsh të inaugurojmë së bashku këtë vepër që nis sot. Edhe një herë ju falënderoj shumë për gjithë çka keni bërë.

Ne po ecim drejt zgjedhjeve, drejt fitores së sigurt.”


26/05/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›