Konispoli shpallet Ansambël Historik, Këshilli i Ministrave njeh trashëgiminë e rrallë historike-kulturore të qytetit

Këshilli i Ministrave miratoi shpalljen e qytetit të Konispolit si Ansambël Arkitektonik Urban me vlera të veçanta historike dhe kulturore.
Ky vendim i hap rrugën mbrojtjes, restaurimit dhe promovimit të kësaj qendre me trashëgimi të rrallë, shkroi ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, në rrjetet sociale.
Konispoli përfaqëson një identitet të rrallë urban dhe kulturor në jug të Shqipërisë. Banesat e tij tradicionale datojnë në shek. XIX–XX. Në të ka gjurmë të pazarit të vjetër, arkitekturë karakteristike me gurë të punuar, rrugica me kalldrëm, e deri lagje me emra fisesh dhe vendbanimesh antike në Qafën e Ktismave.
“Gjatë historisë, Konispoli ka qenë vatër rezistence dhe kulture kombëtare, ndërsa sot ky status i ri përbën një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm përmes turizmit kulturor dhe mbrojtjes së trashëgimisë sonë,” theksoi ministri Gonxhja.
Sipas ministrit, vendimi i sotëm vjen si rezultat i punës së Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, për të garantuar ruajtjen dhe valorizimin e pasurive të paluajtshme me vlera të veçanta.
Gazetare: Xhilda Kondi
/rtsh.al/